1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita kërkon me këmbëngulje shqyrtimin në parlament të kodit elektoral

Arben Muka/ Tirana18 Dhjetor 2008

Deputetët e opozitës deklaruan se nuk do të votojnë asnjë ligj tjetër pa diskutimin dhe miratimin e kodit elektoral. E djathta sheh probleme brenda së majtës.

https://p.dw.com/p/GJ9P
Godina e Parlamentit të Shqipërisë
Godina e Parlamentit të ShqipërisëFotografi: AP

Çështja e diskutimit të kodit të ri elektoral, të kthyer për rishqyrtim në parlament nga ana e presidentit të republikës, është shkaku i ngërçit të punës në parlament. Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët e opozitës kanë kritikuar mazhorancën se qëllimisht vonon sjelljen në parlament të kodit, për t'i bërë rregullimet që ka sygjeruar presidenti. Sipas kryetares se grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, me çështjen e kodit, PD dhe kryeministri Berisha po bëjnë diversion për PS dhe LSI.

"Ose sillni kodin për diskutim dhe votim, ose nuk do të votojmë asnjë ligj tjetër", tha Leskaj. Pas kësaj deklarate deputetët e PS dhe PSD dolën nga salla si shenjë proteste.

Por kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, shprehu keqardhje për këtë veprim të deputetëve të opozitës, duke e quajtur të paargumentuar atë. "Qëndrimet e socialistëve nuk kanë të bëjnë me ne", tha Patozi, duke lënë të nënkuptohet se kjo është një çështje brenda së majtës, pikërisht në marrëdhëniet PS -LSI.

Për çështjen e miratimit të kodit elektoral ka patur së fundi dhe një prononcim të shefit të përfaqësisë së Komisionit Europian në Tiranë, ambasadorit Helmut Lohan. Ai tha se zgjidhja e problemit është emergjente për të mos dëmtuar procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.


(AUD)