1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në pritje të miqve nga Nju Jorku

Bekim Shehu23 Prill 2007

Në prag të vizitës në Kosovë të ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit udhëheqësit e institucioneve të Kosovës theksojnë qëndrimin e tyre. Status-quoja është e paqëndrueshme.

https://p.dw.com/p/ArWI
Prishtina
PrishtinaFotografi: picture-alliance/ dpa

Në Prishtinë, është bërë e njohur axhenda e ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët do të vizitojnë Kosovën më 27 dhe 28 prill. Udhëheqësit politikë kosovarë këtë delegacion të lartë të KS-it, dëshirojnë ta quajnë një mision informues dhe jo faktmbledhës. I tillë u cilësua misioni në KS-it, kur u vendos që delegacioni të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën para së të miratojnë një rezolutë të re për Kosovën.

Delegacioni i KS-it, fillimisht do të qëndrojë në Bruksel, më datën 25 prill, për të vazhduar më pas qëndrimin një ditë në Beograd dhe dy ditë të tjera nëpër Kosovë dhe për të përfunduar vizitën në Vjenë në një darkë pune me të ngarkuarin e OKB-së, për statusin, Marti Ahtisari. Në prag të kësaj vizite të shumëpërfolur në mediat e kosovare, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thonë se, vizita e ambasadorëve të KS-it do të jetë një mundësi e mirë që ata të binden se status-quoja në Kosovë nuk mund të vazhdojë më.

Ambasadorët e KS-it, gjatë qëndrimit dy ditor në Kosovë, do të zhvillojnë biseda me anëtarët e grupit negociator dhe autoritetet ndërkombëtare. Është paraparë që të vizitojnë edhe pjesën jugore të Mitrovicës, përkatësisht një lagje rome, do të qëndrojnë poashtu në komunën e Novobërdës e banuar më shumicë serbe si dhe në një vizitë në manastirin e Deçanit. Kryesia e kuvendit të Kosovës, nga ana e saj, ka caktuar për ditën e premte një seancë plenare duke u lënë hapësirë për pjesëmarrje ambasadorëve të KS-it, mirëpo, pjesëmarrja e tyre në këtë seancë nuk është e konfirmuar.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, nga ana e tyre kanë kërkuar që ambasadorët e KS-it- të vizitojnë edhe disa vendbanime serbe që për përfaqësuesit serb do të ishte një pasqyrë e qartë së në çfarë kushtesh jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Sipas politikës kosovare, ambasadorët e KS-it mund të vizitojnë cilëndo pjesë të Kosovës. Ata shprehen se delegacioni i KS-it, do të bindet se në Kosovë ka përparime në të gjitha fushat dhe Kosova sipas tyre është e përgatitur të funksinojë si shtet.