1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230709 EU Korruption

24 Korrik 2009

Bashkimi Evropian ka kritikuar përsëri Bullgarinë dhe Rumaninë për shkak të luftës së pamjaftueshme kundër korrupsionit. Ka disa përparime, por duhet bërë më shumë, theksohet në raportin vjetor të BE-së.

https://p.dw.com/p/IwGz
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Edhe pse prej dy vjet e gjysmë Bullgaria dhe Rumania kanë hyrë në Bashkimin Evropian, në këto dy vende ka ende mangësi të konsiderueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo thuhet në raportin e Komisionit të BE-së. Por në të njëjtën kohë zëdhënësi i Komisionit, Johanes Leitenberger, theksoi: “Qysh prej raportit të fundit të Komisionit verën e kaluar, ka pasur përparime, të cilat i konstatojmë veçanërisht në aspektin teknik. Por vullneti politik duhet forcuar dhe ne nuk jemi në gjendje të themi që janë arritur plotësisht synimet“.

Ende shumë punë për reformat në drejtësi

Për shembull në Rumani: Në vitin që lamë pas u hapën procese hetimore kundër gjashtë ish-ministrave për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion. Por parlamenti lejoi vetëm katër procese gjyqësore. Në dy raste u kundërshtua heqja e imunitetit të personave të dyshuar. Komisioni i BE-së kërkoi që të gjitha partitë në vend të përfshihen pa rezerva në luftën kundër korruspionit, edhe në nivelin më të lartë. Gjatë reformave në fushën e drejtësisë ka shumë për të bërë, konstaton Komisioni i BE-së. Kjo sepse tani nuk lulëzon vetëm korrupsioni, por rreziku vjen prej morisë kaotike të ligjeve dhe të urdhëresave, thuhet në raportin e Komisionit.

Kriteret që Komisioni i BE-së u ka vendosur këtyre vendeve janë të gjithanshme dhe në përputhje me problemet që kanë. Rumania duhet të realizojë sa më shpejt mundësisht 16 hapa konkretë, Bullgaria 21, bëri të ditur Laitenberger:´“Të gjitha masat konrete, që përfshijnë organizimin, p.sh. atë të ndjekjes penale ose të proceseve gjyqësore, të metodave kërkimore dhe hetimore, të ashtuquajturat ekipe Ad-hoc, që janë formuar në Bullgari dhe bashkëpunojnë me autoritetet e ndryshme me qëllim që ky organizim të vendoset mbi një bazë të qëndrueshme. Gjithashtu duhet të merren masat, nëmënyrë që në të dyja vendet të punohet edhe më tej për zbatimin e rregulloreve të proceseve, që të mundësojnë vendime të shpejta dhe të qarta juridike në kohë relativisht të shkurtër."


Bullgaria dhe Rumania ende nën mbikqyrje

Komisioni i BE-së dëshiron edhe verën e ardhëshme të paraqesë për këto vende një raport të ri , ndoshta edhe një raport në mes të kësaj periudhe. Për Bullgarinë dhe Rumaninë fjala është për shumë para, sepse meqë këto vende kishin bërë pak në luftën kundër korrupsionit, në të kaluarën Bashkim Evropian u kishte bllokuar mjetet financiare dhe subvencionet në shuma milionëshe. Madje në rastin e Bullgarisë gati gjysmë miliardë euro. Nëse do t'u kthehen tani këto para, apo do të vendosen sanksione të reja, BE-ja do të vendosë në vjeshtë.

Autor: Andreas Reuter / Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora