1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një proces i drejtë që po përparon mirë - Konferenca gjermane për fenë islame

Pandeli Pani3 Maj 2007

Në praninë e MPB gjerman Wolfgang Schäuble (CDU) zhvilloi në Berlin punimet konferenca e dytë gjermane për fenë islame. Kjo konferencë është një projekt shumëvjeçar i thirrur në jetë në shtator 2006 prej MPB gjerman Schäuble që ka si synim nxitjen e dialogut mes myslimanëve dhe pasuesve të feve të tjera që jetojnë në Gjermani dhe integrimin e tyre.

https://p.dw.com/p/Aqwj
Pamje nga salla e konferencës
Pamje nga salla e konferencësFotografi: picture-alliance/dpa

"Ne ishim të një mendjeje se ky proces është i drejtë dhe se po përparon mirë," - konstatoi me kënaqësi MPB gjerman Wolfgang Schäuble në përfundim të konferencës së dytë gjermane për fenë islame.
Muajt e fundit kanë treguar sipas ministrit qartë, se sa frytdhënëse mund të jetë kjo konferencë. Tregues i kësaj është fakti që debatet për fenë islame dhe myslimanët që jetojnë në Gjermani kanë ndryshuar ndjeshëm që pas raundit të parë të kësaj konference organizuar në shtator të vitit të kaluar.

Në këtë konferencë, e cila është planifikuar si një projekt disavjeçar, marrin pjesë përfaqësues të shtetit dhe të shoqatave të myslimanëve që jetojnë në Gjermani. Synimi i kësaj konference është integrimi më i mirë i myslimanëve në jetën dhe shoqërinë gjermane.

Pozitivisht konferencën e vlerësoi jo vetëm themeluesi i saj, MPB Schäuble, por edhe zëdhënësi i Këshillit Koordinues të katër shoqatave islamike, Ayyub Axel Këhler.

Sipas ministrit Schäuble kjo konferencë është një etapë e një procesi të gjatë diskutimesh, është "fillmi i një rruge plot pengesa". Merita kryesore e kësaj konference është sipas ministrit "kapërcimi i mungesës së komunikimit, e cila ka bërë që të lindë ndonjë keqkuptim apo të nxitet dhe acarohet pa nevojë ndonjë konflikt".

Kuptimi i përbashkët i procesit të integrimit ka rëndësi qendrore për bashkëjetesën. Integrimi kërkon prej myslimanëve që të respektojë krejtësisht ligjin dhe vlerat shoqërore që sundojnë në Gjermani. Por edhe popullsia shumicë duhet t'i konsiderojë myslimanët nga ana e saj si pjesë me të drejta të barabarta të shoqërisë gjermane.

Në këtë konferencë doli në pah një problem tashmë i njohur në Gjermani: Cili ka të drejtë të flasë në emër të myslimanëve që jetojnë këtu? Ndryshe nga strukturat që njihen prej organizimit të feve të krishtera, ku parashikohen edhe nivelet drejtuese, në radhët e fesë islame nuk ekzistojnë të tilla struktura. Për këtë shkak në konferencë ishin ftuar edhe shoqata të tjera myslimane e madje edhe individë:

"Tipike për fenë islame është ekzistenca e drejtimeve të ndryshme. Katër shoqatat që bëjnë pjesë në Këshillin Koordinues përfaqësojnë rreth 10 deri në 15% të rreth 3,5 milionë myslimanëve që jetojnë në Gjermani. Për këtë më duket me vend që në konferencë nuk janë ftuar vetëm përfaqësues të këtyre shoqatave, por edhe të tjerë, sepse shumë e rëndësishme që të thonë fjalën apo të ngrenë zërin e tyre edhe ata që nuk i përkasin këshillit koordinues." - tha Maria Bëhmer, e ngarkuara e qeverisë gjermane për emigracionin, refugjatët dhe integrimin.

Në konferencë u theksua edhe një herë rëndësia e mësimit të gjuhës gjermane prej të huajve që jetojnë këtu si element thelbësor për integrimin e tyre. Elementë të tjerë të rëndësishëm janë edhe mësimi në shkollat gjermane i fesë islame krahas feve të krishtera si edhe ndjekja e shkollës prej fëmijëve të emigrantëve.

"Si shtet themi gjithashtu se është e rëndësishme, dhe bazë edhe e rendit dhe e legjislacionit tonë, që fëmijët, si djem si vajza, të shkojnë bashkarisht në shkollë. Në këtë pikë kemi pjesërisht mendime të ndryshme". - tha Schäuble.

Këshilli qëndror i myslimanëve ishte i mendimit se në disa drejtime konferenca nuk ishte e organizuar si duhet. Kryetari i këtij këshilli Axel Ayyub Këhler tha se për të ardhmen është i nevojshëm një plan i përbashkët dhe "përcaktimi i qëllimeve konkrete, sepse debatet pa qëllim nuk sjellin gjë."

Megjithë kritikat në përfundim të konferencës MPB Wolfgang Schäuble u shpreh mjaft i kënaqur duke bërë një bilanc pozitiv të konferencës: "Mendoj se sot patëm një debat mjaft intensiv dhe më e rëndësishmja është që megjithë mosmarrëveshjet, ne të gjithë jemi të vendosur të vazhdojmë më tej dhe e dimë se në këtë rrugë mund të bëjmë përpara."