1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një perspektivë e qartë sjell siguri juridike

Fabian Schmidt6 Shkurt 2007

Qytetarëve të Kosovës u duhet një perspektivë e qartë dhe siguri juridike në mënyrë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre

https://p.dw.com/p/ArYv
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Pavarësia e Kosovës është afruar shumë pranë me raportin e Ahtisaarit. Por nga kjo serbët nuk duhet të kenë frikë. Sepse qytetarëve të Kosovës u duhet një perspektivë e qartë dhe siguri juridike, në mënyrë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Investuesit kanë nevojë për kushte-kuadër të sigurta dhe vetëm këto mund t'i vënë vizë procesit shtatëmbëdhjetëvjecar të shpërbërjes së Jugosllavisë së vjetër. Shumë vite të tjera paqartësi do ta zgjasnin pa nevojë traumën e luftës.

Shqiptarët e Kosovës nuk do të kenë më mundësi në të ardhmen që problemet e tyre t'i lidhin me statusin e pazgjidhur të Kosovës. Atyre do t'u duhet ta drejtojnë gishtin nga vetja dhe të konfirmojnë se e kanë seriozisht me bashkëjetesën multietnike dhe me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe të të drejtave të njeriut. Ata nuk do të kenë më mundësi që t'ia hedhin fajin për ngecjen në vend të reformave bashkësisë ndërkombëtare.

Qartësia për ndarjen nga Serbia është e mirë edhe për serbët e Kosovës. Vetëm nëse ata ndërgjegjësohen se që këtej e tutje jetojnë në shtetin e Kosovës, vetëm atëherë ata do të marrin pjesë aktive në formësimin e tij dhe do të mund të mbrojnë në mënyrë efektive interesat e tyre.

Prandaj, mbrojtja e minoriteteve duhet të luajë një rol të rëndësishëm në rendin e ardhshëm kushtetues të Kosovës dhe pikërisht këtë parashikon Ahtisaari. Për ta garantuar këtë, në Kosovë do të ketë edhe për disa vjet një prani të BE, me fuqi të plota, të cilat kufizojnë sovranitetin e institucioneve të Kosovës.

Përfaqësuesit e ardhshëm të BE do të kenë fuqi të shkarkojnë përfaqësues të zgjedhur, të cilët mbjellin urrejtje. Ata do të mund të bllokojnë ligje, të cilat janë në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës multietnike. Edhe më tej në Kosovë do të ekzistojë një prani ushtarake ndërkombëtare, e cila në cdo kohë mund dhe duhet të ndërhyjë, kur nacionalistët përdorin dhunë ose kur kërcënojnë me përdorimin e saj.

Beogradit, nga ana tjetër, do t'i duhet të pajtohet me faktin se e ka humbur përgjithmonë Kosovën. Vetëm atëherë kur qytetarët dhe politikanët e Serbisë të kuptojnë se Kosova nuk është më pjesë e shtetit të tyre, vetëm atëherë ata edhe do të jenë në gjendje që të shohin vetë nga e ardhmja dhe ta formësojnë aktivisht të ardhmen e përbashkët evropiane të Evropës Juglindore. Tepër gjatë ka qëndruar e mbërthyer Serbia në ëndrrat dhe mitet e së kaluarës, në vend që të përballet me sfidat e së ardhmes, e çmimin për këtë e kanë paguar qytetarët e Serbisë.

Mund të shpresosh edhe që përfaqësues nga Prishtina dhe Beogradi të tregojnë në raundin pasues të bisedimeve në Vjenë, më 13 shkurt më shumë gatishmëri për bisedime, se sa kanë treguar gjatë negociatave të pafrytshme të vitit të kaluar. Ata e dinë shumë mirë se për ta kjo është mundësia e fundit që përmes pjesëmarrjes konstruktive të ushtrojnë ndikim në projektin e statusit përfundimtar të Kosovës. Pas kësaj, ky projekt do t'i paraqitet për votim KS të OKB-së.