1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një perde e re e hekurt? Para samitit të BE-së

Barbara Wesel20 Shtator 2015

Brukseli po përpiqet të zbusë frontet e reja të krijuara mes vendeve anëtare të BE-së. Por shtetet lindore dhe ato perëndimore të Europës ende grinden për krizën e refugjatëve.

https://p.dw.com/p/1GZ1Z
Bildergalerie Flüchtlinge an der serbisch-ungarischen Grenze
Fotografi: Reuters/B. Szabo

Deri në samitin e jashtëzakonshëm për krizën e refugjatëve Komisioni Europian ka vetëm pesë ditë kohë për të bindur shtetet lindore europiane. Komisioneri i BE-së për refugjatët Dimitri Avramopoulos në Budapest e kritikoi Hungarinë për mbylljen e kufirit me Serbinë. Vërtet që ishim të një mendimi që kufijtë e jashtëm të BE-së duhen mbrojtur, por „ne nuk ramë në ujdi për mënyrat se si duhej bërë kjo“. Gardhet me gjemba vetëm sa i ngrenë tensionet dhe sjellin dhunë me vete, tha komisioneri. Përveç kësaj është „detyrimi ynë si të krishterë“ për t'i ndihmuar refugjatët, shumica prej të cilëve janë sirianë.

Por pikërisht kundër këtyre refugjatëve do të veprojë kryeministri hungarez, Viktor Orban, siç edhe u shpreh në intervistë me gazetën „Die Welt“, ai do të mbrojë Perëndimin e krishterë nga këta refugjatë. Qeveria e tij ka propozuar projekte të reja për mbrojtjen e kufijve të BE-së: Me forca sigurie duhet rrethuar kufiri lindor grek, sipas Orban dhe duhet të ndërtohen kampe refugjatësh jashtë unionit. Budapesti i refuzon kuotat e pranimit kategorikisht. Të njëjtat tonë dëgjohen nga Sllovakia, ku kreu i qeverisë, Roberto Fico deklaron se “askush nuk na thotë se çfarë duhet të bëjmë“. Mbi një bazë të tillë është e qartë se sa e vështirë do të jetë gjetja e ujdisë javën e ardhshme.

EU Kommissar Dimitris Avramopoulos
Komisioneri i BE-së për refugjatët Dimitri AvramopoulosFotografi: Getty Images/AFP/L. Gouliamaki

Ndihmë për Maqedoninë

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn vizitoi të enjten Shkupin. Në intervistë me Deutsche Welle-n, ai tha se Maqedonia, vendi kandidat i BE-së ka nevojë për ndihmë europiane. “Ata duhej të tejkalonin një krizë politike të brendshme,(…) e tani kanë nevojë për ndihmë në krizën e refugjatëve, sepse në këtë rast ata janë viktimë, jo shkaktarë të problemeve.” Maqedonisë do t'i jepen fonde për refugjatët kryesisht në ngritjen e kampeve, furnizimit me ushqim dhe mjete sanitare për refugjatët në udhëtim e sipër.

Hahn megjithatë ka frikë se vendet lindore europiane duan të ngrenë një perde të re të hekurt mes për mes kontinentit. “Kjo më trishton shumë, sepse shumë prej nesh kanë luftuar që të hiqen perde të tilla.” Ajo që duhet bërë tani është punë bindëse në Europë, dhe vetëdijësim për vlerat europiane. “Europa do të thotë bashkëpunim, do të thotë solidaritet, si në një familje, dhe nuk mund të jesh një familje, kur ngre gardhe ndarëse.”

Mazedonien Johannes Hahn in Skopje
Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes HahnFotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

Izolimi në Europë ka arsye historike

„Një perde e hekurt do të ngrihet rreth e rrotull BE-së dhe brenda saj do të ngrihen të gjitha muret e mundshme“, thotë Judy Dempsey nga Instituti për Politikën „Carnegie Europe“. Për eksperten, pas pozicionimit refuzues të vendeve europianolindore, qëndrojnë arsye historike e kulturore. „Për herë të parë nga viti 1938, europianolindorët po përballen me idenë e pranimit të të huajve.” Polonia për shembull ka qenë para Luftës së Dytë Botërore një vend multikulturor dhe vetëm pas vitit 1945 u bë homogjene nga ana etnike dhe kryesisht katolike. Gjenerata e vjetër “ruan frikën nga tjetri”. Polonia, Sllovakia, Çekia, Hungaria kanë qenë të përgatitur të jenë vende të krishtera në një Europë të krishterë. Ajo që u mungon këtyre vendeve është përvoja me kulturat e tjera- edhe në vitet e komunizmit.

Si duhet të veprojë Bashkimi Europian? Judy Dempsey nuk këshillon vendime detyruese. Kjo nuk është në të mirë të refugjatëve, që do të jetojnë atje, dhe kjo do të shihet si sulm i Gjermanisë. “Ka një retorikë shumë negative kundër Angela Merkelit në këto vende. Në një kohë që ajo i ka marrë në mbrojtje e ka mbrojtur këto vende“, thotë Judy Dempsey. Ajo pret tani pak marr-dhe -dhënie në problematikën e refugjatëve, por për këtë tani nuk bëhet fjalë. BE duhet të tregohet e përmbajtur në këto javë dhe t'u shpjegojë këtyre vendeve se sa komplekse është problematika e refugjatëve – dhe se vala do të përshpejtohet njëherë para se të bjerë. Në rast nevoje vendet perëndimore europiane do ta ndajnë këtë barrë mes tyre.