1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Nëse bashkohemi mund të mbrojmë interesat tona" - Ashton para Parlamentit Evropian

11 Mars 2010

Parlamenti Evropian debatoi të mërkurën (10.3.) për politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. E ngarkuara e re e BE-së për politikën e jashtme Catherine Ashton skicoi konturet e punës së saj të ardhshme.

https://p.dw.com/p/MPCz
Catherine Ashton gjatë fjalës para Parlamentit Evropian, Strasburg, 10.3.2010.
Catherine Ashton gjatë fjalës para Parlamentit Evropian, Strasburg, 10.3.2010.Fotografi: AP

Influenca relative e Evropës në botë gjatë dekadave të kaluara është reduktuar vazhdimisht, paralajmëroi Catherine Ashton para Parlamentit Evropian. Në aspektin ekonomik Kina, India dhe fuqi të tjera po avancojnë aq shpejt sa Evropa nuk ka asnjë alternativë tjetër veç veprimit bashkarisht në politikën e jashtme.

Ashton: Na duhet politikë e përbashkët e jashtme evropiane për të mbrojtur interesat tona.

"Pesha ekonomike kalon në influencë dhe vetëbesim politik. Këtë ne ndiejmë kudo, në negociatat për klimën, në konfliktin rreth programit bërthamor të Iranit dhe në bizneset e mëdha energjetike në Afrikë dhe Azinë Qendrore. Nëse bashkohemi do të mbrojmë interesat tona, nëse jo të tjerët do të vendosin për ne."

Ashton sheh në funksionin e saj si përfaqësuese e politikës së jashtme dhe në shërbimin diplomatik evropian që pritet të ngrihet, mjetet për përfaqësimin efikas të interesave të Evropës në botë. Për këtë ajo vë theksin në bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në, NATO-n dhe Kombet e Bashkuara. Evropa mund të ofrojë metodën e vet gjithëpërfshirëse në politikën e jashtme, e cila është e kërkuar në botë, tha Ashton. Tani duhet që Evropa të plotësojë edhe kërkesën mbarëbotërore për angazhim evropian.

Europarlamentari austriak Andreas Mölzer.
Europarlamentari austriak Andreas Mölzer.Fotografi: picture-alliance/dpa

A është Ashton personi i duhur për postin e ministres së jashtme të BE-së?

Shumë europarlamentarë mbeten skeptikë ndaj Ashtonit si personi i duhur në një nga postet më të rëndësishme që ka Evropa. Një nga kritikët është austriaku Andreas Mölzer. "Ndoshta kjo është pasojë e zgjedhjes së bërë: zonja Ashton si përfaqësuese e politikës së jashtme nuk ka përvojë të vërtetë në politikën e jashtme dhe ky post u zu nga një person që përfaqëson emëruesin më të vogël të konsensusit nga vendet anëtare. Ka ardhur koha që ministrja e re e jashtme e BE-së të veprojë me më shumë ndjeshmëri, ndër të tjera për shembull duke vënë në përdorim në shërbimin diplomatik evropian të tri gjuhët zyrtare të Unionit, pra edhe atë gjermane", thotë Mölzer.

Edhe ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle ngul këmbë për përdorimin e gjuhës gjermane. Ndaj akuzës Ashton reagoi me një ofensivë të veçantë plot sharm: "Unë kam mësuar edhe gjermanisht në shkollë për dy vjet, por tani e kam harruar. Unë po punoj me gjuhën dhe po përmirësohem dhe do të gëzohem kur të jem në gjendje të zhvilloj me ju një bisedë të mirëfilltë me një gjermanishte shumë më të mirë se sot."

Funksioni i dyfishtë i Ashtonit rrezikon kthehet në një "mision të pamundur"

Por shërbimi diplomatik evropian nuk është i kontestuar vetëm nga pikëpamja gjuhësore. Vendet anëtare, Komisioni dhe Parlamenti prej muajsh grinden hidhur nëse shërbimi diplomatik duhet të jetë i shkëputur nga shtetet e veçanta apo jo.

Europarlamentari kristiandemokrat, Elmar Brok.
Europarlamentari kristiandemokrat, Elmar Brok.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Europarlamentari kristiandemokrat Elmar Brok druhet se qeveritë me ndihmën e shërbimit diplomatik kërkojnë të rinacionalizojnë arritjet e përbashkëta evropiane: "Duhet mbajtur parasysh edhe se në historinë e Unionit ai ka qenë i suksesshëm atje ku është aplikuar metoda e bashkësisë dhe nuk ka qenë kurrë ose shumë rrallë i suksesshëm atje ku është ndjekur praktika e marrëveshjeve ndërqeveritare. Ajo çka është politikë e bashkësisë nuk duhet që ngadalë nëpërmjet shërbimit diplomatik të kthehet në politikë ndërqeveritare."

Problemi për Ashton është që ajo përfaqëson si shtetet e veçanta anëtare ashtu edhe Komisionin dhe duhet kështu të harmonizojë në kuadër të shërbimit diplomatik dy interesa të kundërta. Në zhargonin evropian thuhet se Ashton mban kapele të dyfishtë. Pyetja është nëse kapelja ka edhe madhësinë e duhur.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti