1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalohen me ligj torturat nga shtetasit amerikanë

Daniel Sheshkevic15 Dhjetor 2005

Pas senatit amerikan, natën duke gdhirë dita e enjte edhe Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro iniciativës së senatorit republikan John Mc Cain, sipas së cilës, trajtimi "mizor, johuman dhe poshtërues" i të burgosurve do të ndalohet edhe në luftë kundër terrorizmit të përbotshëm.

https://p.dw.com/p/Aqrt
Irakian i torturuar
Irakian i torturuarFotografi: dpa

Pasi senati e miratoi dy muaj më parë me shumicë të madhe votash iniciativën ligjore, Dhoma e Përfaqësuesve veproi menjëherë. 308 deputetë votuan për shtesën detyruese në buxhetin e mbrojtjes, vetëm 122 ishin kundër. Me këtë, ndalimi i torturave mund të fitojë shpejt fuqi ligjore. William Taft, këshilltar juridik i ish-ministrit të jashtëm Colin Powell:

"Përcaktimi i standarteve të detyrueshme për marrjet në pyetje të të burgosurve është një detyrë e parlamentit, sepse qeveria këtu ka nevojë të qartë për konsultime."

Në Shtëpinë e Bardhë janë mbrojtur për një kohë të gjatë kundër këtyre rregullave dhe qe kërkuar që të bëhej të paktën përjashtim për shërbimin e fshehtë CIA, i cili kryen shumicën e marrjeve në pyetje në kampet e të burgosurve në Afganistan si dhe në Guantanamo. Ndërkohë, me sa duket kanë hequr dorë nga rezistenca. Zëdhënësi i qeverisë, Scot McLellan:

"Çështja që shtrohet është si të veprojmë me terroristët, të cilët kapen në fushën e betejës. Me senatorin McCain ne zhvillojmë për këtë dialog të vazhdueshëm dhe jemi të interesuar për një zgjidhje të mirë."

Me votimin në të dyja dhomat e kongresit amerikan qeveria Bush pësoi një disfatë të rëndë. Akoma më shumë. Deputetët e kongresit kërkojnë që forcat e sigurisë të trajnuara nga ushtarakët amerikanë t'u përmbahen standarteve të reja, në një kohë që vetëm pak kohë më parë u zbuluan tortura në burgjet shtetërore irakiane. Kryetari i komisionit të mbrojtjes në Dhomën e Përfaqësuesve, Duncan Hunter është i mendimit:

"Në ligj ne duam të fiksojmë edhe që instruktorët tanë në ushtrinë amerikane, të cilët shkollojnë aktualisht oficerë irakianë, të këmbëngulin në respektimin e këtyre standarteve, në mënyrë që të burgosurit në burgjet irakiane të mund të trajtohen në mënyrë humane."

Ndalimi ligjor i përdorimit të dhunës do të ishte i detyrueshëm për të gjithë shtetasit amerikanë në të gjithë botën. John McCain të paktën nuk duket të jetë i gatshëm për kompromise. Veterani i Vietnamit, të cilin vetë e kanë torturuar kur e kapën rob, ka në dorë një mjet të fuqishëm presioni. Nëse presidenti Bush do të paraqesë veton kundër direktivave të reja, atëherë parlamenti mund të bllokojë buxhetin e mbrojtjes. Dhe me këtë do t'u vihej parimisht pikëpyetje misioneve në Afganistan dhe në Irak.