1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një imam boshnjak angazhohet për më shumë tolerancë

Daniel Heinrich19 Qershor 2016

Në Sarajevë një imam entuziazmon komunitetin mysliman. Me fjalë zemre dhe gjuhë të hapur, Sulejman Bugari paralajmëron për të gjitha format e ekstremizmit. Daniel Heinrich e ka takuar atë në Bosnje.

https://p.dw.com/p/1J9BN
Imam Sulejman Bugari
Imami Sulejman BugariFotografi: DW/D. Heinrich

"Biela Dzamija" – „Xhamia e Bardhë“ në pjesën e vjetër të qytetit të Sarajevës është mbushur plot me njerëz. Qindra vetë duan të hyjnë në oborrin e xhamisë. Në të majtë të hyrjes meshkujt, djathtas femrat, ndërmjet radhiten këpucët. Brenda xhamisë flet imami Sulejman Bugari. Mesazhi i tij nga Kurani transmentohet përmes altoporlantëve në oborrin e xhamisë. „Dua që njerëzit të hyjnë në dialog me njëri-tjetrin, që njerëz të komuniteteve të ndryshme të jenë të hapur“, thotë 50-vjeçari me rrezatimin e të riut. Për të është e rëndësishme besimi tek „mirësia“ që ndodhet brenda çdo njeriu. „Në fund të fundit nuk duhet t'i interesojë askujt, se i kujt besimi është dikush. Kjo është diçka mes personit dhe të plotfuqishmit.”

Predikimet e tij e bindin komunitetin. Shumica e bosniakëve- kështu thirren në përgjithësi myslimanët në Bosnje-Hercegovinë, mendojnë pak a shumë njësoj, vlerësojnë një islam liberal dhe theksojnë rrënjët e përbashkëta të besimeve monoteiste. Këtë e mbështet edhe një studim i Qendrës Studimore PEW. Sipas saj 60% e boshnjakëve shohin rrënjë të përbashkëta mes krishtërimit dhe islamit. Ahmet Alibasic, studiues i islamit në Universitetin e Sarajevës, thekson se për shumicën e boshnjakëve vlerat europiane janë më të afërta se kultura e vëllezërve të besimit në vendet e tjera.

Bosnien Herzegowina Moschee
Xhami në SarajevëFotografi: picture-alliance/dpa/F. Demir

„Këtë mund ta shohësh në sjelljen e boshnjakëve gjatë luftës së Jugosllavisë. Shumica e atyre, që kishin shkuar në një vend mysliman, u kthyen menjëherë në vendlindje ose shkuan në shoqëri liberale si Gjermania, Austria, Zelanda e Re apo Australia“, thotë Alibasic. Shumë pak qëndruan në vende konservatore si Turqia apo Malajzia. Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me arsyet ekonomike, thekson studiuesi. “Malajzia kishte zhvillim të mirë ekonomik në vitet 90-të, ky është një problem kulturor. Boshnjakët nuk përshtateshin dot me kulturën e atjeshme.”

"Nuk harrojmë kurrë atë që Gjermania ka bërë për ne "

Edhe Adis Hasakovic e njeh përvojën e jetës në vende të tjera. Ai erdhi si refugjat në kohën e luftës së Jugosllavisë në Gjermani, ku jetoi 10 vjet. Hasakovic e kujton ende me nostalgji, se sa i lirë ishte në Gjermani të ushtronte besimin e tij. Ndërkohë ai jeton në Bosnje-Hercegovinë, dhe punon si konsulent i komunikimit. Me Gjermaninë e mbajnë të lidhur ende njerëzit e familjes që jetojnë aty. „Nuk do ta harroj kurrë, se çfarë kanë bërë gjermanët për ne, kur ishim në një gjendje të vështirë“, thotë Adis Hasakovic. "Besoj se ne mund të japim një kontribut të rëndësishëm me kulturën tonë në Europë.“ Ne jemi myslimanë europianë, jemi krenarë për këtë dhe nuk kemi asnjë problem me europianët e tjerë. Kjo është në kohën e sotme shumë e rëndësishme.“

Adis Hasakovic
Adis HasakovicFotografi: DW/D. Heinrich

Edhe gjatë muajit të Ramazanit e kupton respektin për mënyra të tjera jetese në të gjithë vendin. Sigurisht që myslimanët agjërojnë, por restorantet janë të hapur, dhe alkool pihet. Për Ahmet Alibasic kjo lloj tolerancë është e ankoruar në historinë boshnjake. „Që nga shekulli i 19-të ne gërshetojmë në një si traditën islame ashtu edhe vlerat europiane.“ Ky fenomen, të cilin zakonisht e përmbledhim me nocionin e modernizimit, ka filluar që në kohën e sundimit osman“, thotë ai. „Në fillim u pajtuan me islamin të drejtat individuale, në formën e të drejtave qytetare, si dhe sundimi i ligjit. Nën këtë frymë u bë edhe kushtetuta e parë boshnjake në kohën e osmanëve.”

Refuzim ekstremizmit fetar

Pak rrugë më tutje imami Sulejman përpiqet t'i shpjegojë komunitetit të tij thjesht e pa referime historike vlerat e tolerancës. Të gjithë dëgjojnë me durim në shi, pavarësisht nëse janë 20 vjeç me smartphone, apo aty tek mesi i të 50-ve me tespihe dhe presin t'i japin dorën imamit. Sulejmani buzëqesh megjithë një ditë të lodhshme.

Një mesazh dëshiron ai t'ia japë me vete vizitorit nga jashtë, në kohën e ekstremizmit dhe terrorizmit në Euroë. „Atë që nuk kanë për ta kuptuar dot këta ekstremistë, është që myslimanët nuk kanë të drejtën ekskluzive për besimin e vërtetë. Islami nuk është besimi i turqve, arabëve, amerikanëve apo gjermanëve”. Të vetmit, të cilit i adresohet besimi është vetë krijuesi, sipas tij. “Duhet folur më shumë për besimin dhe parimet e tij. E një nga parimet më të rëndësishme të besimit islam, thotë se janë të ndaluara të gjitha format e ekstremizmit.“ Në fund imami Sulejman bën një fotografi, pastaj largohet për në shtëpi. Edhe një gjysmë ore e fillon iftari. Vjen një çast që edhe njeriun e zotit e merr uria.