1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një kontratë shembullore" - Gjermania feston 20 vjetorin e marrëveshjes së bashkimit

1 Shtator 2010

Më 31 gusht të vitit 1990 dy ish-Gjermanitë arritën të nënshkruanin me shpejtësi marrëveshjen e bashkimit. 20-vjetori i kësaj ngjarjeje historike u festua të martën në Berlin.

https://p.dw.com/p/P1Dq
Nënshkruesit e paktit Günther Krause dhe Wolfgang Schäuble në festimet në Berlin.
Nënshkruesit e paktit Günther Krause dhe Wolfgang Schäuble në festimet në Berlin.Fotografi: picture alliance/dpa

"Gjermano-lindorët u treguan të guximshëm në procesin e ribashkimit", tha kancelarja Angela Merkel. "Guximi i tyre ishte shumë më i madh se ç'mund ta përfytyrojmë ne sot", tha jo më tej në fjalimin solemn me rastin e 20 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkimit. Kancelarja me prejardhje nga ish-RDGJ-ja i ka përjetuar nga afër ato kohë. Ajo ishte njëra nga zëdhënëset e qeverisë së parë demokratike të RDGJ-së, të drejtuar asokohe nga Lothar de Maiziere. "Përvoja e asaj kohe nuk ishte vetëm ajo e bashkimit, por edhe një kurs në historinë e Republikës Federale Gjermanisë së vjetër", kujtoi ajo.

Negociata rrufe

Kancelarja gjithashtu vlerësoi dokumentin e bashkimit, që megjithëse tepër voluminoz - rreth 1000 faqe - ai u desh të negociohej vetëm brenda disa javësh, as një vit pas rënies së murit të Berlinit, më 9 Nëntor 1989. "Marrëveshja e bashkimit duhet të shërbejë si një shembull për marrëveshje të tjera në botë", shtoi kancelarja. "Kjo ishte një ngjarje shumë e suksesshme në historinë tonë, për të cilën ne duhet të jemi krenarë", tha Merkel para të ftuarve të mbledhur në Kronprinzenpalais, pikërisht në atë vend ku 20 vjet më parë u nënshkrua dokumenti i bashkimit nga politikani demokristian Wolfgang Schaeuble sot ministër i Financave, si dhe Gunther Krause.

Viktimat e komunizmit pa pensione

Marrëveshja përmbante tre pika: Përfshirjen e Republikës Demokratike Gjermane në atë Federale më datën 3 tetor 1990, kthimin e Berlinit në kryeqytet të Republikës Federale, si edhe që Gjermania perëndimore të merrte përsipër si pasuritë, ashtu edhe borxhet e asaj lindore. Sado shembullor që ishte dokumenti, ai pati disa mangësi. Njëra prej tyre ishte për shembull dëmshpërblimi i financiar i viktimave të komunizmit. Vetëm në vitin 2007 Gjermania e Bashkuar arriti të nxirrte një ligj për t'u dhënë një pension atyre. Në fjalën e saj Merkel e pranoi që kjo periudhë kohe ishte tepër e gjatë.

20 vjet më parë- Mbas njoftimit të rezultatit të votimit, disa deputetë ngrihen dhe këndojnë himnin kombëtar.
20 vjet më parë- Mbas njoftimit të rezultatit të votimit, disa deputetë ngrihen dhe këndojnë himnin kombëtar.Fotografi: picture-alliance/dpa
Ministri i kulturës Bernd Naumann, ai i Brendshëm Thomas de Maiziere dhe kancelarja Angela Merkel.
Ministri i kulturës Bernd Naumann, ai i Brendshëm Thomas de Maiziere dhe kancelarja Angela Merkel.Fotografi: AP

Më shumë perëndimorë të pakënaqur

Ministri i brendshëm Thomas de Maiziere, i cili asokohe gjithashtu ishte pjesëmarrës në negociata, kritikoi mungesën e gatishmërisë e gjermano-perëndimorëve për të ndryshuar. "Perëndimorët mund të kishin mësuar më shumë nga RDGJ-ja, e jo vetëm burrecin e semaforit, apo shigjetën e gjelbër", tha de Maiziere. Mbas bashkimit të Gjermanisë u hap një debat i madh për shenjat e qarkullimit. Burri me kapele republike i semaforëve gjermano-lindorë triumfoi dhe tani ai bashkëjeton më së miri krahas kolegut të tij perëndimor.

Pak më e komplikuar duket bashkëjetesa e dy ish-Gjermanive, sot 20 vjet mbas bashkimit. Në një studim të publikuar së fundmi, një e treta e gjermano-perëndimorëve e konsiderojnë bashkimin më shumë si humbje se sa si fitim, dhe madje 11 përqind do të dëshironin sërish murin. 37 përqind thonë se kanë përfituar nga bashkimi, në lindje janë 42 përqind.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora