1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërkombëtarët Kosovës: Gjykata Speciale e pashmangshme

Bekim Shehu21 Korrik 2015

Udhëheqësit e institucioneve qendrore të Kosovës kanë marrë edhe një mesazh të qartë nga faktori ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

https://p.dw.com/p/1G2MD
Kosovo Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images

Sërish presion ndërkombëtar mbi parlamentin e Kosovës që ta themelojë vet Gjykatën Speciale për krime lufte. Kësaj radhe mesazhi shumë i qartë erdhi nga ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuesja Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, Baronesha Joyce Anelay, gjatë një vizitë që ajo zhvilloi në Prishtinë më ( 21 07 ).

Parlamenti i Kosovës më ( 26.06 ) dështoi ta themelojë Gjykatën Speciale për faktin që ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës nuk morën dy të tretat e votave të nevojshme të deputetëve.

“Mesazhi im është i qartë. Kosova ka dhënë një mesazh të qartë si shtet që dëshiron të jetë aktiv në arenën ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar pret ta sheh që Kosova është duke e mbajtur fjalën. Përmbushja e këtij zotimi, do të dëshmonte para botës se Kosova dëshiron të jetë pjesë e proceseve integruese dhe të pranohet në organizatat ndërkombëtare si shtet fuqiplotë. Pra, Kosova duhet ta mbajë fjalën dhe ta krijojë Gjykatën Speciale”, u shpreh Baronesha Joyce Anelay, pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja, Atifete Jahjaga, nga ana e saj, thotë se çdo shtyrje për themelimin e gjykatës speciale nuk do t'i kontribuojë proceseve zhvillimore të shtetit.

“Qëndrimi im ka qenë i qartë që nga fillimi që ne e kemi marrë një obligim ndërkombëtar që duhet ta përmbushim. Duhet njëherë e përgjithmonë ta përmbyllim këtë kapitull sado që duket i rëndë për shoqërinë tonë”, tha presidentja Atifete Jahjaga.

Një mesazh të qartë se Kosova duhet vet ta themelojë gjykatën speciale e dha edhe Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe Shqipëri, Jan Braathu.

“Gjykata Speciale është një realitet i pashmangshëm për Kosovën. Tani themelimi i saj po vonohet nga parlamenti i Kosovës, i cili nuk miratoi amendamentin kushtetues. Kjo ishte për të ardhur keq, sepse e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Kosovës. Duhet të kuptohet se Gjykata Speciale nuk është kundër kosovarëve ose kundër përpjekjeve për pavarësi të Kosovës. Nuk është kundër UÇK-së si një organizatë. Ajo do të trajtojë aludimet për krime, të bëra nga individët. Kështu duhet ta shohim këtë gjë”, citojnë mediat lokale në Prishtinë ambasadorin norvegjez.

Edhe një javë më parë në Prishtinë ishte Zëvendëssekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, e cila u bëri të qartë autoriteteve kosovare se duhet ta themelojnë Gjyaktën Speciale, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara.

Analistët politikë nga ana e tyre thonë se Kosova vetëm sa po vonohet në themelimin e Gjykatës Speciale, sepse themelimi i saj do të ndodhë. Blerim Burjani, njohës i ҫështjeve politike dhe juridike i tha Deutsche Welles se diplomatët perendimorë tashmë u kanë bërë të qarë autoriteteve kosovare domosdoshmërinë për themelimin e Gjykatës Speciale. "Nuland javën që shkoi u bëri të qartë krerëve shtetëror se duhet të themelohet Gjykata Speciale dhe le të hapur opsione të jera po qe se kjo nuk do të ndodhë në javën e ardhshme, merre e zgjidhe, kjo është e njohur si diplomaci e kryer, tash partitë politike mund të zgjedhin më lehtë a më vështirë”, thotë Blerim Burjani.

Partitë politike në opozitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Lëvizja Vetëvendosje VV dhe Nisma për Kosovën vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale duke thënë se ajo cënon rendin kushtetues të Kosovës. Janë edhe disa deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, në pushtet të udhëhequr nga Hashim Thaҫi, që kanë votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Thaҫi të merkurën më (22 07 ) sipas mediave lokale do t'i mbledhë deputetët e partisë së tij për të diskutuar rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Sidoqoftë tash për tash akoma nuk është e qartë se kur dhe si cështja e votimit të Gjykatës Speciale mund të riprocedohet në kuvend. Thuhet se kjo do të ndodhë para se deputetët e kuvendit të Kosovës të shkojnë me pushime verore.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.