1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një ditë kundër harresës

Anila Shuka, Berlin27 Janar 2006

Bundestagu përkujton ditën e parë ndërkombëtare dhe ditën e dhjetë kombëtare të viktimave të Holokaustit

https://p.dw.com/p/Ar1T
Seancë e jashtëzakonshme në Bundestag me rastin e 27 Janarit
Seancë e jashtëzakonshme në Bundestag me rastin e 27 JanaritFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Bundestagu gjerman përkujtoi të premten në një seancë të jashtëzakonshme viktimat e nacional-socializmit. Fjalën e rastit e mbajti publicisti Ernst Kramer, një nga të paktët që mbijetuan nga kampet e asgjësimit të nazistëve.

„Sot përkujtojmë me nderim, hidhërim dhe premtimin që në të ardhmen do të respektojmë dhe mbrojmë lirinë e çdo individi, çdokënd që është torturuar, shtypur, nëmur, përndjekur dhe së fundi asgjësuar nga nacional-socialistët,“ - kështu u shpreh publicisti gjerman me prejardhje hebreje, Ernst Kramer. Në vitin 1939 ai arriti të dilte nga kampi i Buhenvaldit dhe të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

„Si gjermano-hebre, gjë që kam qenë vazhdimisht, me gjithë ndryshimet e shumta që kam pasur në jetë, si dikush që u përket të dy grupeve, e ndjej dyfish dhembjen dhe tragjedinë“ - tha mes të tjerash Kramer që nesër mbush 93 - vjetorin e lindjes. Pas luftës ai është vazhdimisht për pajtimin mes gjermanëve dhe hebrenjve.

Një proces që në Gjermani është i lidhur ngushtë me vigjilencë të veçantë ndaj deklaratave antisemite, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Prandaj edhe presidenti i Bundestagut, Norbert Lamert, shfrytëzoi rastin të kritikonte presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad, i cili pretendon se Holokausti nuk ka ekzistuar. „Shokohemi kur dëgjojmë që edhe sot ekzistojnë krerë shtetesh, që e cilësojnë Holokaustin shprehimisht si një „përrallë“ dhe që japin deklarata gjithmonë e më antisemite.“

Në seancën përkujtimore të Bundestagut merrnin pjesë edhe presidenti gjerman Horst Këler dhe kancelarja Angela Merkel. Qysh në vitin 1996, 27 janari është për gjermanët dita kombëtare e përkujtimit të viktimave të nazizmit. E veçanta e këtij viti qëndron në faktin, se është hera e parë që kjo ditë përkujtohet si e tillë edhe në planin ndërkombëtar. Shpallja e saj nga OKB-ja si ditë ndërkombëtare përkujtimore për viktimat e Holokaustit u bë disa muaj më parë, pra, në nëntor të vitit të kaluar. Më 27 janar 1945 Ushtria e Kuqe çliroi kampin e përqendrimit në Ausshvic, që sot ndodhet në territorin polak.