1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Navalni nga Charité: "Mund të marr frymë vetë"

15 Shtator 2020

Sipas spitalit Charité të Berlinit, shëndeti i kritikut të Kremlinit Navalny është përmirësuar. Navalni tani u shpreh vetë - me një foto në Instagram.

https://p.dw.com/p/3iVLM
Deutschland Berlin | Selfie am Krankenbett | Alexej Nawalny
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Nawalny

Kritiku i Kremlinit Aleksej Navalni foli për herë të parë pasi e helmuan. 44-vjeçari postoi një foto në Instagram.

"Përshëndetje, jam Navalni. Më mungoni të gjithë", thotë mbishkrimi. "Unë ende thuajse nuk mund të bëj asgjë, por dje isha në gjendje të merrja frymë vetë gjatë gjithë ditës". Në foto ju mund të shihni Navalnin të ulur pranë së shoqes në një shtrat spitali në Berlin Charité.

Aktivistin rus të opozitës e shtruan në spital më 22 gusht, pasi pati rënë pa ndjenja dy ditë më parë në një fluturim të brendshëm në Siberi.

Edhe para postimit të Navalnit në Instagram, Charité njoftoi se gjendja e tij kishte vazhduar të përmirësohej. Sipas kësaj, ai qe në gjendje të "shkëputet plotësisht nga frymëmarrja artificiale" dhe të largohet përkohësisht nga shtrati i tij.

Noviçoku konfirmohet nga laboratorët

Sipas qeverisë federale, opozitarin e helmuan me një lëndë kimike luftarake nervore nga i ashtuquajturi grup Noviçok dhe laboratorë në Francë dhe Suedi i konfirmuan përfundimet.

Kancelarja Angela Merkel (CDU) foli për një "përpjekje për ta vrarë me helmim" dhe kërkoi sqarime nga pala ruse. Që atëherë, tensionet midis Berlinit dhe Moskës janë rritur në mënyrë masive. Qeveria ruse mohon të gjitha fajet për helmimin e kundërshtarit të Presidentit Vladimir Putin.

Rusia thekson gatishmërinë e saj për të ndihmuar

Ndërkohë, Rusia përsëriti gatishmërinë e saj për të hetuar sulmin me helm ndaj politikanit të opozitës. Një zëdhënës i zyrës presidenciale në Moskë tha se të gjithë do të ishin të lumtur po të shërohet Navalni. Pastaj ai mund të kthehet në Rusi. Sidoqoftë, qeveria ruse ende nuk e kupton pse nuk i lejojnë qasje në kampionet e provave nga Navalni.