1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061010 Treffen US-Geheimdienste

6 Janar 2010

Barack Obama i kritikoi ashpër shërbimet e fshehta kombëtare për arsye të dështimeve në prag të gati-atentatit ndaj një avioni pasagjerësh amerikan. Obama tha se sistemi dështoi në mënyrë tejet shkatërrimtare.

https://p.dw.com/p/LM5z
Obama në Shtëpinë e Bardhë, 05.01.2010
Obama në Shtëpinë e Bardhë, 05.01.2010Fotografi: AP

Shërbimet e fshehta nuk i bashkuan gurët e mozaikut

Gati dy orë qëndroi presidenti Obama me drejtorët e shërbimeve të fshehta dhe të sigurisë amerikane. Pastaj dha një deklaratë të shkurtër për shtypin. Gjatë saj ai nuk e fshehu dot zemërimin. Me fjalë jashtëzakonisht të ashpra qortoi shërbimet e fshehta amerikane:

"Kur një terrorist i dyshuar arrin të hipë në avion me eksploziv në ditën e Krishtlindjeve sistemi ka dështuar në mënyrë gati shkatërrimtare."

Obama s'u mjaftua me kaq dhe kritikoi se shërbimet e fshehta dinin madje, që një terrorist donte të ndërmerrte diçka kundër vendit:

"Por shërbimet tona të fshehta nuk arritën t'i bashkonin gurët e mozaikut, gjë që do të kishte çuar në përfshirjen e të dyshuarit në listën e personave me ndalim fluturimi."

Obama tha, se gjatë takimit mbi sigurinë në Shtëpinë e Bardhë përfaqësuesit e organizatave të ndryshme, nga CIA deri tek Ministria për Mbrojtjen e Atdheut, kishin marrë përgjegjësinë për gabimet. Në mënyrë thuajse ironike ai renditi më pas detyrat e shërbimeve të fshehta: "Ato duhet të grumbullojnë informacione dhe të reagojnë shpejt për të mbrojtur jetën e të pafajshmve", dhe theksoi:

"Kjo nuk duhet të ndodhë vetëm në shumicën e rasteve, por gjithnjë."


Shtohen kontrollet dhe numri i shoqëruesve të armatosur në avione

Deri dje të paktën Obama nuk paralajmëroi konsekuenca në personel për arsye të dështimeve. Në të njëjtën kohë ai renditi ato çka ishin ndryshuar që prej atentatit të dështuar:

Lista me persona që ndalohen të fluturojnë është aktualizuar dhe është zgjeruar me shumë emra. Përveç kësaj janë përforcuar kontrollet e sigurisë në aeroporte, janë angazhuar më shumë shoqërues avionësh të armatosur dhe udhëtarët nga 14 shtete, ndër to Afganistan, Pakistan dhe Jemen, kontrollohen para çdo fluturimi. Obama paralajmëroi masa të tjera, por pa i përshkruar konkretisht. Sipas tij, në fillim duhet të përfundojnë të gjitha verifikimet dhe kjo do të ndodhë brenda kësaj jave.

Guantanamo do të mbyllet

Obama e shfrytëzoi deklaratën e tij edhe për të thënë diçka mbi të burgosurit jemenas në kampin e diskutueshëm Guantanamo, pasi të paktën njëri prej të liruarve nga paraardhësi i Obamës Bush është pjesë e shtabit udhëheqës të Al Kaidës në Jemen. Më shumë se 30 të burgosurve jemenas u ishte miratuar kthimi në atdhe, por njëherë për njëherë kjo nuk do të ndodhë:


"Në këtë çast nuk do të kthejmë të burgosur të tjerë jemenas në atdhe."

…tha Obama dhe shtoi, se kishte thënë gjithnjë, që të burgosur nga Guantanamoja do të transferoheshin vetëm në vende, ku nuk paraqisnin rrezik për SHBA-në. Në fund, në mënyrë gati kundërshtuese ai theksoi se kampi Guantanamo do të mbyllej me çdo kusht, pasi ishte kthyer në simbol të Al Kaidës në luftën kundër SHBA-së:

"Por Guantanamoja do të mbyllet."


Autor: Rüdiger Paulert/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi