1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në kontrast me kohën e ftohtë dhe plot lagështirë në Gjermani, marrëdhëniet gjermano-amerikane kanë hyrë në fazën e përmirësimit

Verica Spasovska23 Shkurt 2005

"Ne nuk mund të kemi marrëdhënie të mira me Evropën, në qoftë se nuk kemi miqësi të mirë me Gjermaninë, ky vend i mrekullueshëm është zemra e Evropës" - fjalë të arta këto që dolën nga goja e presidentit amerikan George W. Bush gjatë takimit të tij me kancelarin gjerman Gerhard Schrëder në Mainz. Po ai i shohin SHBA-të marrëdhëniet bilaterale vërtet si marrëdhënie mes "miqsh, partnerësh dhe aletësh të barabartë" sikurse u shpreh kancelari gjerman? Kjo do të shihet në rastet e konflikteve dhe krizave të tjera.

https://p.dw.com/p/Ar4a
Fotografi: AP

S'ka dyshim që toni mes partnerëve transatlantikë është bërë më miqësor, dhe përbetimet reciproke për qëllimet e përbashkëta nuk mund të kalonin pa u dëgjuar. Gjithsesi nuk mund të thuhet se koha e ngricave ka kaluar plotësisht. Vizita e presidentit amerikan në Gjermani u shoqërua me shpresa të mëdha. Sepse pas irritimeve të shumta në lidhje me hapat individualistë të SHBA-ve ajo ofron mundësinë për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet gjermano-amerikane.

Kancelari gjerman e shfrytëzoi rastin për të hapur me gjeste pajtimi rrugën e mirëkuptimit. Ai pohoi se në të kaluarën ka pasur vërtet qëndrime të kundërta mes Uashingtonit dhe Berlinit, por ato i takojnë së kaluarës. Ai theksoi se në të dyja anët e Atlantikut ka sot qëndrime të përbashkëta, si p.sh. në lidhje me Iranin, i cili nuk duhet të poseidojë armë atomike. Por, me sa duket, në lidhjet me rrugët për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët nuk mbretëron pajtim i plotë. Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca janë përfundimisht për një zgjidhje diplomatike, kurse SHBA duan t'i lënë hapur të gjitha opcionet, dhe këtu bën pjesë edhe ai ushtarak.

Në fakt një sërë qëndrimesh të kundërta për çështje të rëndësishme nga e kaluara nuk kanë mundur të sheshohen. Kështu p.sh. qeveria amerikane vazhdon të kundërshtojë me kokëfortësi ratifikimin e disa prej marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare si protokolli i Kiotos, apo çështjen e Gjykatës Ndërkombëtare për Çështjet Penale etj. Të tilla gjëra Gjermania s'i ka harruar. Skepticizmin ndaj qeverisë së Bushit e vërtetoi fakti se në Irak nuk u gjetën armë të shfarosjes në masë dhe në kampet e Guantanamos vazhdojnë të shkelen të drejtat e të burgosurve. Për këtë nuk të çudit fakti se sipas anketimeve më shumë se dy të tretat e gjermanëve i konsiderojnë fjalët e ëmbëla të presidentit amerikan si të thëna sa për të larë gojën.

Megjithatë do të ishte gabim po ta kaloje tërësisht pa vënë re tonin e ri dhe stilin e marrëdhënieve dhe të dialogut gjermano-amerikan. Jo më kot presidenti amerikan e thekson partneritetin mes të dyja vendeve edhe pse ndryshe nga kancelari Schrëder e mënjanon me patjetër termin "me të drejta të barabarta". Duket se Uashingtoni është i interesuar për t'i ingranuar evropianët më tepër se deri më sot në një strategji të përbashkët. Bushi po përpiqet të tregohet bindës për të fituar mbështetje dhe mirëkuptim për strategjinë e tij.

Gjermania luan një rol të rëndësishëm në këtë mes, sepse ndryshe presidenti nuk kishte pse të qëndronte në Mainc në kuadrin e vizitës së tij në Evropë. Ndoshta në Uashington po bëhet e qartë se do të ishte mirë evropianët të ishin aleatë afatgjatë. Gjithsesi e ardhmja mbetet të tregojë nëse presidenti Bush do të ndjekë një stil drejtues kooperativ, kjo varet nëse retorika do të pasohet prej veprave.