1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nishani: Partneritet i ngushtë mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane në luftën kundër krimit

Intervistën e zhvilloi Arben Muka22 Janar 2009

Ministri i brendshëm Bujar Nishani, përmend bashkëpunimin mes midis policisë shqiptare dhe asaj gjermane në luftën kundër pastrimit të parave dhe lëndëve narkotike.

https://p.dw.com/p/GeDO
Bujar Nishani, ministër i Brendshëm i Shqipërisë
Bujar Nishani, ministër i Brendshëm i ShqipërisëFotografi: DW / Arben Muka

Deutsche Welle: Zoti ministër si po ecën procesi i aplikimit të qytetarëve me kartat e reja të identifikimit?


Bujar Nishani : Megjithëse është një proces i ri, por dhe tejet i rëndësishëm, ju konfirmoj se deri më tani ai ecën normalisht brenda të gjithë parashikimeve, brenda plankalendarit që kemi parapërgatitur, si për aplikimin e qytetarëve ashtu dhe prodhimin e tyre nga kompania koncesionare. Ne e filluam aplikimin me Tiranën edhe për faktin se kryeqyteti është zona kryesore, ku numri i popullatës është më i madh se në çdo qark tjetër të vendit. Nga ana tjetër ne po e shfrytëzojmë Tiranën si test për ecurinë e procesit, për të kolauduar probleme të ndryshme që hasim në zbatim, për të evidentuar dhe eleminuar defekte të natyrshme, që shfaqen në një proces kaq voluminoz e me nje rëndësi të jatëzakonshme. Ne i kemi treguar opinionit afate konkrete. P.sh brenda janarit aplikimi dhe më pas pajisja me kartat elektronike të identitetit do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, në çdo ndarje administrative të republikës.

Deutsche Welle: Me këtë ritëm që po ecet ju besoni se përfundon procesi brenda rreth 5 muajve sa kanë mbetur deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare?

Bujar Nishani : Shikoni, nëse në këtë stad fillestar ne kemi realizuar në Tiranë deri në 1500 aplikime në një ditë, shumë shpejt ritmi do të kapë kuotat 3 mijë për çdo ditë. Çfarë është garanci, se koha për t`i pajisur të gjithë shtetasit 18 vjeç e lart me kartat e reja të indentifikimit, që janë më standartet europiane, është tërësisht e mjaftë. Jemi të përgatitur dhe i kemi të gjitha kapacitetet për ta finalizuar në kohë procesin. Po kështu dhe kompania koncesionare që i prodhon dhe shpërndan kartat, i ka kapacitetet që t`i përgjigjet të gjithë fluksit të mundshëm.


Deutsche Welle : Por opozita, zoti ministër, po shpreh së fundi dyshime dhe kritika se procesi i kartave nuk është i mirëorganizuar. Ka, sipas saj dhe rreth 100 mijë emra të dubluar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, cfarë do të jetë problem më ynë për listat e votuesve, por dhe rrezik për zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti.

Bujar Nishani : Së pari, do të thoja që të gjitha pretendimet dhe kërkesat e opozitës janë të rëndësishme dhe të mirëpritura nga ana jonë. Ekspertët e ministrisë së brendshme dhe të institucioneve e agjensive të tjera, që merren me problemin e kartave dhe të pasaportave biometrike, qysh para se të niste procesi kanë qenë në kontakt me ekspertët e opozitës në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore, në funksion të mbarëvajtjes së punëve. Ne mbetemi të hapur për të marrë çdo hap të duhur, qoftë procedurial a ligjor në përputhje dhe me kërkesat që ka opozita, me qëllimin kryesor që procesi të jetë tërësisht i besueshëm, transparent dhe i mbështetur nga të gjithë. Do të bëja dhe sqarimin se mes pretendimeve të opozitës ka dhe qëndrime politike, gjëra që nuk përkojnë me realitetin.


Deutsche Welle: Përshembull, a janë rreth 100 mijë emra të dubluar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile?


Bujar Nishani : Po e sqaroj se ne kemi për herë të parë një regjistër elektronik të shtetasve shqiptarë. Ky regjistër së pari është i pamanipuleshëm, së dyti, çdo lëvizje që bëhet brenda regjistrit është plotësisht i verifikueshëm se lë gjurmë. Sa i takon çështjes së dublikimeve është e vërtetë, që ato ekzistojnë dhe variajojnë diku tek 50 mijë shtetas dhe jo aq sa pretendon opozita. Për këto dublime, pra kur emri i qytetarit është prezent në regjistër më shumë se njëherë, janë të konstatuara sepse siç thashë kemi variant elektronik që i shfaq automatikisht. Por mos haroni që çdo shtetas do të ketë vetëm një numër identifikimi në regjistër dhe dublimet janë të evidentuara. Ka filluar puna për pastrimin e tyre. Brenda tre javësh nuk do të ketë asnjë rast të tillë, pasi ato nuk pranohen nga një sistem i digjitalizuar. Ato kështu do të eleminohen dhe nga listat e votuesve që do të publikohen sipas ligjit, para zhvillimit të zgjedhjeve. E them me bindje, se këto lista do të jenë më të mirat dhe më të saktat që kemi patur deri më tani në proceset zgjedhore e referendare në Shqipëri.


Deutsche Welle: Zoti Nishani, në çfarë niveli është bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane?


Bujar Nishani : Bashkëpunimi me Gjermaninë është nga më të rëndësishmit për ne. Me një asistencë shumë vyer dhe eficente, qoftë në relatat dy palëshe, qoftë dhe në kuadër të misionit policor PAMECA të BE-së. Të jem më konkret: ne kemi një lloj binjakëzimi me autoritetet gjermane për luftën kundër pastrimit të parave. Programi i bashkëpunimit nuk përfshin vetëm ministrinë e Brendshme e policinë e shtetit, por dhe Drejtorinë e specializuar në luftën kundër pastrimit të parave, në ministrinë e Financave. Ky është një nga fenomenet më serioze në kuadër të krimit të organizuar, ndaj dhe pala shqiptare ka ndjerë mbështetjen në aspektin e trajnimit të personelit në Gjermani. Kjo na bën të jemi më profesionalë në luftën kundër këtij fenomeni, apo të krimit ekonomik të organizuar në tërësi. Ka oficerë të policisë shqiptare, që aktualisht janë duke u trajnuar në Gjermani. Tjetër fushë ku mbështet policia gjermane është ajo për luftën kundër trafiqeve të drogës. Në Ambasadën Gjemane në Tiranë ndodhet një oficer kontakti me policinë e shtetit. Jemi duke punuar që pranë ambasadës shqiptare në Berlin të ketë një person kontakti dhe nga ana jonë, çfarë do të dinamizonte më shumë shkëmbimin e informacionit dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta. Vetëm gjatë vitit 2008 kemi tre operacione të tilla shqiptaro gjermane në goditjen e grupeve të trafikut të lëndëve narkotike. E përsëris, është një ndihmë konkrete dhe eficente.

(ACA)