1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Olmert s´lëshon pe - Rritet presioni ndaj udhëheqjes palestineze

Klemens Verrenkote2 Korrik 2006

Një javë pas rrëmbimit të një ushtari 19 vjeçar Izraeli e ka rritur presionin ndaj udhëheqjes palestineze të Hamasit.

https://p.dw.com/p/AqpO
Pamje nga zyra e Hanijas pas bombardimit
Pamje nga zyra e Hanijas pas bombardimitFotografi: AP

Kryeministri i Izraelit ka udhëzuar një valë arrestimesh paafat: antar drejtues të Hamasit nuk do të arrestohen vetëm në Jordanin Perëndimor, por edhe në Rripin e Gazës. Duke iu referuar arrestimit të antarëve të qeverisë së Hamasit dhe deputetëve palestinezë përpara disa ditësh Olmert tha: "Ne kemi të bëjmë me pjesëmarrjen direkte agresive në terrorizëm të të zgjedhurve zyrtarisht." Ndaj duhet të përndiqen të gjithë "terroristët me ideologjinë e tyre si dhe ata që u garantojnë atyre mbrojtje". Sipas Izraelit në këtë përkufizim përfshihen të gjithë antarët e Hamasit si dhe antarët e organizatave të armatosura palestineze.

Sërish Olmert refuzoi kategorikisht kërkesën e krahut ushtarak të Hamasit si dhe të dy grupimeve të tjera ekstremiste për lirimin e 1000 të burgosurve nga brugjet izraelite. Shprehimisht Olmert tha, se të veprosh kështu presupozon "ftesën për aktin pasues terrorist". Ndonëse ai shprehu keqardhje për pasojat e operacionit ushtarak izraelit ndaj popullsisë civile në Rripin e Gazës, Olmert theksoi: "Ne në radhë të parë mbajmë përgjegjësi për të mirën e shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Duke pasur parasysh këtë përgjegjësi ne do të prekim këdo që i shkakton dëme shtetasve izraelitë. askush s´do të na shpëtojë."

Ky kërcënim iu drejtua direkt kryeministrit palestinez Ismail Hanija. Selia e tij duke gdhirë dita e dielë (02.07) u sulmua nga ajri. Një helikopter ushtarak izraelit hodhi një predhë në zyrat e kryeministrit në qytetin e Gazës. Hanija e quajti këtë si "një politikë të xhunglës dhe arrogancës" së Izraelit.

Bashkë me presidentin Mahmud Abaz Hanija shkoi të dielën paradite në selinë e shkatërruar të tij duke treguar murin e shembur të zyrës së tij. Abaz pas kësaj deklaroi, se "bota duhet ta kuptojë, që ky është një akt i fëlliqur kriminal. Gjatë sulmeve nga ajri gjatë natës po në të gdhirë të së dielës gjeti vdekjen një antar i Hamasit, ndërsa një predhë ra në një shkollë palestineze.

Qeveria e ShBA, sipas njoftimeve të mediave izraelite, i ka parashtruar tri rregulla kryeministrit Olmert për vazhdimin e operacionit ushtarak në Rripin e Gazës: Mahmud Abaz si dhe popullsia civile palestineze nuk duhet të pësojnë asnjë dëm dhe duhet të mbrohet infrastruktura.

Por duket se kryeministri izraelit këtë e kupton si një rekomandim: Sipas të dhënave të ministrit të brendshëm Roni Bar-On ai i ka udhëzuar forcat e armatosura që "natën askush të mos mund të flejë në Rripin e Gazës." Në distanca të parregullta kohore aviacioni ushtarak ka kryer në fundjavë fluturime mjaft ulët mbi hapësirën e Rripit të Gazës.

Një zëdhënës i krahut ushtarak të Hamasit shprehimisht tha: "Në rast se fuqia pushtuese do të vazhdojë agresionin dhe terrorizmin kundër popullit tonë, rajoni do të zhytet në një det gjaku dhe pasojat do të jenë të tmerrshme."