1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO Gipfel Ergebnisse

6 Prill 2009

Të qenit tërheqës nuk do të thotë automatikisht të jesh edhe i rëndësishëm. Kjo vlen edhe për NATO-n, e cila festoi 60 vjetorin e saj. Aleanca Transatlantike duhet të shkelë shtigje të reja.

https://p.dw.com/p/HQg4
Samiti i NATO-s në Baden-BadenFotografi: AP

NATO-ja i mbushi 60 vjetët. Tek njerëzit kjo është një moshë, kur normalisht përgatiten për pensionin, por deri tani NATO-ja nuk mendon të pushojë, përkundrazi. Përsëri u anëtarësuan dy vende të reja, të tjera do të donin të bënin të njëjtën gjë, por nuk munden ende. Dhe Franca u kthye në strukturën ushtarake pas një mungese 40 vjeçare.

Të gjitha këto flasin për atë se NATO-ja mbetet tërheqëse në vazhdimësi. Megjithatë kjo nuk flet aspak për rëndësinë e saj sot. Kërcënimi prej Paktit të Varshavës nuk ekziston më, por në strukturën e saj bazë NATO-ja edhe sot vazhdon të pasqyrojë shumë nga kohët e vjetra.

Për njëfarë kohe u duk sikur po rikthehej kërcënimi nga Lindja nëpërmjet një Rusie të vetëdijshme, por kjo mbulonte faktin që vendet e NATO-s dhe Rusia kanë shumë interesa të përbashkëta. Presidenti Obama nxorri konsekuenca prej kësaj dhe ka ndër mend t'i afrohet Rusisë. Për këtë arsye erdhi edhe thirrja e tij për çarmatim bërthamor.

Pra kur imazhi i armikut i përket së kaluarës, cili është atëherë kuptimi i NATO-s në të ardhmen? Amerikanët duan ta zgjerojnë aleancën në një shërbim sigurie me fushë veprimi shumë më të gjerë për sa u takon detyrave dhe përbërjes. Mbrojtje nga katastrofat, luftë kundër piratëve, sigurim gazsjellësash, masa paqeruajtëse, misione luftimi, herë bashkë me Japoninë, herë me Indinë, herë me Australinë, ndoshta madje me Kinën.

Për këtë kancelarja gjermane Merkel tha shkurt dhe qartë para samitit: "Nuk shoh NATO globale." Ajo kërkon që të ruhet detyra thelbësore e mbrojtjes territoriale. Por këtu nuk ka kurrfarë kundërthëniejeje. Askush nuk do ta heqë vetëmbrojtjen kolektive.

Nga ana tjetër edhe vetë Merkel-i thotë se për momentin Afganistani është prova më e madhe e NATO-s. Por kur vetëm misioni i Afganistanit kërkon pothuajse 100.000 ushtarë të NATO-s, si mund të veprohet edhe në pjesë të tjera të botës, të cilat janë gjithashtu të përfshira nga flakët, pa e mbingarkuar tërësisht NATO-n e tanishme?

Rehatia e vjetër e një klubi të vogël, ekskluziv as që ekziston më. Që sot NATO-ja është johomogjene dhe asaj i duhet të luftojë me konflikte të brendshme dhe kultura të ndryshme. Por sidoqoftë, ripërcaktimi i qartë i detyrave mund të disiplinojë dhe të bashkojë edhe një aleancë të zgjeruar. Në fund të fundit NATO-ja nuk ka mundësi zgjedhjeje. Nëse do që të ketë rëndësi edhe në të ardhmen, ajo duhet të jetë e hapur për detyra dhe konfigurime të reja.

Autor: Christoph Hasselbach/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica