1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një ndër tetë irakianë është dëbuar nga atdheu

Malte Piperi17 Prill 2007

Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNHCR do të kujdeset në mënyrë të përqëndruar për miliona refugjatët nga Iraku.

https://p.dw.com/p/AqmV
Refugjatë nga Iraku para zyrës së OKB-së në Damask
Refugjatë nga Iraku para zyrës së OKB-së në DamaskFotografi: AP

Në krye të një konferencë dyditore me përfaqësues nga 60 vende, organizata e OKB-së kërkoi një angazhim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të bashkësisë ndërkombëtare.

Janë fjalë të qarta ato që dëgjon këtu në Gjenevë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon kërkoi më shumë ndihma ndërkombëtare për refugjatët nga Iraku. Ndërsa komisari i OKB-së për refugjatët, Guterres paralajmëroi:"Përmasat e problemeve flasin vetë për gjendjen. Kemi të bëjmë me dëbimin më të rëndësishëm në Lindjen e Afërme që prej luftës izraelito-arabe të vitit 1948. Një ndër tetë irakianë është dëbuar nga atdheu. Rreth 1,9 milionë irakianëve iu desh të braktisin qytetet dhe fshatrat brenda vendit, dy milionë të tjerë kanë kaluar kufijtë e vendit dhe kanë shkuar në shtete të tjera.

Shumica e tyre jetojnë me vështirësi në Jordani dhe në Siri. Të dyja këto vende tani i kanë mbyllur pjesërisht kufijtë e tyre, në mënyrë që të mos vërshojnë edhe më shumë refugjatë. Por sipas vlerësimit të shumicës së organizatave ndihmëse, veçanërisht e keqe është gjendja vetë në Irak.

Denis McNamara për shembull është i ngarkuari i OKB-së për të Dëbuarit:"Nga të gjitha informacionet ne kemi mësuar se atyre u mungon para së gjithash mbrojtje, jeta e tyre është më se e rrezikshme. Por atyre u mungon edhe ndihma më e thjeshtë. Veç kësaj, mungon shpesh ndihma bazë mjekësore, në shkolla dhe kështu me radhë. Shkurt: situata e tyre është për të ardhur keq, si gjithmonë në raste të tilla konfliktesh, kur njerëzve u duhet të marrin arratinë."

Më shumë se 450 delegatë nga rreth 60 shtete dhe një dyzinë organizatash ndihmëse konsultohen aktualisht për rrugëdalje nga kriza. Ajo që dëgjon të përmendet më shpesh është mungesa e sigurisë në Irak. Shumica e organizatave ndihmëse, brenda Irakut punojnë tani vetëm me vendas. Përndryshe, është shumë e rrezikshme, dëgjon të thonë shumë. Por politika paralajmëron tashmë që të mos kihen shpresa të mëdha. Ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme, Gernot Erler:

"Kjo konferencë është e drejtuar në thelb në dy adresa. Ajo i është drejtuar publikut botëror, për ta konfrontuar atë më fort me tragjedinë e këtyre refugjatëve dhe me nevojën, për të mbajtur këtu qëndrim solidar- përmes masave ndihmëse përkatëse, edhe përmes financimeve. Por konferenca i drejtohet edhe qeverisë irakiane, për t'i bërë asaj të ditur se cfarë përgjegjësie mban. Për fat të keq, lajmet që vijnë aktualisht nga Bagdadi nuk janë më të mirat, po të kesh parasysh dobësimin e mëtejshëm të qeverisë aktuale për shkak të tërheqjes së pesë ministrave shiitë."

Afërsisht rreth 44 milionë euro i nevojiten organizatës së OKB-së këtë vit, sipas të dhënave të saj, për të qenë në gjendje për të ndihmuar në vend. Qeveria gjermane ka miratuar tashmë dy milionë euro ndihma të menjëhershme. Por personat përgjegjës të OKB-së i kanë hedhur tashmë sytë nga e ardhmja. Në plan afatgjatë me siguri që do të nevojiten miliarda, për t'u ofruar të gjithë irakianëve një çati mbi kokë dhe një furnizim të përshtatshëm, tha një zëdhënës.

Me një thirrje dramatike, komisari i OKB-së për refugjatët, Guterres, iu drejtua delegatëve: "Dimensioni humanitar i problemit nuk duhet të shpërfillet më. Më shumë se katër milionë irakianë i kanë drejtuar sytë nga ne. Ajo që u nevojitet atyre është e qartë. Kemi një detyrim moral për të ndihmuar. Ne të gjithë: përfaqësues të qeverive, organizatave të ndihmave dhe të shoqërisë civile jemi të detyruar të veprojmë."

Deri të mërkurën në drekë do të jetë bërë e qartë se çfarë ndihme e parë do të jetë mbledhur për refugjatët.