1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nagy: “BE do të shprehë qëndrimin e tij ndaj ligjit të ri të lustracionit pas bisedimeve, që do të zhvillojë së shpejti me qeverinë e Tiranës.

Ani Ruci30 Janar 2009

Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit për zgjerimin e BE Olli Rehn, prononcohet për ligjin e lustracionit në Shqipëri

https://p.dw.com/p/Gk9p
Fotografi: DW / Aida Cama

Kristina Nogj, (Kristina Nagy) zëdhënëse e Olli Rehn, komisionerit për zgjerimin e BE, në një deklaratë ekskluzive për DW tha dje në Bruksel se: “BE do të shprehë qëndrimin e tij ndaj ligjit të ri të lustracionit pas bisedimeve, që do të zhvillojë së shpejti me qeverinë e Tiranës. BE është i prirur t'i shohë këto bisedime në një dritë pozitive. Pa ditur rezultatin e këtyre bisedimeve nuk mund të flitet nëse shqetësimet e BE për ligjin e lustracionit do të ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.”
Në raportin e Komisionit Europian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, të titulluar ” 2009- viti i Ballkanit Perëndimor ” nuk përjashtohet përshpejtimi i ritmeve të afrimit të tyre drejt BE, nëse plotësohen disa kushte të cilësuara në këtë raport “të domosdoshme”. Në krye të tyre qëndron plotësimi i kriterit politik për integrimin në BE, ku një pikë themelore është funksionimi i dialogut politik në gjithë spektrin politik

Për BE ligji i ri i lustracionit, i sapohyrë në fuqi, përbën një argument të freskët për moszbatimin e këtij kriteri. Ligji në fjalë është miratuar vetëm me votën e maxhorancës së djathtë dhe palët dështuan të ndërtonin një konsensus të gjerë politik për këtë ligj, të kërkuar nga BE dhe faktori ndërkombëtar. Opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar ligjin e lustracionit dhe refuzon prerë të ketë përfaqësuesit e saj në komisionin, që po ngrihet në Tiranë për pastërtinë e figurave duke rrezikuar, që ai të përbëhet vetëm nga përfaqësues të maxhorancës. Në një situatë te tillë Kristina Nogj, zëdhënësja e komisionerit për zgjerim, Olli Rehn, i deklaroi DW se “funksionimi i dialogut politik është i një rëndësie të dorës së parë për BE”. Vetëm pak muaj më parë në raportin e progresit për Shqipërinë për 2008-ën, Komisioni Europian i tërhiqte vëmendjen spektrit politik të Tiranës për domosdoshmërinë e konsolidimit të kulturës së dialogut, “për të lejuar sistemin politik të funksionojë në mënyrë efikase”.

Në bisedimet e pritshme mes BE dhe qeverisë së Tiranës për ligjin e lustracionit një nga çështjet, që do të bëhet objekt diskutimesh është edhe ajo e cënimit, që ky ligj i bën pavarësisë së sistemit gjyqësor nga politika. “Për BE është shumë i rëndësishëm një gjyqësor i pavarur politikisht”, tha Kristina Nogj.

Deklarata e saj vjen pas dorëheqjes së nje prokurori në Tiranë, që deri dje drejtonte grupin hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Opozita nö Tiranö konsideron se Zamir Shtylla dha doröheqjen si pasojö e presionit politik, qe bën ligji i ri i lustracionit mbi prokurorë, që po hetojnë çështje të rëndësishme, ku akuzohen për korrupsion zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale. Sepse ky ligj përfshin në procesin e pastrimit të figurave edhe ata prokurorë dhe gjykatës profesionistë, që kanë punuar në organet e drejtësisë edhe gjatë regjimit të kaluar, siç është rasti i prokurorit të dorëhequr të dosjes së Gërdecit, Zamir Shtylla.

Mesazhi i BE përmes zëdhëneses Kristina Nogj është i qartë: Qeveria e Tiranës duhet të reflektojë shqetësimet e BE për të plotësuar ato, që ky Bashkim i konsideron “kushte të domosdoshme“ për progres drejt anëtarësimit.

Reflektimi sugjerohet, kur qeveria e Tiranës kërkon të bëjë një hop domethënës: të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat me BE.