1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nevojë urgjente për veprim - Samiti i OKB-së për klimën në Montreal

28 Nëntor 2005

Sërish shtetet e OKB-së do të përpiqen për një mbrojtje më të mirë të klimës. Ndonëse qysh nga fillimi i vitit ka hyrë në fuqi protokolli i Kiotos, efekti vazhdon të jetë minimal.

https://p.dw.com/p/AqhU
Paraqitja e njollës së ozonit në atmosferë me ndihmën e spektometrit
Paraqitja e njollës së ozonit në atmosferë me ndihmën e spektometritFotografi: AP

Në fakt bazuar në protokollin e Kiotos shtetet e pasura duhet të ulin me 5% emisionet e dioksidit të karbonit për periudhën 1990 - 2010, por aktualisht emisionet po shënojnë rritje, madje me rreth 10%. Ekspertët si shefi i Institutit për Studimet mbi Klimën në Potsdamn, Hans- Joahim Shelenmajer, kanë vënë alarmin: "Situata është e tillë, ne kemi pak dhjetëvjeçarë kohë në dispozicion, madje mund të them kemi kohë edhe 10 ose 15 vjet për të zbatuar ato investime që do të ndihmojnë në kursimin e energjisë dhe në reduktimin e emisioneve, për të mbrojtur klimën me efikasitet."

Nëse duam që t´i zbusim pasojat e ndryshimit të klimës, sipas ekspertëve duhet që temperatura mesatare mbarëbotërore deri në vitin 2010 të mos rritet me më shumë se 2 gradë. Nisur nga emisionet ekzistuese të dioksidit të karbonit që kemi aktualisht kjo është e pamundur. Marrëveshja për klimën është në fuqi deri në vitin 2012, në një marrëveshje pasuese të gjitha vendet duhet të detyrohen t´i reduktojnë këto emisione, gjë që aktualisht nuk ndodh e kjo prek veçanërisht Indinë dhe Kinën.

Pikërisht përcaktimin e qëllimeve afatgjata ka fokusuar qeveria gjermane për konferencën e Montrealit. Kësaj radhe Gjermaninë do ta përfaqësojë ministri i ri i ekologjisë, socialdemokrati Zigmar Gabriel. Ky i fundit synon në radhë të parë të arrijë që SHBA dhe Australia, të cilat nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen të involvohen në politikën për mbrojtjen e klimës.

Ekspertët e vlerësojnë konferencën për klimën në Montereal, ndonëse sipas tyre nuk mund të pritet që pjesëmarrësit të bien dakord për qëllime të mëtejshme afatgjata. Riçard Kinley, shef i sekretariatit të OKB-së për klimën me seli në Bon, thekson: "Ajo që do të ndodhë në Monteral është interesante. Në radhë të parë vendet nënshkruese të protokollit të Kiotos duhet të bien dakord për rregulla të sakta, se si do të funksionojë kjo marrëveshje në praktikë."