1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në juglindje të Kosovës po formohet komuna e re e Kllokotit

25 Korrik 2009

Komuna e Kllokotit do të shtrihet në 23 kilomtra katrorë dhe në kuadër të saj do të jenë: Kllokoti, Verbovci, Gerncari dhe Mogilla me 4.500 banorë

https://p.dw.com/p/IxBW
Kryenegociatori i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari, gjatë një konference për shtyp në Prishtinë në mars 2006.Fotografi: AP

Në bazë të Planit të Ahtisarit, të cilin e ka pranuar edhe qeveria e Kosovës, përveç pesë komunave ekzistuese të dominuara nga serbët, është paraparë edhe zgjerimi i komunës së Novobërdës si dhe formimi i dy komunave në Mitrovicë: asaj në jug me vendbanime shqiptare si dhe asaj në veri me vendbanime serbe: Komunat e ardhshme të banuara kryesisht me popullatë serbe do të jenë: Graçanica, Parteshi, Gjilani, Raniluku si dhe Kllokoti.


Komuna e Vitisë në juglindje të Kosovës, shtrihet në rreth 290 kilometra katrorë, në 23 kilometra prej të cilave parashihet formimi i komunës së Kllokotit; aktualisht njëri ndër 43 fshatrat e Vitisë. Me bashkangjitjen e katër fshatrave të Vitisë, Kllokoti pritet të fuksionojë si komunë me vete, me 4.500 banorë prej gjithsej 70 mijë banoreve sa ka komuna e Vitisë. Kështu të paktën dikton Plani i Marti Ahtisarit, në bazë të të cilit përveç pesë komunave ekzistuese të dominuara nga serbët, zgjerimit të komunës ekzistuese të Novobërdës si dhe formimit të dy komunave në Mitrovicë: asaj në jug-me vendbanime shqiptare si dhe të asaj në veri-me vendbanime serbe, ndër komunat e ardhshme të banuara kryesisht me popullatë serbe do të jenë: Graçanica, Parteshi, Gjilani, Raniluku si dhe Kllokoti.


Sasha Mirkovic Vizebürgermeister der Stadt Viti
Sasha Mirkovic, zëvendëskryetar i komunës së Vitisë.Fotografi: DW

Sasha Mirkovic, zëvendëskryetar i komunës së Vitisë, është njeriu i parë që merret me përgatitjet rreth formimit të komunës së re të Kllokotit:


„Puna në procesin e decentralizimit për komunën e ardhshme të Kllokotit po rrjedh nomalisht. Ekipi përgatitor tashmë është përzgjedhur prej 35 kandiadtëve, prej tyre janë 10 serbë dhe 2 shqiptarë. Komuna e Kllokotit do të shtrihet në 23 kilomtra katrorë, në kuadër të së cilës do të jenë: Kllokoti, Verbovci, Gerncari dhe Mogilla, të banuara me 4 mijë e 500 banorë“.


Subjektet politike, që veprojnë në komunën e Vitisë, kanë kundërshtuar bashkarisht procesin e decentralizimit në këtë komunë. Ndërkohë që, kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi si dhe nënkryetari i kësaj komune Sasha Mirkovic, janë të njëzëshëm që procesi i decentralizimit të mos zbatohet vetëm në komunën e Vitisë, ngase druajnë dëmtimit e klimës së mirë të bashkëjetesës.


„Sepse për komunat e tjera të cilat kanë pas probleme, ende nuk ka ndonjë marrëveshje për themelimin e komunave të reja. Procesi i decentralizimit nuk duhet të fillonte vetëm në komunën e Vitisë, siç janë marrë vesh ministri Sadri Ferati me z. Piter Feith, sepse kjo mund të shkaktojë ndonjë problem të panevojshëm.“ - thotë kryetari Arifi.


„Ne e dimë se procesi i decentralimzit duhet të implementohet në pesë komunat me shumicë serbe dhe nuk do të donim që komuna e Kllokotit të niset e vetme në këtë proces. Mua nuk do më pengonte aspak të zgjidhja problemet e bashkësisë serbe dhe asaj shqiptare në komunën amë të Vitisë, por kjo është sjellë në nivele shumë më të larta dhe ne na mbetet vetëm ta realizojmë atë.“ - thotë nënkryetari Mirkovic.


Banorët e Mogillës, fshat i banuar me shqiptarë e serbë, e kanë kundërshtuar po ashtu formimin e komunës së Kllokotit, ndërkohë që banorët e fshatrave të tjera të Vitisë shfaqin optimizëm.


„Njëqind decentralizime le të bëhen, ata prapë kanë me qenë në Kosovë.“ - thotë Ismet Rrahmani nga fshati Verban, i cili punon në çerdhen e fëmijëve.


„Nëse qytetarët e njohin ligjin dhe shtetin e Kosovës, decentralizimi do të ndikojë në zhvillimin më të hovshëm të komunës." - mendon Sabir Novosella, një afarist i suksesshëm. Sepse siç konkurrojmë ne ndërmarrjet mes nesh se cila po arrin më shumë kualitet, kështu do të bëjnë edhe komunat. Mirëpo, përderisa ne kemi komuna që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe aty të bëhet decentralizimi, kjo nuk është normale. Askund në botë nuk ka që një komunë të mos e njohë shtetin, në kaudër të të cilit edhe është!“


Sipas disa liderëve të serbëve të Kosovës nuk mund të bëhet fjalë për decentralizimin, i cili, sipas tyre, „do të organizohet nga institucionet jolegjitime të Kosoves“ dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në nivelin Prishtinë-Beograd, ku do të ishte e përfshirë edhe bashkësia ndërkomtbare si garantuese e këtij procesi. Të tjerë mendojnë se serbët me një insistim më të madh do mund të kishin deri në 20 komuna. Nga ana tjetër, institucionet e Kosovës janë optimiste dhe besojnë se implementimi i decentralizimit në bazë të ligjit, do të ngrejë besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës dhe në bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Planit të Marti Ahtisarit, pas tri vitesh do të bëhet një analizë mbi decentralizimin, dhe në bazë të arritjeve do të vazhdohet me fuqizimin e këtij procesi.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Elert Ajazaj