1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ofensivë e pa skrupullt kundër civilëve" - Ushtarët izraelitë thyejnë heshtjen

16 Korrik 2009

Një gjysmë viti pas fundit të konfliktit të Gazës, ushtarët izraelitë e akuzojnë ushtrinë e tyre për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ofensiva trejavore në Gazë u krye me dhunë të pa skrupullt kundër civilëve.

https://p.dw.com/p/Iqk6
Ofensivë e ushtrisë izraelite në GazaFotografi: AP

Kundërshtimi nga ana e ushtrisë është i qartë: Zëdhënësja e ushtrisë, Avida Leibovic nuk dëshiron të thellohet në detaje përsa u përket kritikave. Ajo i hedh poshtë në mënyrë formale raportin e organizatës "Breaking the Silence", pra "Të thyesh heshtjen". Pohimet e 26 ushtarakëve të ushtrisë izraelite për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë operacionit "Plumbi i shkrirë" janë sipas saj jo të besueshme, tha Leibovic në stacionin televiziv arab Al-Xhazira: "A e dini se kush janë të 26 burrat, se ne nuk e dimë. Si mund të nxjerrë një organizatë, që kërkon ta marrin seriozisht një raport, pa përmendur fakte, të cilave mund t'u përmbahemi. Asgjë e tillë nuk ekziston: as fakte, as emra, as grada shërbimi."

Palestinezë si mburoja njerëzore

Me kaq duar bosh nuk paraqiten themeluesit e organizatës. Ata i njohin emrat, edhe gradat e shërbimit, por nuk i publikojnë ato, për t'i mbrojtur nga raprezaljet anëtarët e trupave. Në mbi 100 faqe, dëshmitarë informojnë për shkatërrime shtëpish, vandalizma, përdorimin e bombave me fosfor, gjë që sipas ligjeve ndërkombëtare është e ndaluar të bëhet në zona me popullatë të dendur. Një ushtar i Brigadës Golan tregon se u kishin kërkuar palestinezëve që të hapnin shtëpitë e të dyshuarve si luftëtarë të Hamasve dhe të hynin të parët në to. Palestinezë si mburoja njerëzore?

Direktiva për të shtënë mbi të gjitha dhe kundër të gjithëve

Me sa duket pohimet nuk paraqiten vetëm me shkrim. Kështu, një ushtar raporton për direktivën për të shtënë mbi të gjitha dhe kundër të gjithëve: "Edhe këtë fjali e kemi dëgjuar shpesh. Pavarësisht se ku mund të ndodhemi, nëse atje ndodhet një njeri, bëhet fjalë absolutisht për një armik. Urdhri për të respektuar rregullat e ndërhyrjes nuk ekzistonte. Urdhri qe për të hapur zjarr. Sapo sheh diçka të dyshimtë, të hapet zjarr."

Themeluesi i organizatës, Jehuda Shaul thotë se ushtria izraelite nuk e di ende, se cfarë kanë bërë ushtarët gjatë konfliktit në Gazë. Shkas për mënyrën e veprimit të ushtarëve, sipas të dhënave të ushtrisë izraelite ishte goditja e qyteteve me raketa nga ekstremistët palestinezë. Kritikë izraelitë si Jehuda Shaul pjesërisht nuk e kundërshtojnë këtë paraqitje, por kundërshtojnë mënyrën si veproi ushtria: "Operacioni "Plumbi i shkrirë" paraqet një shkallë krejt tjetër të agresivitetit. Kemi të bëjmë me një kategori krejt tjetër, në të cilën nuk bëhet fjalë për sasi, por për cilësi. Ndryshimi cilësor konsiston në atë, që ushtria tha për herë të parë: pavarësisht nëse plagosen civilë, kryesorja është që të mos plagosen ushtarë."

Ushtria i përgënjeshtron akuzat

Në këtë pikë, zëdhënësja e ushtrisë merr qendrim më konkret dhe e hedh poshtë kritikën: "Ushtarët patën urdhrin që të gjejnë vetëm luftëtarë militantë të Hamasve. Dhe po t'i shikoni ngjarjet: mbi 75% e viktimave bënin pjesë në radhët e Hamasve."

Ky pohim bazohet vetëm në të dhëna izraelite, të cilat nuk mund të verifikohet jashtë ushtrisë. Nëse ushtria izraelite do të ndjekë listën e saj të deritashme të argumentimeve, atëherë ajo do ta hedhë poshtë edhe një raport të Kombeve të Bashkuara që do të publikohet javën e ardhshme. Tema: konflikti luftarak në Gazë.

Autorë: Torsten Teichmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani