1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Netanjahu pëson humbje të konsiderueshme në zgjedhje, por kryeson

23 Janar 2013

Në zgjedhjet në Izrael Koalicioni i djathtë zgjedhor i kryeministrit Benjamin Netanjahu del i dobësuar, por kryeson përsëri.

https://p.dw.com/p/17Q6p
Benjamin Netanjahu para zgjedhjeve
Benjamin Netanjahu para zgjedhjeveFotografi: Reuters

Në zgjedhjet parlamentare në Izrael blloku i djathtë i kryeministrit Benjamin Netanjahu ka pësuar papritur humbje të konsiderueshme. Aleanca e tij zgjedhore me orientim të djathtë nacionalist, Likud Beiteinu, sipas të dhënave zyrtare, ka fituar vetëm 31 nga 120 vendet në Knesset (parlament). Kjo bëhet e ditur nga portali i lajmeve Ynet, që i referohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Koalicioni i Netanjahut ka kështu mbi njëmbëdhjetë vende më pak se deri tani. Deri tani të dyja këto parti së bashku kishin 42 mandate.

Fituesi i madh i zgjedhjeve të së martës është ish-gazetari i televizionit, Jair Lapid, partia e sapoformuar e të cilit, partia liberale (Jesh Atid), mori 19 vende, duke arritur në vendin e dytë. Në vend të tretë del partia e Shelly Jahimovic me 15 mandate. Vendin e katërt ndahet ndërmjet partisë Shtëpia Hebreje e starit të ri të kampit ultrakonservator, Naftali Bennett, dhe partisë hebreje ortodokse Shaas. Tri partitë arabe morën së bashku 12 vende.

Zgjedhje me rezultate të papritura në Izrael
Zgjedhje me rezultate të papritura në IzraelFotografi: Reuters

Kështu në Knesset do të ketë një pat mes kampit fetar të djathtë nacionalist dhe partive të qendrës dhe së majtës politike, si dhe partive arabe: të dy kanë nga 60 vende.

Megjithatë Likud Beiteinu mbetet blloku më i madh dhe si kreu i këtij blloku Netanjahu do të ngarkohet nga presidenti izraelit Shimon Peres me krijimin e qeverisë së re. Në një fjalim "të fitores" para mbështetësve të tij në Tel Aviv, Netanjahu njoftoi se do të përpiqet të formojë një koalicion sa më të gjerë. Kryeministri, sipas të dhënave të tij, ka kontaktuar me Lapid-in. Detyra kryesore e një qeverie të re është lufta kundër armatimit bërthamor të Iranit, deklaroi Netanjahu.

Autor: Angjelina Verbica (dpa)

Redaktoi: Auron Dodi