1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshim i simpative - Opinioni gjerman dhe lufta në Lindjen e Mesme

Peter Shtycle4 Gusht 2006

Ndërhyrja ushtarake e Izraelit ka çuar dukshëm në solidarizimin e popullsisë libaneze me Hisbollahun. Kjo rezulton si nga anketimet ashtu edhe nga informacionet e korrespondentëve. Por edhe në opinion perëndimor po ndryshojnë simpatitë

https://p.dw.com/p/Aqzu
Fytyra e re e luftës- Ushtarë izraelitë gjatë ushtrimeve
Fytyra e re e luftës- Ushtarë izraelitë gjatë ushtrimeveFotografi: AP

Në pozicionimin e parë pas sulmit izraelit në Liban, kancelarja Angela Merkel preku nervin e popullit gjerman duke deklaruar: Izraeli duhet të ketë kujdes, që të mos destabilizohet Libani. Por një javë më vonë populli dhe kancelarja u larguan disi.

Një e katërta e qytetarëve në një pyetësor prestigjoz e konsiderojnë të papërshtatshme ofensivën ushtarake izraelite. Vetëm 12% e miratojnë atë, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë është e pavendosur. Kancelarja ndonëse i tërhoqi vëmendjen Izraelit, që të ruajë raportin e mjeteve, kërkoi që filimisht Hisbollahu të lirojë ushtarët izraelitë dhe të ndërpresë sulmet ndaj Izraelit, vetëm pas kësaj Izraeli duhet të ndalë ofensivën. Ajo që ishte e qartë, se një organizatë terroriste si Hisbollahu do ta injoronte një kërkesë, të tillë legjitimoi luftën e palës izraelite.

Në opinionin gjerman mbizotëron në përgjithësi konsensusi, se sulmet me rekata ndaj Izraelit janë të papranueshme. Luftëtarët Hisbollah dhe përkrahësit e tyre iranianë, që duan ta fshijnë Izraelin nga harta, refuzohen kategorikisht prej opinionit gjerman. Akuza që dëgjohet ndonjëherë sikur gjermanët shohin vetëm vuajtjet e popullsisë civile libaneze dhe jo atë iuzraelite, s´kanë bazë. Prej vitesh çdo viktimë e terrorit në Izrael gjen jehonë të gjerë në mediet gjermane, një hapësirë kjo shumë më e madhe se sa u kushtohet mijëra viktimave të luftrave afrikane. Edhe tani lajmet tregojnë vujtjet nga të dyja palët.

Por nga ana tjetër gjermanët i vendosin shtetit të Izraelit parametra më të lartë moralë se sa organizatave terroriste. Kjo është e drejtë, se tregon më shumë një shenjë të vlerësimit. Ndërsa Izraeli luftoi për mbijetesë në luftën gjashtë ditore në vitin 1967, në Gjermani kjo u mbështet nga një valë simpatie. Nëse sulmeve terroriste kundër civilëve u jepet përgjigje me kundërsulme, që shkaktojnë viktima të dhjetëfishta, për këtë mungon mirëkuptimi.

Gjermanët që interesohen për politikën e kanë të qartë, se Libani ishte gati të shkëputej prej varësisë nga Siria, për këtë madje ka meritë edhe kryeprokurori gjerman Detlev Mehlsi që nën mandatin e OKB-së ka kryer hetimet për rastin e vrasjes së ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri në shkurt të vitit 2005.
Lufta aktuale në kufirin verior të Izraelit që mund të shuajë perspektivën për demokracinë në Liban si dhe për paqen në Lindjen e Mesme i ka indinjuar shumë.

Por edhe ata që nuk i shohin gjërat kaq të diferencuara, të paktën e ndjejnë, se Izraeli ndaj porvokimeve të terroristëve reagon si duhet nga njëra anë, por i asgjëson të gjitha shanset për paqen.

Refuzimi në rritje nga opinioni gjerman i politikës izraelite manifestohet në kundërshtimin e pjesëmarrjes gjermane në një trupë paqeje për Lindjen e Mesme. Gati dy të tretat e të pyeturve janë kundër. Në rrethana të tilla qeveria do ta ketë të vështirë të dërgojë ushtarë nëse do të krijohet trupa ndërkombëtare e paqes.


Askush s´duhet të befasohet, nëse qeveria do ta humbasë durimin kundrejt Izraelit. Edhe në politikën e jashtme ajo s´mund ta lerë jashtë vëmendjes atmosferën në vend.