1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Gjermani hapet debati për armatimet bërthamore amerikane

Anila Shuka, Berlin23 Qershor 2008

Sipas një raporti të publikuar të shtunën nga Shoqata e shkencëtarëve Amerikanë (FAS) siguria e armatimeve atomike të ushtrisë amerikane në Evropë nuk është në nivelin e dëshiruar.

https://p.dw.com/p/EPRz
Fotografi: AP Graphics

Se në çfarë përmasash dhe ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë stacionuar armë bërthamore në Evropë kjo nuk dihet. Por sipas të dhënave jozyrtare numri i tyre thuhet të jetë nga 200 deri 350 bomba atomike të tipit B61, në Gjermani mendohet të jenë afro 30. Sipas një raporti të Shoqatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS), raport, i cili iu referohet burimeve të brendshme nga ushtria amerikane, gjendja e tyre në aspektin e sigurisë lë për të dëshiruar.

Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes në Berlin, Thomas Raabe, e hodhi poshtë të hënën në Berlin (23 qershor 2008) një informatë të tillë: "Duhet parë pak më me skepticizëm se nga vjen kjo informatë. Një gjë është që një studim arrin në një përfundim të tillë, por diçka tjetër janë raportet e brendshme tona. Fakti që në kuadër të NATO-s flitet rregulllisht për sigurinë e këtyre vendeve, tregon se për ne kjo temë ka një rëndësi shumë të madhe dhe se ne kujdesemi vazhdimisht që të shikojmë se si është gjendja në të vërtetë." Por hollësi të mëtejshme për armët atomike të Amerikanëve në Gjermani Raabe nuk prani të jepte: "Po të përshkruajmë me hollësi se si është gjendja e tyre atëherë një armik i mundshëm do të ishte në gjendje të gjykonte situatën dhe kjo nuk është në interesin tonë", tha ai.

Gjithsesi, fakt është që raporti ka shkaktuar një debat të gjërë në opinionin e brendshëm në Gjermani. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Gido Vestervele (Guido Westerwelle), me këtë rast kërkon çmontimin e armëve atomike nga Gjermania "Armët bërthamore janë një relike e Luftës së Ftohtë, tha politikani liberal për një gazetë nga Berlini. Por edhe politikanë nga partia socialdemokrate e koalicionit, si Nils Anen (Niels Ahnen), janë shprehur për heqjen e tyre. "Largimi i armëve bërthamore nga Gjermania do të përbënte një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të çarmatimit bërthamor", ka thënë Ahnen për mediet gjermane.

Çarmatimi nga armët atomike është një nga qëllimet e qeverisë gjermane, por ai nuk pritet të realizohet në një afat të afërm kohor, tha të hënën në Berlin, zëdhënësi i qeverisë Ulrih Vilhelm (Ulrich Wilhelm). Ekzistenca e armëve atomike është ankoruar në strategjinë e NATO-s së vitit 1999, thotë ai. "Kjo strategji është ende e vlefshme, por ne si qeveri gjermane po bëjmë përpjekje që të ecim përpara në procesin e çarmatimit nga armët bërthamore. Por për një afat të shkurtër kohor, aleancës i duhen jo vetëm armatime konvencionale por edhe atomike me qëllim demonstrimi të forcës."

Mbështetje në këtë politikë gjen qeveria gjermane tek politikanët unionistë. Folësi i grupit parlamentar të tyre për politikën e jashtme, Eckart von Kleden, argumenton se armatimi bërthamor është i nevojshëm për sa kohë që ekzistojnë rreziqe të tilla, si pengmarrje nga vende me politike antiperëndimore dhe armë bërthamore, siç është Irani."