1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Maqedoni shqyrtohet paketa e ligjeve për decentralizim

Fatos Musliu / Shkup22 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/Aqvv

Pas gjashtë muajsh pasivitet me sugjerim të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme Havier Solana, sot në kabinetin e presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski janë takuar liderët e katër partive politike nënshkruese të marrëveshjes së Ohrit përfaqëues të qeverisë dhe ndërkombëtarët prezentë në Maqedoni. Temë shqyrtimi i këtij takimi ka qenë propozimi i pakos së ligjeve për decentralizim. Për nënkryetaren e VMRO DPMNE-së propozim-ligji për ndarjen territoriale është i papranueshëm për këtë parti. Sipas saj qeveria duhet të mbajë llogari për kultivimin e karakterit shumëetnik dhe organizimit territorial në vecanti në Maqedoninë perëndimore. Nënkryetarja e VMRO-së vlerëson se komunat rurale duhet të jenë të ndara nga ato urbane për shkak të nevojave të ndryshme sa i përket zhvillimit të infrastrukturës dhe plotësimit të nevojave të qytetarëve. "Vlerësojmë se duhet të ketë harmonizim të qëndrimeve dhe të arrihet konsensus politik për ndarjen territoriale. Nëse kjo nuk arrihet ndarja territoriale do të shkaktojë pakënaqësi tek një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve" ka theksuar nënkryetarja e VMRO-së. Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik Abdyl Menaf Bexheti thotë se të gjitha vërejtjet në përmbajtje qeveria duhet t'i ketë parasysh nëse ajo është e sinqertë që ndarja territoriale të jetë e pranueshme për të gjithë. Ne nuk dëshirojmë thotë Bexheti të shprehim energji negative për propozim-ligjin e ndarjes territoriale por kjo nuk do të thotë që do ta pranojmë atë pa kurrfarë vërejtjesh. PPD vërejtjet më të mëdha për ndarjen territoriale i ka të koncentruara në qytetin e Shkupit. "Eshte e pakuptueshme politikisht zhveshja e qytetit të Shkupit nga përdorimi i gjuhës shqipe në kushtet kur atë e kemi të drejtë kushtetuese në nivel shtetëror.Prandaj në cfarëdo propozimi që të paraqitet PPD do të kërkojë përdorimin e gjuhës shqipe për qytetin e Shkupit" ka deklaruar kryetari i PPD-së. Në takimin e sotëm është arritur pajtueshmëri që të mbahet një takim i ekspertëve partiakë qëndrimet e të cilëve do të shqyrtohen në takimin e rradhës të liderëve të partive politike nënshkruese të marrëveshjes së Ohrit që do të mbahet të premten.