1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Operacione të përbashkëta shqiptaro- greke për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore

Odise Kote/ Gjirokastër26 Gusht 2008

Operacionet disaditore janë kryer në kufirin tokësar e detar mes dy shteteve. Ato janë monitoruar edhe prej vëzhguesve të Bashkimit Europian.

https://p.dw.com/p/F4v2
Emigrantë ilegalë, të kapur në Kretë, Greqi
Emigrantë ilegalë në Kretë, GreqiFotografi: AP

Policitë kufitare të Shqipërisë së jugut dhe Greqisë së veriut kanë zhvilluar për disa ditë me radhë operacione të përbashkëta në të gjithë kufirin tokësor e detar mes dy shteteve, me qëllimin e sigurimit të kufijve e luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore. Në këto operacione të përbashkëta kanë marë pjesë forca speciale të kufirit nga drejtoritë e Korcës, Gjirokastrës e Vlorës, si dhe forca speciale të kufirit të Kozanit, Follorinës e Janinës në Greqi. Prej këtij operacioni, janë goditur më tepër se 300 persona, disa rrjete trafiku dhe prostitucioni, ndërkohë që është patrulluar e gjithë vija detare mes dy vendeve.

Myzafer Elezi, është drejtor i kufirit dhe emigracionit në Vlorë dhe thotë se përpos operacioneve është rritur forca zbuluese edhe në pikëkalimet kufitare detare si në Vlorë, Himarë e Sarandë:

„Në planin e hartuar nga ana jonë është planifikuar të shtohet forca e kontrollit në të gjitha këto vendkalime kufitare, në mënyrë që të parandalohet kalimi në këto pikëkalime kufitare të shtetasve me precedentë të rrezikshëm penalë“.

Një pjesë e madhe e të ndaluarve në këtë trafik klandestinësh u përkasin rretheve të Shqipërisë së mesme, ku gjendet edhe “lënda” e parë e këtij trafiku, për shkak të nivelit të ulët ekonomik e papunësisë kronike. Zëdhënësi i drejtorisë së policisë në Gjirokastër, Gentian Mullahi:

„Nga intervistimet tona këta emigrantë ju përkasin rretheve Berat, Fier, Lushnjë e Kucovë“.

Operacionet e përbashkëta me palën greke kanë shënuar edhe një nivel në rritje të bashkëpunimit ndërkufitar e sidomos në rritjen e profesionalizmit. Drejtori kufirit dhe emigracionit në Gjirokastër, Vasil Valera vlerëson se këto operacione të përbashkëta po sjellin si risi edhe mjaft elementë të bashkëpunimit ndërkufitar si dhe një nivel më të lartë profesionalizmi:

„Ky është një moment që e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë dhe që kërkohet një kualifikim sa më i saktë“.

Trafiku klandestin në shtetin grek, përvec të tjerash shikohet prej një pjese të popullatës të zonave të pazhvilluara e me papunësi edhe si një zgjidhje ekonomike. Zëdhënësi drejtorisë së policisë në Gjirokastër Gentian Mullahi thotë se kjo është një periudhë kur fillojnë punët në bujqësi…:

“punë të cilat në 90% të tyre janë të mbuluara nga shtetas shqiptarë“.

Operacionet e përbashkëta të policisë shqiptare e greke, janë monitoruar edhe prej vëzhguesve të OSBE-së e të Bashkimit Europian.