1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle Zypern

24 Korrik 2010

Me vizitën e Guido Westerwelles, shënohet vizita e parë e një ministri të Jashtëm gjerman në Qipro. Çështja e Qipros dhe opinioni këshilldhënës i GJND për Kosovën ishin në qendër të bisedimeve me politikanët qipriotë.

https://p.dw.com/p/OTbg
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: picture alliance / dpa

Qeveria qipriote është e gëzuar për vizitën e parë të një ministri të Jashtëm gjerman në Qipro, i tha homologu qipriot, Markos Kypriano, Guido Westerwelle-s. Edhe më parë kanë ardhur edhe ministra të Jashtëm gjerman në ishull, por asnjëri nuk ka ardhur për bisedime në kryeqytetin Nikozia.

Një mur ndan të dyja anët e Nikozias, kryeqytetin e ndarë të Evropës
Një mur ndan të dyja anët e Nikozias, kryeqytetin e ndarë të EvropësFotografi: picture-alliance/dpa

Në qendër të bisedimeve mes Westerwelle-s dhe Kyprianos ishte çështja e Qipros, "Njerëzit në Qipro duhet ta dinë që gjermanët e kuptojnë situatën në të cilën ndodhen ata", tha ministri i Jashtëm gjerman. Ribashkimi i Gjermanisë para 20 vitesh ka qenë një moment i paharrueshëm. "Ne dëshirojmë për popullin qipriot që të përjetojë atë që ne e kemi përjetuar para 20 vitesh".

Shpresa për përparime në çështjen e Qipros

Në vitin 1974 trupat turke marshuan në veriun e Qipros, që nga ajo kohë ishulli faktikisht është i ndarë në veriun e banuar qipriotët turq dhe jugun, pjesë qipriote e banuar nga grekë. Të dyja pjesët janë të ndara nga një zonë e çmilitarizuar, ku është stacionuar një trupë paqësore e Kombeve të Bashkuara. Të gjitha përpjekjet për ribashkimin e ishullit deri më tani kanë dështuar. "Ne jemi të bindur që ky problem do të mund të zgjidhet, po qe se të dyja palët veprojnë në mënyrë konstruktike dhe me mirëkuptim të dyanshëm me njëra-tjetrën", tha Westerwelle.

Ishulli i Qipros
Ishulli i QiprosFotografi: AP

Ministri i Jashtëm qipriot, Markos Kypriano i raportoi homologut të tij mbi stadin e bisedimeve mes veriut dhe jugut. Që nga maji i këtij viti zhvillohen takime të rregullta mes presidentit qipriot Demetris Christofias dhe presidentit të Qipros veriore turke, të papranuar në shkallë ndërkombëtare, Dervis Eroglu. Deri më tani të dyja palët nuk kanë rënë në ujdi për pikat kritike. Kjo ka për të ndryshuar, premtoi Kypriano. Për bisedimet e ardhshme, Kypriano ka përgatitur një koncept të ri. "Ky do të jetë një hap përpara dhe do të bëjë që bisedimet të zhvillohen me një ritëm më të shpejtë", ka thënë Kypriano.

Lehtësim për vendimin e GJND-s mbi Kosovën

Një pikë tjetër e rëndësishme e takimit ishte edhe gjykimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. GJND bëri të ditur të enjten se pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Politikanët qipriotë e kishin pritur me shumë interes këtë gjykim. Shqetësimi i tyre: Gjykimi GJND-s mund të ishte arsye që Qiproja veriore më vonë të kërkonte njohjen si shtet i pavarur. Veriu ka shpallur pavarësinë në vitin 1983, por njihet si shtet vetëm nga Turqia.

Qipriotë turq kalojnë pikën kufitare në Nikozia
Qipriotë turq kalojnë pikën kufitare në NikoziaFotografi: AP

Pas gjykimit të GJND-s, Kypriano u shpreh i lehtësuar: "Gjykimi bën një dallim eksplicit në çështjen e Kosovës dhe Qipros." GJND ka bërë të qartë se marshimi i trupave turke në Qipron veriore ka qenë ilegal. Por megjithatë në rastin e Kosovës, qeveria e tij do të mbajë të njëjtin qëndrim si më parë: "Kufijtë e një vendi duhet të ndryshohen vetëm pas negociatash dhe bisedimesh", tha Kypriano.

Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman theksoi se pavarësia e Kosovës, ishte një "vendim i veçantë, në në situatë të veçantë, me një sfond historik të veçantë".

Vështrim në veri

Pas takimit me Kyprianon, ministri i Jashtëm gjerman u takua edhe me presidentin Demetris Christofias. Në fund të vizitës së tij, ministri i Jashtëm gjerman pati mundësi të krijonte përshtypjet e veta mbi ndarjen e ishullit. Au ngjit në një kullë vrojtimi në qendër të kryeqytetit Nikozia. Që andej ai mund të shihte përtej zonës kufitare në pjesën turke të Nikozias.

Autor: Daniel Pelz/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti