1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk duhet të shkojmë dëm burimet

Carsten Schmiester17 Gusht 2005

Do të zbuten masat e sigurisë në aeroportet e ShBA

https://p.dw.com/p/ArON
Kontrolle të pasagjerëve në aeroportet amerikane
Kontrolle të pasagjerëve në aeroportet amerikaneFotografi: AP

Pas atentateve të 11 shtatorit aeroportet në mbarë botën forcuan masat e sigurisë. Kontrolleve veçanërisht të rrepta u nënshtrohen pasagjerët në aeroportet e ShBA gjë që shpesh çon në vonesa dhe ngjall zemërimin e udhëtarëve. Këto kontrolle janë shumë të imta ankohen ata. Tani autoritetet amerikane po konsiderojnë zbutjen e disa prej rregullave më të rrepta.
Kush dëshiron të fluturojë në qiellin amerikan duhet të kalojë fillimisht në tokë nëpër ferrin e kontrolleve të sigurisë. Që prej atentateve të 11 shtatorit këto kontrolle janë ashpërsuar deri në absurditet: hiqen këpucët, kontrollohen tokëzat e rripave, duar që prekin pasagjerët kudo nëpër trup. Dy milionë njerëz dhe bagazhet e tyre kontrollohen çdo ditë imtësisht. Kontrollet që shpesh zgjasin shumë janë bërë ndërkohë shkaku kryesor i vonesave kronike në planin e fluturimeve. Personave përgjegjës për sigurinë e transportit ajror mesa duket u kumbojnë veshët, shajnë shumë prej pasagjerëve. Por së shpejti pritet që shumë gjëra të përmirësohen. Sipas një informacioni të gazetës "Uashington Post" autoritet përgjegjëse kanë hartuar një projekt me propozime për zbutjen e kontrolleve mbi të cilin do të vendoset ndoshta deri në fund të këtij muaji. Sipas projektit udhëtarët nuk do të detyrohen më të ecin zbathur në pllakat e ftohta për të kaluar përmes detektorëve të metalit. Brisqet e rojes, gërshërët e thonjve apo thikat e vogla do të lejohen përsëri të merrem me vete në bord e madje edhe çakmakët të cilët ishin ndaluar vetëm pak kohë më parë. Dhe nëse dikush është i veshur me rroba që rrinë ngjitur pas trupit nuk do t'i nënshtrohet më kontrolleve të imta nga duart e personelit të sigurisë. Për pasagjerë që ngjall besim, pilotë, oficerë apo politikanë nuk do të ketë fare kontrolle. Të gjitha këto tingëllojnë mirë mendon eksperti për çështjet e sigurisë Rafael Ron. Ai shpreson në përshpejtimin e procedurave në terminale pa rritje të rrezikut: "Nuk duhet të çojmë dëm burimet tona duke kontrolluar njerëz të padyshimtë. Kjo heq vëmendjen nga problemet e vërteta" thotë Rafael Ron.
Një problem i tillë është për shembull kontrolli i ngarkesave ajrore i cili është sipas ekspertit tepër i plogësht. Por Xhorxh Bëries, një tjetër ekspert për sigurinë e transportit ajror mendon se nuk ka ardhur koha për zbutjen e kontrolleve të pasagjerëve. "Nuk besoj se amerikanëve do t'u pëlqente që siguria e kontrolleve të varej nga një kontrollor me aftësi të veçanta i cili do të ndalonte nga hipja në avion një njeri që ka fshehur një thikë" - thotë Bëris.
Frika nga rrëmbimi i avionëve sipas modelit të 11 shtatorit është e rrënjosur ende thellë edhe tek një i ri i cili sapo ka pritur me durim përfundimin e procedurës së kontrollit sipas modelit të vjetër në aeroportin ndërkombëtar të Uashongtonit "Dulles": "Nuk është ide e mirë të ulet vigjilenca. Në fund të fundit njerëzit duan të kenë siguri" -thotë ai.
Të tjerë pasagjerë shprehen disi skeptikë. Një grua i konsideron të mira një pjesë të zbutjeve të propozuara të kontrolleve por nga ana tjetër as ajo nuk dëshiron që ato të jenë shumë sipërfaqsore. Të kalosh nga njëri ekstrem tek tjetri do të ishte e gabuar, thotë ajo, por më shumë logjikë dhe maturi do të ishin me vend.