1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama: "Jam në Strasburg për të ripërtërirë partneritetin SHBA-Evropë"

Ani Ruci3 Prill 2009

Në darken zyrtare të festimit të 60-vjetorit të NATO-s në Kurhaus në Baden-Baden (03.04) marrin pjesë të 28 vendet anëtare mes tyre edhe dy anëtaret e reja, Shqipëria dhe Kroacia.

https://p.dw.com/p/HPoj
Obama: "Kur SHBA dhe miqtë e tyre veprojnë së bashku, perspektivat për paqe dhe prosperitet rriten në të gjithë botën."
Obama: "Kur SHBA dhe miqtë e tyre veprojnë së bashku, perspektivat për paqe dhe prosperitet rriten në të gjithë botën."Fotografi: AP

Presidenti amerikan Barak Obama shpalosi sot në Strasburg vullnetin për të ripërtërirë partneritetin me Evropën dhe përballuar me sukses sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik dhe ndryshimet klimaterike.

Në konferencën për shtyp që Obama dha pas takimit kokë më kokë me presidentin francez Sarkozi ai foli për përgjegjësi dhe perspektiva të përbashkëta të SHBA dhe të Evropës. Vullneti amerikan për bashkëpunim u prit me entuziazem dhe u duartrokit gjatë.

"Ne kërkojmë aleatë të fortë. Do të dëshironim ta shikonim Europën të ketë aftësi më të mëdha mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë të jemi padronë të Evropës, por partnerë, sfidat nuk mund t'i përballojë as Amerika, as Evropa vetëm. Jam këtu, në Strasburg për të ripërtërirë partneritetin mes nesh." - tha Obama duke përshëndetur në tri gjuhët kryesore të Evropës, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Për presidentin Obama garantimi i paqes dhe sigurisë në botë pas rënies së Murit të Berlinit kërkon një aleancë më të fortë dhe më të gjerë, gjë që u konkretizua, vuri ai në dukje, me anëtarësimin e mirëpritur të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO." - tha ai.

"Kur SHBA dhe miqtë e tyre veprojnë së bashku perspektivat për paqe dhe prosperitet rriten në të gjithë botën," - e përforcoi Obama mesazhin e rritjes së partneritetit SHBA- Europë.

Të njëjtin vullnet për partneritet shprehu edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi.

"Ne, tha Sarkozi, nuk kemi nevojë për një luftë tjetër të ftohtë. Ne shpresojmë se dhe Rusia do të ndihmojë në çështjen e Iranit, pasi paqja është shumë e shtrenjtë."

Presidenti Obama pritet në Baden- Baden me nderime ushtarake nga kancelarja gjermane Angela Merkel
Presidenti Obama pritet në Baden- Baden me nderime ushtarake nga kancelarja gjermane Angela MerkelFotografi: AP

Në orët e para të pasdites së 3 prillit, ditës së parë të samitit të NATO-s, presidenti Obama u prit me nderime ushtarake nga kancelarja gjermane Angela Merkel në Baden- Baden. Pas një vizite që ata bënë në bashkinë e Baden-Baden-it, Obama Merkel, zhvilluan bisedime dypalëshe.

Sot në mbrëmje kancelarja gjermane Merkel shtron në Kurhaus në Baden-Baden darken zyrtare të festimit të 60-vjetorit të NATO-s, ku marrin pjesë të 28 vendet anëtare të NATO-s, mes tyre edhe dy anëtaret e reja, Shqipëria dhe Kroacia.

Autor: Ani Ruci / Strasburg