1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Uashington dolën në pah mosmarrëveshjet brenda Grupit të Kontaktit

Deutsche Welle3 Nëntor 2005

Nga burime jozyrtare mësohet se në mbledhjen jozyrtare të Grupit të Kontaktit në Uashington, ka patur mosmarrëveshje për kompetencat që do të ketë i ngarkuari i OKB-së, Marti Ahtisari dhe përbërjen e ekipit negociator

https://p.dw.com/p/Aqsi
Kryeqyteti amerikan
Kryeqyteti amerikanFotografi: IMF

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit të Kontaktit për Kosovën, që u mbajt mbrëmë vonë në Uashington nuk është arritur konsens për modalitetin e procesit të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Nikoqir i takimit, në të cilin merrte pjesë edhe i ngarkuari special të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari ishte zv. sekretari amerikan i shtetit Nikolas Burns. Sipas zyrtarëve të administratës amerikane në takim pati diferenca mendimesh lidhur me përpjekjet për arritjen e zgjidhjes politike. SHBA-të kërkojnë që përfaqësuesi i saj, Nikolas Burns dhe përfaqësuesit e tjerë të kenë status të barabartë në bisedime. Ndersa Marti Ahtisari, ish presidenti i Finlandes, kërkon që të udhëheqë bisedimet për statusin, duke qenë i pari mes të barabartëve.

Mbledhja u mbajt në nivelin e drejtorëve politikë të ministrive të jashtme të shteteve të grupit të Kontaktit respektivisht SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë. Kryenegociatorët e këtyre shteteve nuk janë caktuar ende. Ahtisari ka kërkuar të zgjedhë si zëvendës të tijin, sekretarin e përgjithshem në ministrinë e jashtme austriake, Albert Rohan, ndërsa përfaqësuesit e BE, SHBA, Rusisë, dhe siç duket edhe të Natos do të jenë në nivelin e "oficerit ndërlidhës".
BE-ja mund të caktojë në këtë detyrë bashkëpunëtorin e përfaqësuesit të lartë të BE Javier Solana, Stefan Lehne. Bashkimi Evropian është shumë i interesuar që të angazhohet fort në bisedime, sepse pas zgjidhjes së çështjes së statusit, BE do të ketë rolin kryesor në vendosjen e standarteve evropiane demokratike, politike dhe ekonomike në Kosovë, dhe do të jetë më shumë e angazhuar në zhvillimet në Kosovë, duke përshirë sektorin e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit.

Ndërsa kur shtrohet çështja edhe e mundësisë së emërimit të përfaqësuesit të Natos, përmendet emri i diplomatit amerikan, Xhejms Perdju, i cili ka patur rol kyç në qetësimin e konfliktit etnik në Maqedoni në korrik 2001, si i dërguar special i SHBA.