1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të shitjes së industrisë serbe të naftës Rusisë

dpa/afpe/AUD23 Dhjetor 2008

Koncerni NIS do të shitet për 400 milionë euro ndërkohë që vlerësimi i pavarur është 2,2 miliardë dollarë

https://p.dw.com/p/GM5w
Rafineria e naftës NIS Jugopetrol në Pançevë.Fotografi: AP

Serbia do t'ia shesë me çmim të lirë industrinë e saj të naftës Rusisë. Marrëveshja përkatëse për këtë pritet të nënshkruhet nesër në Moskë. Ç'përfitime do të ketë Serbia prej këtij biznesi?

Marrëveshja për shitjen e koncernit serb të naftës NIS Rusisë do të nënshkruhet nesër (24.12.) në Moskë, në praninë e presidentit rus Dmitri Medvedjev dhe homologut të tij serb, Boris Tadiç, bëjnë të ditur sot gazetat e Beogradit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, monopolisti rus i gazit, Gazprom blen 51% të koncernit serb të naftës NIS me çmimin 400 milionë EURO. Kjo megjithëse vlerësuesi i pavarur Deloitte e vlerësoi në shtator vlerën e koncernit serb në 2,2 miliardë dollarë.


Si shpërblim, Moska, e cila ka qenë aleati më i ngushtë i Serbisë për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, do të ndërtojë një pjesë të tubacionit të gazit të itinerarit South Stream në përfitim të Serbisë si dhe rezervuarin gjigant të nëndheshëm të gazit në Banatski Dvor. Marrëveshja e detyron Gazprom-in që deri në vitin 2012 të investojë 550 milionë Euro te koncerni serb NIS, duke përfituar me këtë një monopol dyvjeçar.


Ekspertë serbë të ekonomisë e kanë shpjeguar këto ditë shitjen e koncernit serb të naftës Rusisë pikërisht me një "gjest politik" të Serbisë ndaj Rusisë, si falënderim për mbështetjen për Kosovën, e cila tashmë është e pavarur, por që ka qenë nën sovranitetin e Serbisë. Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç shprehu në një intervistë me radiostacionin serb B92 pasigurinë e tij, nëse Rusia do t'i përmbahet vërtet premtimit të saj për të ndërtuar infrastrukturën e naftës të itinerarit South Stream në përfitim të Serbisë.


"Ne do të kemi një garanci financiare dhe legale brenda një afati prej dy vjetësh, por për momentin ne kemi një garanci politike", tha Cvetkoviç. Të dyja projektet e Rusisë në Serbi, pra edhe përfshirja e Serbisë si përfituese në South Stream, ashtu edhe ndërtimi i rezervuarit të gazit në Serbi aktualisht garantohen vetëm nga fjalët e udhëheqësve rusë, Vladimir Putin dhe Dmitri Medvedjev. "Është vështirë të besosh se dy burra të tillë shteti thonë diçka, por pastaj thonë "asgjë, po bënim shaka", tha Cvetkoviçi.


Marrëveshja që do të nënshkruhet u iniciua pas muajsh të tërë bisedimesh, të cilat shkaktuan çarje në qeverinë e Serbisë. Një pjesë e vogël e koalicionit qeveritar u tërhoq nga bisedimet, me ankesën se marrëveshja ishte tepër favorizuese për Rusinë.

Aj