1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka më abuzime nëpër konsullatat e Prishtinës dhe Tiranës, deklarojne drejtusit e perfaqesive

Anila Shuka, Berlin23 Qershor 2005

Në seancën e së enjtes, "Komisioni hetimor i vizave" mori në shqyrtim abuzimet e bëra në zyrat konsullore të Prishtinës dhe Tiranës. Te ftuar si dëshmitarë ishin mes të tjerash edhe drejtusit aktualë të dy përfaqësive.Të dy diplomatët thanë se tashmë abuzimet e konstatuara janë mënjanuar.

https://p.dw.com/p/AqkK

Nga ora 10 deri në orën 19 zgjati dëgjimi i të dëshmitarëve të ftuar nga komisioni hetimor i Bundestagut për çështjen e vizavave. Kryesuesi i socialdemokratëve në komision, Olaf Sholc bëri bilancin:

Sholc: U bë e qartë, që sot në këto dy përfaqësi mbizotëron një procedurë e qartë dhe e mirë. Kjo vlen si për Prishtinën ashtu edh për Tiranën. Kuotat e rrefuzimit, në Prishtinë 80% e në Tiranë 40% flasin për punë të saktë dhe me themel.

Ngjarjet në Tiranë zunë pjesën më të madhe të hetimit. Dëshmitari kryesor për to ishte ambasadori Hans Peter Anen, i cili tha se ishte zhgënjyer, kur kishte mësuar për rastet e abuzimit në ambasadën e tij. Bëhej fjala mes të tjerash në dhënien e viave afatgjate pa i kontrollluar dokumentat siç duhet. Prokuroria e Berlinit ka kohë që ka hapur hetime kundër ish punonjësve të konsullatës. Ish konsulli, Tomas Veg, që aktualisht ndodhet me shërbim në një vend tjetër, për këtë arësye nuk kishte pranuar të dilte si dëshmitar.

Kryetari i grupit të kristiandemokratëve, Ekart fon Kleden, i tha Dojçe Veles të enjten në mbrëmje se dy janë shkaqet e keqpërdorimit të vizave në Tiranë:

Ekard fon Kleden: "Së pari, korrupsioni në ambasadë dhe së dyti, dekretet e nxjerra nga ministria e jashtme. Këto jo vetëm që kanë reduktuar kriteret e kontrollit ndaj krimit të organizuar, por edhe u kanë mundësuar punonjësve të involvuar që të fshehin veprat e tyre."

Dekretet në fjalë udhëzonin konsujt që në raste dileme të vendosnin në favor të vizëkërkuesit. Sipas dokumentave të cituara nga deputetët, ish-konsulli i kishte përdorur dekretet për të justifikuar mënyrën e veprimit të tij. Socialdemokrati Sebastian Edelti mendon se kjo është një shkelje që ka bërë vetëm një person e nuk ka të bëjë me dekretet. Për programin shqip të Dojçe Veles Edelti më tej lavdëroi sjelljen dhe prezantimin e ambasadorit Hans Peter Annen.:

Edelti: "Zoti Anen e filloi punën si ambasador në Tiranë në verën e vitit 2003. Ai që në fillim integroi konsullin në bisedat javore. Nuk kemi asnjë vërejtje ndaj zotit Anen, Prezantimi i tij ishte tërësisht i besueshëm."

Më parë në komision kishte raportuar Jyrgen Engel, drejtuesi i zyrës gjermane në Prishtinë, për keqpërdorimet e konstatuara që nga hapja e zyrës konsullore në shkurt të vitit 2003. Një raport i mInistrisë së brendshme të qershorit të 2004-es kishte tërhequr vëmendjen për rrethana korrupsioni në Prishtinë: Kryetari i komisionit hetimor, kristiandemokrati Hans Peter Uhl, mbas dëgjimit të dëshmitarit:

Ul: "Duket që ka patur një farë synimi për t'i fshehur këto rrethana skandaloze. Në një kohë kur në Bundestag po diskutohej për ngritjen e një komisioni hetimor, ministria e jashtme nuk ka dashur të pranojë që ka patur keqprëdorime në masë të madhe edhe jashtë Kievit, pra në Prishtinë e Tiranë."

Ndryshe nga Tirana, në Prishtinë nuk ekzistojnë të dhëna për korrupsion tek nëpunësit gjermanë. Në të kundërt, këtu ishin kapacitetet me staf si dhe hapësirë shumë të vogla në krahasim me kërkesën e madhe të shqiptarëve për të ardhur në Gjermani. "Manaxhim radhe" ky ishte termi që u përdor nga dëshmitari, për të shpjeguar se si bashkëpuntorët vendas merrnin rryshfete ose kërkonin para për të lënë njerëz pa radhë.

Si në Tiranë, edhe në Prishtinë në korrupsion janë involvuar në masë të madhe punonjësit vendorë.

Një pjesë e mirë problemeve tashmë janë kapërcyer, duke vendosur një sistem të ri të caktimit të datës së paraqitjes së dokumentave dhe rotacion të punonjësve nëpër sportele. Dokumentat shikohen më me imtësi. Në përfaqësinë e Prishtinës është dërguar staf më me përvojë. Si pasojë, kuota e pranimit të kërkesave është ulur në mënyrë drastike, nga 80 për qind, në 20 për qind. Jerzhi Montag, përfaqësuesi i "Të Blertëve" në komision:

Montag: "Kjo nuk është për t’u festuar, sepse kam frike qe kjo kthese radikale ka prekur shume te pafajshem, te cileve do t'u takonte e drejta e vizes."

Për trafikim fuqish puntore, siç pretendohet të ketë ndodhur përmes ambasadës së Kievit, nuk bëhej fjalë në asnjërën prej ambasadave. Opozita foli për një rritje të krimnalitetit të shqiptarëve, por nuk doli në pah që kjo të ketë ndodhur për shkak të abuzimeve.