1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njohuri të reja mbi përmasat e shoa-s

Hardy Graupner12 Dhjetor 2006

Berlini hap konferencën për holocaustin e cila tërhoqi studiues me emër të Holocaustit nga e gjithë bota

https://p.dw.com/p/AqyK
"Muri i Emrave" në muzeun e Holocaustit në Paris
"Muri i Emrave" në muzeun e Holocaustit në ParisFotografi: AP

Berlini ishte dje vendi ku u zhvillua një konferencë shkencore mbi Holocaustin, e cila veçanërisht në medie shihet si reagim ndaj konferencës dyditore për Holocaustin që po zhvillohet në Iran. Por derisa në Teheran synohet ringjallja e idesë së mohimit të Holocaustit dhe e së drejtës së Izraelit për një shtet të pavarur, konferenca e Berlinit u morr para së gjithash me njohuri të reja mbi përmasat e shoa-së pas hapjes së arkivave të rëndësishme evropianolindore.

Konferenca e Berlinit u organizua brenda pak javësh prej qendrës federale për formim politik dhe tërhoqi studiues të Holocaustit me emër nga e gjithë bota. Më i njohuri prej tyre ishte Raul Hilberg, i Universitetit të Burlington-it në Vermont të SHBA. Në vitin 1939 hebreu i lindur në Vjenë mërgoi në Shtetet e Bashkuara dhe erdhi në Gjermani në 1945-ën si ushtar amerikan. Këtu ai zbuloi bibliotekën private të Hitlerit, e vendosur në arka.

Hilberg ka kryer ndërkohë një punë kërkimore më shumë se 50 vjeçare për Holocaustin. Ai ka zbuluar një pjesë të madhe të atyre informacioneve që u nevojiten shkencëtarëve për të përshkruar dhe kategorizuar përmasat e vërteta të Holocaustit. Hilberg tha në Berlin, se pavarësisht morisë së provave vazhdimisht ka përpjekje për ta mohuar ekzistencën e Holocaustit.

Ndjek me habi sesi në në shumë pjesë të botës myslimane, përfshirë këtu Iranin, Holocausti propagandohet si mit i mirëfilltë, tha ai: "Kërkimet mbi Holocaustin kanë marrë hov vitet e fundit pasi për dekada me radhë ishin lënë pas dore në mënyrë shqetësuese. Si reagim ndaj valës së kërkimeve shohim përpjekje në rritje për ta mohuar tërësisht shoa-në. Jam mësuar ndërkohë me përpjekje të tilla. Por interesant është fakti se nga cili drejtim vijnë këtë herë. Nga Irani nuk e prisja në këtë formë. Me sa duket udhëheqja në Teheran ka arsye politike për ta trajtuar kështu Holocaustin."

Peter Longerich nga qendra kërkimore për Holocaustin e Universitetit të Londrës nuk sheh lidhje midis konferencave në Berlin dhe Teheran. Një lidhje të tillë e ndërton vetëm media, thotë ai: "Si kontribues aktiv në kërkimet e Holocaustit, do të thosha se konferenca e Berlinit nuk ka të bëjë me përpjekje sistematike për të mohuar Holocaustin dhe me takime të tjera që zhvillohen në botë. Këto përpjekje përbëjnë një projekt absurd dhe studiuesit e mbledhur këtu as që merren me ide të tilla."

Longerich i informoi pjesëmarrësit për rezultatet e reja të kërkimeve moderne mbi Holocaustin. Ai tha se tani po kuptohen më mirë keqbërësit dhe se nuk ka pasur një vendim të vetëm për asgjësisimin sistematik të hebrejve. Sipas tij, ka pasur një sërë urdhëresash, të cilat u linin hapësirë interpretimi ekzekutuesve në administratë, polici e ushtri.

Longerich tërhoqi vëmendjen nga prurjet e jashtëzakonshme që solli hapja e arkivave evropianolindore në vitet nëntëdhjetë: "Pas hapjes së arkivave është kryer një punë e madhe kërkimore. Tani kemi një pamje shumë më të plotë për Holocaustin në ato vende, ku u kryen vrasjet në masë, për shembull në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Poloninë e pushtuar atëherë nga Gjermania. Kemi njohuri të reja mbi lidhjen mes Holocaustit, punës së detyruar dhe shpronësimit sistematik të hebrejve."

Longerich kritikoi faktin që në Gjermani zhvillohen shumë pak konferenca për Holocaustin. Sipas tij, rritja e shpejtë e rezultateve kërkimore ka nevojë për një analizë sistematike, me të cilën duhet të njihet si kampi i studiusve ashtu edhe publiku i gjerë.