1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nju Jork: Çfarë u bisedua në takimin Brnabiq - Guterres?

28 Shtator 2018

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Gueterres u takua në Nju Jork, me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq. Mediat serbe thonë se Guterres ka thënë në takim se "Kosova kuk është shtet".

https://p.dw.com/p/35gRU
UN UNO Fahne der vereinte Nationen
Fotografi: picture alliance/dpa

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gueterres u takua të enjten (27.09) në Nju Jork, me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, e cila morri pjesë në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme. Mediat serbe shkruajtën një ditë më pas se Guterres ka thënë në takim se "Kosova kuk është shtet. Kosova nuk është vend".

I pyetur nga Deutsche Welle, Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Stephane Dujarric, tha se zyra e tij ka nxjerrë një deklaratë për takimin dhe nuk ka më për të shtuar: "Statusi i Kosovës është i përcaktuar nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, të cilat janë udhërrëfyese për ne", tha ai.

Sipas rezolutës 1244, të 10 qershorit 1999, statusi i Kosovës është "autonomi dhe vetëadministrim". Dujarric shtoi se: "Ne kemi nxjerrë një deklaratë për takimin dhe i përmbahemi kësaj deklarate".

Në deklaratën për takimin thuhet se Sekretari i Përgjithshëm Gueterres, vlerësoi angazhimin serb për multilaterizëm dhe parimet e vlerat e Kombeve të Bashkuara. Ai tha, se KB vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE.

Në krahasim me vitin e kaluar shihet një kthim mbrapa në marrëdhëniet e OKB me Serbinë dhe Kosovën. Vitin e kaluar në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme u zhvilluan bisedime jopublike midis presidentit serb, Vuҁiq dhe atij të Kosovës, Thaçi. Këtë vit, Vuҁiq nuk morri pjesë në Nju Jork. Më parë ai pati bërë disa deklarata nacionaliste në vizitën e tij në Kosovë. Kurse Thaçi ndodhej në Nju Jork "jozyrtarisht" dhe zhvilloi programin e vet, mes të cilave edhe fotografi të ndryshme. 

Të dyja palët, si ajo serbe edhe ajo shqiptare kërkojnë të rrisin numrin e tifozëve duke bërë deklarata, ose duke postuar në mediat sociale fotografi "për takimet e niveleve të larta", me njerëz të rëndësishëm në SHBA ose OKB. Asgjë nga këto nuk i shërben dialogut. Statusi i Kosovës nuk vendoset në takimet midis Gueterres dhe Brnabiq-it. As duke pozuar para fotografive.