1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nëpër Europë - Romët surprizojnë me pjesë teatrale

Robert Schwartz
30 Tetor 2016

Një projekt inovativ për teatrin rrëfen historinë e romëve në përpjekjet për një jetë më të mirë dhe të sigurtë. Ansambli multikulturor ka mbledhur për teatrin histori reale nga Ballkani.

https://p.dw.com/p/2RsCJ
Deutschland Berlin Theaterstück The Journey/Drom - Mihaela Dragan und Branislav Mitrovic
The Journey - Mihaela Dragan und Branislav MitrovicFotografi: N. Nino Pušija

Me sa duket klishetë ekzistojnë për t'u përdorur që pastaj të shpërbëhen. Ky do të ishte, thënë përmbledhtazi, mesazhi më i rëndësishëm i projektit teatral "The Journey/Drom", premiera të cilit u dha së fundmi në Berlin. Por ansambli multikulturor nga Rumania, Hungaria, Kosova, Serbia si edhe nga Gjermania është përpjekur për më shumë, se sa të zbërthejë paragjykimet. Aktorët romë dhe jo romë donin të krijonin një vetëdije tjetër për problematikën komplekse të refugjatëve, me të cilën përballet Europa. Nën cilat kushte janë larguar romët nga Serbia? Me çfarë vështirësish janë ndeshur gjatë udhëtimit? Cilat ishin ëndrrat e tyre? Çfarë ka ndodhur me këto ëndrra? Ka refugjatë „të mirë" dhe „të këqinj"?

Përgatitja

Deutschland Berlin Theaterstück The Journey/Drom
Fotografi: N. Nino Pušija

Për romët nga Ballkani, itinerari nga Novi Sad, në Budapest deri në Berlin është rruga e vetme për të kërkuar azil në Gjermani. Shumë vetë i hyjnë kësaj rruge 1000 kilometra në kamionë të tejmbushur për të ardhur në një vend të huaj, duke lënë pas vendlindjen. Në disa qëndrime të artistëve në qytete të ndryshme u mblodhën histori reale të romëve. Këto ishin baza e pjesës për skenë dhe një fotonovele. Grupi përgatitor fokusohet tek identiteti dhe kultura rome. Brina Stinehelfer, një nga iniciatoret e projektit shpjegon për Deutsche Wellen gjendjen e romëve të ekspozuar ndaj paragjykimeve dhe racizmit kudo në Europë.” Bëhet fjalë për fate të ndryshme, nga rajone të ndryshme. Situata e tyre ka ndryshuar shumë, pasi Gjermania i shpalli vendet e Ballkanit si vende të sigurta origjine. Për shumë vetë u bë e pamundur jetesa në Gjermani.” Ajo rrëfen për romë që kanë lindur në Gjermani dhe pas 20 vitesh qëndrimi u kthyen në një "vendlindje”, të panjohur për shumë prej tyre.

Theaterstück "The Journey / Drom
Fotografi: Nihad Nino Pušija

Me këtë projekt ky ansambël multikulturor përpiqet të zgjojë më shumë vëmendjen dhe të rrisë përfaqësimin për pakicën më të madhe në Europë, romët. "Fakti që në jemi gjithë kohës në lëvizje, nuk është një gjë e vetëzgjedhur. Sot dihet që ne jemi të detyruar për këtë”, thotë Hamz Bytyçi në bisedë me Deutsche Wellen, një artist nga Kosova që jeton prej vitesh në Berlin dhe angazhohet për të drejtat e romëve.

Rezultatet e grupit artistik multikulturor u vunë në skenë në një pjesë satirike, një lojë brenda lojës, ku aktorët marrin edhe një rol tjetër. Ata duan publikut në sallë, t'i rrëfejnë për një film dokumentar. Të gjitha pritshmëritë për romët zbërthehen një pas një në një pjesë të tillë teatrale – me humor të zi, një frymë kaosi dhe momenteve prekëse, që të bëjnë të kuptosh se ç'do të thotë të jesh rom sot në Europë.

 

Projekti „ The Journey/Drom" u inicua dhe u vu në skenë nga Per Aspera (Berlin) në bashkëpunim me  RomaTrial (Berlin), Kulturanova (Novi Sad) dhe Pro Progressione (Budapest). Premiera të tjera priten në Serbi, Hungari dhe Rumani.