1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një orë me shqiptare nga Kosova në qendrën Süd-Ost në Kreuzberg të Berlinit

13 Qershor 2009

Ish azilkërkuesit dhe ish-refugjatët nga Kosova jetojnë në Gjermani që nga fillimi i viteve 90-të. Ndonëse shumica i dinë përmendësh paragrafet e ligjit për të huajt, avokatët gjermanë organizojnë orë këshilluese.

https://p.dw.com/p/I8gZ
Kreuzberg, Berlin - lagje e preferuar nga të huajt.Fotografi: dpa

"Epo mrekulli! Tani e kemi në xhep lejen e përhershme të qendrimit," klith nga gëzimi Ellen Apitz tek sheh një letër që sapo i ka ardhur klientes së saj. Është një dëshmi pensioni, me të cilën Fatimja ka të drejtë të marrë lejen e përhershme të qendrimit. Por nëna e pesë fëmijëve nuk duket e gëzuar: "Po kjo s’është për krejt familjen" – thotë ajo e pakënaqur. Pra, katër fëmijët e mitur dhe i shoqi do të vazhdojnë të trokasin nëpër zyrat e shtetit e avokatë. Fatimja do të vazhdojë t’i japë avokates së saj fshehurazi nga një pako me llokume ose ndonjë tortë me luleshtrydhe nga supermarketi, në shenjë falenderimi. Appitz është mësuar me gratë që i dhurojnë vazhdimisht diçka: Ajo nuk kundërshton, qesh dhe i merr me vete.

"Aufenthalti" i shumëdëshiruar - pothuajse i pamundur pa avokatë

Avokatja i njeh mirë hallet e grave, ua njeh pjesëtarët e familjes, fëmijët, kush ka probleme në shkollë, kush i ka notat e mira. Gratë që mblidhen në qendrën kulturore Jug-Lindje (Süd-Ost) në lagjen berlineze Kreuzberg kanë vite që jetojnë në Gjermani, dikush 14, dikush 15 vjet, por "ofentalltin" (kështu e shqiptojnë ato fjalën gjermane për lejen e qendrimit, Aufenthalt), nuk e kanë akoma të rregulluar.

"Kosovarët jetojnë në Berlin që nga viti 1992. Por ata u pajisën me leje qëndrimi vetëm në vitin 2006. Në këtë periudhë kohe dolën shumë rregulla, direktiva, urdhëresa", thotë Ellen Appitz. "Duldung", "Befugnis", "Niederlassung", "Aufenthalt", gratë i njohin të gjitha nenet e paragrafet, me të cilat mund të shtyhet, zgjatet, ose sigurohet përfundimisht qëndrimi në Gjermani.

Kur ka ndonjë term të ri, Appitz vjen në Qendrën Süd-Ost e ua kumton, si për shembull termi „Fiktionsbescheinigung", me të cilin janë ndeshur kohët e fundit shumë kosovarë në Berlin. Në shqip do të mund të përkthehet me "dëshmi fiksionale"; zyrat e të huajve e lëshojnë atë kur nuk e kanë marrë ende vendimin për zgjatjen e lejes së qendrimit.

"Fiktionsbescheinigung është praktikisht një leje qendrimi. Problemi është se njerëzit kur e shohin këtë, i kap frika dhe e pyesin nëpunësin, se a mund të udhëtojnë me këtë letër. Ai u thotë: Mund të fluturoni, por do të ishte mirë të mos udhëtonit në rrugë tokësore." E kështu fillon paniku," sqaron Appitz.

Sipas Appitz shkaku për këtë ndryshim në lejen e qendrimit që kap më shumë kosovarë dhe që së shpejti do të kapë edhe ish-refugjatët e Bosnjës është riorganizimi i punës në administratën e Berlinit dhe ndryshimi i stafit që merret me çështjen e kosovarëve. "Nëpunësit nuk japin shumë sqarime. Por ata bëjnë gabim kur ua japin këtë dëshmi edhe të traumatizuarve. Këtyre u takon zgjatja e lejes së qendrimit."

Appitz ka sjellë me vete sot edhe një lajm të mirë: "Senati i Berlinit ka bërë një lëshim dhe jep leje qendrimi edhe në se të ardhurat e çiftit janë të paktën 322 Euro për 28 muaj me radhë plus qeranë e shtëpisë. Fëmijët nuk llogariten, sepse për ata mund të merren para nga asistenca sociale. Pra me këtë rregull Berlini i është përshtatur tregut të punës, që në kohë krize është keqësuar. Kaq para janë dy "minijob" dhe nuk është e vështirë të gjenden."

Minijobs - shpëtim për lejen e qëndrimit

Minijob – kështu quhen punët e vogla, si për shembull pastrime, kujdestare për fëmijë ose kopshtar, punë, që shumë kosovarë i bëjnë në të zezë. Qendra "Minijob-zentrale" përpiqet të tërheqë vëmendjen e punëdhënësve dhe punëmarrësve me anë të një reklame televizive duke vënë në dukje përparësitë e regjistrimit: sigurimi shëndetësor, pensionet, sigurimi në raste aksidentesh. Për shumë gra, që kanë vite pa punë, ky është hapi i parë për integrimin në shoqërinë gjermane, për disa të tjera, vjen shumë vonë: "Pse që sa vjet nuk na kanë lëshuar të drejtë pune. Na sot jena plakë, ata po lypin punë." Pyet një grua tek të pesëdhjetat. Që në Gjermani punohet deri në moshën 65 vjeçare, këtë ajo e di: " 65 po, por nuk po i merr kurrkush ma të vjetrit me punue. Na s’kishim kërku, kishim pas qejf me punu, me të marr dikush me punu?"

Ellen Appitz sapo e ka mbaruar orën këshilluese falas, kur njëra nga gratë i afrohet me një pako me ëmbëlsira që e hedh fshehurazi në torbën që ia ka ngecur tek dora Fatimja. " Im nip sapo ka ardhur në Gjermani dhe është në të zezë", pyet ajo. Ai ka qenë këtu për gjashtë vjet me radhë dhe është kthyer vullnetarisht. A ka ndonjë zgjidhje? "Oh," thotë Appitz, "Le t’i urojmë një shoqe shtatëzanë, ose diçka të ngjashme".

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Sonila Harasani