1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama apo McCain?

Bahri Cani30 Gusht 2008

Nga shtypi i sotëm kemi përzgjedhur komentet lidhur me fushatën elektorale në SHBA dhe mundësinë që për herë të parë shtetin më të fuqishëm në botë të kryesojë një afroamerikanë.

https://p.dw.com/p/F7nf

Gazeta "Tagesspiegel" i referohet kongresit të Partisë Demokratike dhe fjalës së kandidatit, Barack Obama.


"Kongresi ishte një arritje optimale për Obamën. Hillary dhe Bill Clinton kanë bërë të gjitha që ishin në mundësitë e tyre për të zgjuar dhe bashkuar të gjithë votuesit e Partisë Demokratike. Ted Kennedy dhe fëmijët e luftëtarit të madh për të drejtat e njeriut, Martin Luther King e paraqitën Obamën sipas një tradite të vjetër historike. Partia është unike, e gatshme për fushatë dhe për fitore në zgjedhjet presidenciale. Por a mjafotn kjo për të fituar? Kjo do të mund të parashikohet pas dy apo tre javësh, kur të ketë kaluar një kohë e caktuar nga kongreset e dy partive dhe nominimi i kandidatëve për president. Në qoftë se Obama as atëherë nuk shënon një përparësi serioze ndaj kundërkandidatit të tij McCain, duhet ta pyes vetveten, se si do të fitojë politikanë me përvojë të madhe nga Partia Republikane. Kjo mund të thotë se Amerika po ikë ngadalë nga senatori me lëkurë të ngjyrosur", konstaton komentatori i kësaj gazete.

Ndërsa komentatori i gazetës "Berliner Morgenpost" është i mendimit se në periudhën që vjen do të kemi një garë kokë më kokë.

"Tani janë krijuar të dy ekipet të cilat në nëntë javët e ardhëshme do të zhvillojnë një duel të madh ofertash dhe premtimesh. për Obamën flet një karizmë e jashtëzakonshme. Ai ofron shpresë, por edhe rrezik. Ndërsa realisti McCain është i njohur për vazhdimin e politikës së deritanishme dhe llogari të qarta. Si shumë herë më parë, do të përballen lindja demokratike bregdetare dhe perëndimi tradicional. Do të vendosin të papërcaktuarit të cilët para votimit do të shikojnë kontot dhe xhepat e tyre dhe do të vendosin në bazë të premtimeve të kandidatëve. Në qoftë se karizma e Obamës nuk mbetet vetëm tek forcimi i zemrave, por ofron edhe shpresa për përmirësimin e gjendjes ekonomike, do të ketë shansa reale për tu futur në Shtëpinë e Bardhë", pohon komentatori i "Berliner Morgenpost".