1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshimet në Paktin e Stabilitetit, reformimi i OKB-së, kursi evropian i Turqisë –

Anila Shuka22 Mars 2005

Shtypi gjerman i datës 22 Mars 2005

https://p.dw.com/p/ArwE
Ministri francez i financave Thierry Breton, majtas me homologun gjerman, Hans Eichel, ne takimin e ministrave te financave ne Bruksel.
Ministri francez i financave Thierry Breton, majtas me homologun gjerman, Hans Eichel, ne takimin e ministrave te financave ne Bruksel.Fotografi: AP

Gazeta e Berlinit "Tagesspiegel" shkruan:

"Kombet e Bashkuara duhet të reformohen. Për këtë ka konsens. Kofi Anan e ka shfrytëzuar tërë hapësirën e veprimit që ka patur në dispozicion. Propozimet e bëra prej tij, qoftë reforma e Komisionit Të të Drejtav Të Njeriut, qoftë konventa kundër terrorit, mbrojtja nga armët e asgjësimit në masë, apo apeli drejtuar shteteve të pasura, që t'a dorëzojnë më në fund 0,7 përqind/shin e premtuar nga të ardhurat e vendeve në dobi të ndihmës zhvillimore, janë të gjitha të drejta dhe të dobishme."

Gazeta "Die Welt" analizon reformën e paktit të stabiliteti:

'Tre vjet me radhë dhanë e morrën evropianët, se si mund të reformohet Pakti i Stablitetit dhe Rritjes. E çfarë doli si përfundim? Një kompendium frazash pa obligim, madje më keq: Kompromisi i çmuar nga kancelari Gerhard Shrëder "rezultat i mirë" është, blamim për Evropën", shkruan autori. "Para së gjithash Gjermania dhe Franca kanë shfrytëzuar pa pikë turpi peshën e tyre në bashkësinë monetare për ta shtrëmbëruar edhe më tej rregulloren," – krtikon më tej gazeta. "Për Evropën kjo është një ditë e kobshme. Politikanët që mbajnë përgjegjësi për këtë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jenë më në postet e tyre: Ata nuk do t'u shpjegojnë dot më shtetasve të tyre se përse e kthyen bashkësinë monetare në një bashkësi të borxheve dhe të monedhës së dobët."

E përditshmja nga Mynihu, "Sueddeutsche Zeitung" kritikon:

"Politikanë italianë dhe grekë do të duhej të gëzoheshin. Në të ardhmen ata nuk do të kenë më nevojë të manipulojnë shifra, por do të kenë të drejtë zyrtarisht ta shtrijnë këmbën përtej jorganit. Ekonomive të paqendrueshme të Evropës Lindore u thuhet kështu, që nuk kanë përse të kursejnë tejmase, kur të kenë hyrë në zonën e Euros. Do të ishte mrekulli, sikur këto zhvillime të mos e dëmtonin monedhën evropiane, e së bashku me të edhe punëmarrësit dhe kursimtarët gjermanë. Gjermania ka pasur në Evropë një funksion udhëheqës. Bashkimi Evropian e mori nga ajo idenë e kontrollit të konkurrencës, në njësimin monetar ai ndoqi kërkesat që shtroi Boni për paktin e stabilitetit. Eurofilia e Helmut Kolit nuk ishte qëllim politik në vetvete. Ekonomia gjermane ka përfituar vazhdimisht nga integrimi. Shrëderit i mungon çdo lloj vizioni. Ai sulmon Brukselin, sa herë që shpreson që prej kësaj të ketë çtensionime në politikën e brendshme. Partnerët evropianë nuk e dinë se cili është kursi që mbron qeveria gjermane. Evropa e ka humbur spirancën në politikën ekonomike."

E përditshmja tjetër 'Stuttgarter Zeitung' gjykon ndryshimin e planifikuar në Paktin e Stabilitetit të Bashkimit Evropian:

"Rritja alarmante e defiçitit buxhetor të shtetit para së gjithash do të rëndojë brezat e ardhshëm. Kjo është e papërgjegjshme. Fëmijët dhe nipërit tanë do të duhet të paguajnë borxhet tona, meqë ne sot po jetojmë mbi mundësitë që kemi. Një defiçit shtetëror në rritje në një popullsi në firim e sipër, është fatal. Politikanët që mendojnë vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme, për këtë shkak do të dueht t'u përmbahen rregullave, që vlejnë për një kohë më të gjatë. Këtij rregullatori ministrat e financave tani i kanë shkulur disa dhëmbë."

E përditshmja "Handelsblatt" që del në Dyseldorf hedh një vështrim në përpjekjet e qeverisë turke për reforma:

"Kryeministri Reçep Taip Erduan është i bindur që e ka bërë të vetën. Maratona e reformave të muajve të shkuar ia ka zbutur vrullin dukshëm. Në qoftë se Turqia në javët e ardhshme nuk do të dërgojë sinjale të qarta ndryshimesh, bisedimet me Bashkimin Evropian kanë rrezik të dështojnë, para se të fillojnë. Me sa duket, Ankaraja po e nënçmon, që Evropianët e humbasin durimin, në po atë masë sa edhe Turqia tregon shembëlltyrën e saj të vjetër. Pamje policësh që rrahin gra dhe dënime për karikaturistët e padëshiruar, të krijojnë më tepër përshtypjen e vëtëkënaqësisë, sesa të vullnetit për mordernizim. Ende nuk është shkrirë shpresa, që stafi i reformatorëve rreth e përqark Erduanit do të mund të thyente traditat e vjetra, dhe të krijonte një urë mes demokracisë dhe islamit, orientit dhe oksidentit, por ajo ka nevojë për ushqim të ri. Dhe sa më shpejt!" – përfundon komentin e saj për Turqinë e përditshmja gjermane Handelsblatt.