1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Oreskoviç: "Ne duhet ta ndihmojmë Greqinë"

Nenad Kreizer3 Mars 2016

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel në Berlin kryeministri kroat Tihomir Oreskoviç në bisedë për DW deklaron, se çfarë pret ai nga samiti i BE-së të hënën dhe çfarë roli do të luajë vendi i tij në rajon.

https://p.dw.com/p/1I5lZ
Deutschland PK Tihomir Orešković
Fotografi: picture-alliance/abaca/AA/M. Kaman

DW: Kohët e fundit është krijuar përshtypja, se Kroacia dhe Gjermania jo gjithmonë kanë të njëjtin mendim, kur është fjala për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Por gjatë vizitës në Berlin Ju dhe kancelarja Angela Merkel demonstruat unitet. Në cilat pika Ju mbroni të njëjtën politikë?

Tihomir Oreskoviç: Gjendja në fakt është mjaft e ndërlikuar. Ne të gjithë kërkojmë një zgjidhje. Kroacia është koordinuar me vendet fqinjë dhe ne bashkëpunojmë, për t'i shmangur konfliktet dhe tensionet. Kjo është zgjidhja e vetme e mundshme. Por ne me Gjermaninë jemi të një mendjeje edhe se duhet intensifikuar bashkëpunimi me Turqinë dhe njëkohësisht duhet të përqendrohemi tek Greqia. Sepse vetëm nëse fillon të funksionojë sistemi i Hotspot-ve - gjë që kërkon Gjermania - nuk do të ketë më itinerar ballkanik. Por ne duhet ta ndihmojmë Greqinë për këtë. Unë nuk kam parasysh këtu vetëm ndihmën financiare. Ne jemi të një mendimi me Berlinin, se kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të mbrohen më mirë. Afatgjatë ne duhet t'i luftojmë shkaqet e emigracionit. Për këtë ne jemi 100 përqind në anën e Berlinit.

Shumë shpresa lidhen me samitin e BE-së me Turqinë të hënën (07.03). A jeni optimist?

Unë jam gjithnjë optimist, por ne duhet të themi, se kemi të bëjmë me një proces, që nuk mund të mbyllet si me pendën e artë pas një takimi. Por është e rëndësishme, që Turqia është e pranishme në këtë takim, ndonëse pritshmëritë janë shumë të larta lidhur me atë, se çfarë mund të zgjidhë Turqia.

Në politikën e jashtme kroate Gjermania duket kohët e fundit sikur është spostuar më shumë në sfond. Bëhet fjalë madje për një forcim të marrëdhënieve me vendet fqinjë dhe shtetet e të ashtuquajturit grupi i Vishegradit (Polonia, Sllovakia, Hungaria, Çekia). Çfarë roli luan Gjermania në politikën e jashtme kroate?

Mesazhi im është i qartë: Ne jemi dhe kemi qenë partnerë, por tani duhet t'i intensifikojmë marrëdhëniet tona. Ne duhet gjithashtu të përmirësojmë klimën e investimeve. Kjo arrihet vetëm përmes kontakteve të përhershme. Unë besoj, se Kroacia kohët e fundit ka pasur shumë pak kontakte, jo vetëm me Gjermaninë, por edhe me vendet fqinjë. Ne duhet të fillojmë sërish të komunikojmë.

Para disa ditësh Ju u takuat me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Londër. Ju e keni theksuar disa herë, se doni t'i forocni marrëdhëniet me vendet fqinjë. A do të përpiqet Kroacia si anëtare e BE-së sërish, që t'i përgjigjet rolit të saj si një gjymtyrë lidhëse me Brukselit dhe vendeve kandidat të Ballkanit për në BE?

Unë e shoh Kroacinë si një promotor në rajon. Kur u takova për herë të parë me kryeministrin britanik David Cameron në Bruksel, mesazhi kryesor i tij ndaj nesh ishte: mbështesni fqinjët në rrugën për në BE. Kjo do t'i bëjë mirë stabilitetit në rajonin tuaj. Ne do ta mbështesim Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, këtë e kam biseduar edhe me kancelaren Angela Merkel. Ne biseduam edhe se si mund ta përshpejtojmë këtë proces. Natyrisht të gjitha vendet duhet t'i përmbushin të gjitha kriteret, siç bëri edhe Kroacia, e kjo do të jetë mirë jo vetëm për rajonin dhe Kroacinë, pro edhe për Europën.

Biznesmenët gjermanë ankohen prej vitesh për klimën e keqe të investimeve në Kroaci. Ju tani keni premtuar në Berlin shumë ndryshime. Çfarë do të ndryshojë konkretisht në këtë drejtim?

Unë kam qenë vet investitor dhe biznesmen përpara se ta merrja këtë post. Unë e di që investitorët duan siguri - p.sh. sa u përket taksave. nëse shteti e ndryshon brenda disa muajve politikën fiskale, askush nuk do të investojë në këtë vend. E njëjta gjë vlen edhe për legjislacionin. Investitorët duan të dinë, që ligjet do t'i mbrojnë ata. Në këtë drejtim duhet të punojmë më shumë, për ta përmirësuar klimën dhe për ta komunikuar këtë edhe jashtë.

Tihomir Oreskoviç ka lindur në vitin 1966 në Zagreb, por është rritur në Kanada, ku ai në vitet 1990 mbrojti diplomën në fushën e kimisë dhe të informatikës ekonomike. Ai ka punuar pas studimeve për sipërmarrjet farmaceutike në sektorin e financave. Ai konsiderohet si një tip i ri politikani për Kroacinë. Kryeministër ai është që nga viti 2016.