1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një nga skandalet më të mëdha në mjekësinë gjermane

Auron Dodi18 Shtator 2009

Në gjykatën e Mënhengladbahut filloi dje procesi për një nga skandalet më të mëdha në mjekësinë gjermane. 6 mjekë e shefi i klinkës akuzohen për vrasje nga neglizhenca në 7 raste e dëmtime trupore në 60 të tjera.

https://p.dw.com/p/JjkG
Një nga skandalet më të mëdha në mjekësinë gjermane
Një nga skandalet më të mëdha në mjekësinë gjermaneFotografi: DW-TV

Nga babëzia për të përfituar, pacientëve u janë hequr nën narkozë, edhe pa nevojë, organe të shëndosha, duke kursyer nga ana tjetër ilaçe të shtrenjta, por të nevojshme për trajtimin e tyre. Kjo ka shkatuar vdekjen e 7 pacientëve dhe dëmtimin e 60 të tjerëve. Nën këtë akuzë fillon sot në gjykatën e Mënhengladbahut në Gjermani procesi për një nga skandalet më të mëdha në fushën e mjekësisë në Gjermani. Në bankën e të akuzuarve janë gjashtë mjekë, përfshi edhe shefin e klinikës.

Procesi, dosja e të cilit përmban 328 faqe, parashikohet të zgjasë deri në mars të vitit të ardhshëm. Prokuroria ka ftuar për të dëshmuar në proces 106 dëshmitarë si dhe ka paraqitur 6 ekspertiza. I akuzuari kryesor është shefi i klinkës. Mjeku 53-vjeçar i një klinike në Vegberg (Wegberg) akuzohet për vrasjen për neglizhencë dhe nga pakujdesia të katër pacientëve dhe plagosje trupore me pasojë të mëpasshme vdekjen, në rastet e tre pacientëve të tjerë. Sipas aktakuzës, pacientët kanë vdekur për shkak të mungesës së kushteve higjenike. Hetuesit thonë se për të kursyer solucione dezinfektimi të shtrenjta, pacientëve u është hedhur në barkun e hapur lëng limoni. Po ashtu kursime në kurriz të pacientëve janë bërë edhe në lidhje me konservat e gjakut, si dhe të një sërë medikamentesh të shtrenjta.

Nga ana tjetër mjeku akuzohet se me heqjen e panevojshme të tëmthit, veshkave, pleurës apo pjesëve të zorrës ai u ka shkatuar shumë dhimbje pacientëve dhe dëme të shumta sistemit shëndetsor. Kjo për shkak se për këto operacione pa nevojë i ka paraqitur faturën duke marrë pagesën përkatëse prej shoqërive të sigurimit.

Shkaku që këto probleme kishin mbetur për një kohë të gjatë pa u zbuluar ka të bëjë me pushtetin e jashtëzakonshëm që kishte siguruar i akuzuari kryesor. Mjeku në fjalë ishte njëkohësisht shefi i klinikës, pronar i saj si dhe drejtor për problemet mjeksore të klinikës.

I akuzuari kryesor kishte blerë më 1 Janar 2006 spitalin e vogël St. Antonius. Komuna e Vegbergut e kishte shitur atë, sepse nuk i përballonte dot më shpenzimet dhe spitali gjendej para falimentimit. Spitali kishte një kapacitet prej 100 shtretërish dhe i akuzuari duhet ta ketë blerë për 26 000 euro.

Në rast se provohet fajësia, i akuzuari kryesor mund të dënohet deri me 15 vjet heqje lirie.

Autor: Pandeli Pani/ dpa/ap

Redaktoi: Auron Dodi