1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një "shtet i lirë bask" brenda Spanjës? Jo me ne thonë njëzëri partitë e mëdha të Spanjës

Oliver Glap4 Janar 2005

Në Spanjë parlamenti rajonal i baskëve më 30 dhjetor aprovoi planin për një autonomi të zgjeruar të krahinës veriore. Me 39 vota pro dhe 35 kundër deputetët miratuan planin mjaft të diskutueshëm të autonomisë të paraqitur nga kryeministri bask, Huan Hoze Ibarretske, që ka për qëllim krijimin e një "shteti të lirë". Por pa aprovimin nga parlamenti në Madrid plani i qeverisë rajonale të baskëve nuk mund të zbatohet.

https://p.dw.com/p/ArFQ

Ende pa e paraqitur mirë në parlamentin rajonal planin për një shtet të lirë, në fytyrën zakonisht të ngrysur të Huan Hoze Ibarrtkses ndirçoi një fllad buzëqeshjeje: "Tani do të telefonoj zotin Zapatero për t´i kërkuar fillimin e bisedimeve"

Kështu u shpreh kreu i qeverisë rajonale të baskëve. Dhe përgjigja nga Madridi erdhi ende pa filluar mirë viti i ri. Kryeministri i Spanjës Hoze Luiz Zapatero deklaroi, se do të takohet me Ibaretksen. Por këtij të fundit duke dëgjuar deklaratën e Zapatëros iu zbeh shpejt buzëqeshja duke u mbuluar sërish prej çehres së ngrysur.

Zapatero: "Si edhe herët e tjera unë do ta dëgjoj zotin Ibaretkse, por edhe ai do të më dëjgojë mua. Ajo që ai do të dëgjojë prej meje është mëse e qartë: Në demokracinë tonë mund të flasësh për gjithçka brenda kushtetutës. Ndërsa nuk mund të diskutosh për asgjë tjetër që del jashtë kuadrit kushtetues."

E pra një deklaratë kjo mjaft diplomatike në formë dhe kategorikisht mohuese lidhur me çështjen. Plani rajonal i baskëve e tejkalon kuadrin kushtues. Ky plan parashikon një shtet të lirë bask të lidhur me një marrëveshje asocijimi me Spanjën. Pra presupozohet një shtet i lirë bask me drejtësi të vetën, me sistem të vetin social dhe me nënshtetësi të veçantë.

Për këtë do të diskutojë Ibaretkse në Madrid dhe për këtë ai ka ndërmend që populli bask të votojë në referendum. Por "jo me ne", deklaron edhe udhëheqësi i opozitës në Spanjë, Mariano Rahoy, i partisë popullore konservatore: "Ne nuk mund të bisedojmë as me zotin Ibaretkse dhe as lidhur me planin e tij. Ne nuk mund të bisedojmë me një njeri që sulmon sovranitetin kombëtar dhe injoron ligjet."

Ndryshe nga qeveria socialiste opozita konservatore madje kërkon të ngrejë padi pranë gjykatës kushtetuese. Por pavarësisht nga kjo të dyja partitë e mëdha spanjolle janë në unanimitet sa i përket hedhjes poshtë të planit të qeverisë rajonale baske. Fakti që ky plan gjeti një shumicë aprovuese në parlamentin e rajonal ka të bëjë me mbështetjen e partisë së ndaluar Batasuna, e cila përfaqësohet në parlamentin rajonal me një emër tjetër të grupit parlamentar. Si edhe më parë ajo vazhdon të jetë krahu politik i organizatës terroriste baske ETA. Edhe pse plani për një shtet të lirë nuk u përgjigjet plotësisht kërkesave të saj, gjashtë deputetë të kësaj partie e miratuan atë, vetëm për ta mbajtur debatin të hapur.

Leopoldo Barera i partisë popullore konservatore thotë, se është mëse e qartë që në këtë debat tonin e jep organiazata ETA: "ETA është iniciatore, promotore dhe garancia për këtë plan".
Mjafton vetëm kjo si një arësye e fortë për partinë popullore konservatore dhe për socialistët që ta hedhin poshtë planin në parlamentin e Madridit. Pa aprovimin nga Madridi qeveria rajonale baske nuk mund ta vërë në jetën planin për një shtet të lirë, madje ajo as nuk mund të organizojë referendum legal lidhur me këtë.

Vetë krahina baske është mjaft e përçarë lidhur me këtë çështje, këtë e kupton edhe nga qëndrimi i krahinës baske Alava. Këtu nuk jetojnë shumë nacionalistë baskë si në dy krahinat e tjera. Kryetari i këshillit rajonal të provincës Ramon Rabanero i partisë konservatore, deklaroi, se në rast se ka dyshime kjo krahinë dëshiron të qëndrojë në Spanjë: "Në rast se do të ketë ndarje edhe Alava nuk do ta ndjejë më veten të detyruar kundrejt paktit kushtetues dhe në këtë mënyrë as kundrejt statutit të autonomisë të vitit 1979".

Kjo do të thotë, që nëse krahina e baskëve shkëputet nga Spanja, atëherë edhe Alava do të shkëputet nga krahina baske. Në këtë mënyrë një separatizëm bask pjell automatikisht një tjetër separatizëm.