1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njolla historike

13 Maj 2009

Është 13 maji i vitit 1999. Samir F. godet me një qese me bojë ministrin e jashtëm gjerman Joshka Fisher. Me këtë sulm ai proteston kundër bombardimeve të Nato-s në ish Jugosllavi.

https://p.dw.com/p/HpAk
Joshka Fisher i goditur me qese me bojë, 13 maj 1999
Joshka Fisher i goditur me qese me bojë, 13 maj 1999.Fotografi: dpa

Më 13 maj të vitit 1999, Nato-ja kishte gati dy muaj që bombardonte Jugosllavinë, për të detyruar Millosheviçin të tërhiqte trupat nga Kosova. Pikërisht atë të dielë, Partia e Gjelbër ishte mbledhur në një kongres të jashtëzakonshëm dhe kërkonte nga ministri i jashtëm Joschka Fischer, që të ndërpriste luftën. Për të kjo do të thoshte që, gjashtë muaj mbas ardhjes në pushtet, të dorëzonte postin e ministrit të jashtëm. Beteja e tij me bazën ishte e ashpër, jo vetëm me fjalë.

”Joschka Fischerit, siç marrim vesh, po i rrjedh gjaku nga veshi. Se çfarë ka ndodhur, këtë nuk mund ta shohim. Truprojat e kanë rrethuar ministrin e jashtëm. Një grup penguesish ka hyrë në sallë”, dëgjohet zëri i gazetarit të televizionit publik gjerman, që raporton drejtpërdrejt nga Kongresi i jashtëzakonshëm i Të Gjelbërve, në Bielefeld. Është 13 maji i vitit 1999. Situata është shumë e tensionuar, por gjendja e ministrit nuk qenka aq tragjike: ”Me sa duket, paska qenë një qese me bojë, që dikush i ka hedhur ministrit, pra nuk është gjak por ngjyra e kuqe”, shpjegon gazetari.

Ish ministri i jashtëm Joschka Fischer prezanton autobiografinë e tij, tetor 2007
Ish ministri i jashtëm Joschka Fischer prezanton autobiografinë e tij, tetor 2007Fotografi: AP

Siç bëhet e ditur më vonë: Dorasi ishte një autonom i qarqeve të majta. Samir F., kërkon me këtë sulm ndaj ministrit të jashtëm, të protestojë kundër luftës së Nato-s në ish Jugosllavi.

Të Gjelbrit, tradicionalisht pacifistë, nuk ishin të gatshëm të pranojnë angazhimin e ushtrisë gjermane, në bombardimet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, të cilat tashmë zhvilloheshin prej gati dy muajsh. Joschka Fischer kishte thënë se nuk do të merrte parasysh kërkesën e tyre dhe ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen. Me dhimbje në daullen e veshit dhe fytyrë të skuqur nga boja, pak më pas, Fischer doli para delegatëve për të mbrojtur politikën e qeverisë së socialdemokratëve dhe Të gjerbërve: ”Të dashur miq dhe të dashur armiq, armiqtë e mi të dashur....” filloi ministri fjalimin e tij dhe menjëherë u dëgjuan protestat e para: Vrarës, nxitës lufte!” - akuzuan zërat nga salla. ”Aha, mua më thoni nxitës lufte, ndërsa Millosheviçin doni ta propozoni për çmimin Nobel!” u kundërvihet ministri.

Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe Presidenti i Kosovës para mediave në Prishtinë, 6 prill 2005
Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe Presidenti i Kosovës para mediave në Prishtinë, 6 prill 2005Fotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Në 20 minutat në vazhdim, ai mbajti një fjalim të zjarrtë, i cili u ndërpre herë pas here , që kërkonin përfundimin e menjëhershëm të bombardimeve. Zëri i tij në fund të fjalimit ishte gati i çjerrë: ”I kuptoj shumë mirë emocionet tuaja, i kuptoj edhe argumentet refuzuese. Secili prej nesh i ka ato brenda vetes ... Por, ajo për çfarë do t'ju lutesha si ministër i jashtëm është, që të më ndihmoni, që të më jepni mbështetje, dhe të mos më hidhni gur nëpër këmbë, në mënyrë që nga ky kongres të mos dalim më të dobët, por më të fortë...”

Ky fjalim e arriti rezultatin e dëshiruar: Baza e partisë votoi me 318 nga 444 votat, pro vazhdimit të bombardimeve, duke konfirmuar kështu edhe karrierën e Fischerit si ministër i jashtëm. Mbas fjalimit, atij iu desh të shkojë në klinikë për t'u kuruar. Katër ditë më vonë, sulmuesi iu vetëdorëzua policisë.

“Në ato 20 minuta nuk mbajta fjalimin më të mirë, por sigurisht fjalimin më të rëndësishmin e jetës sime,” do të shkruajë Fischeri në librin e tij “Vitet kuq e gjelbër”, gati tetë vjet më vonë. Kongresi i posaçëm i Bielfeldit shënoi kthesën më të rëndësishme në historinë e Të Gjelbërve, tradicionalisht pacifistë. Se kush kishte më shumë meritë, fjalimi i ministrit apo ai sulm me bojë të kuqe, që i dha atij edhe një fije martirzimi, kësaj le t'i përgjigjen më mirë njerëzit e profesionit. Kostumi i njollosur i Fischerit, prej kohësh ka hyrë në histori dhe mund të shihet në muzeun e Republikës Federale Gjermane, në Bonn.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama