1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Organizata "Reporterë pa Kufij" e shqetësuar për lirinë e shtypit në Rusi

Xhani, Eliana13 Shkurt 2008

Në zgjedhjet e pritshme në Pakistan, Rusi, Iran dhe Zimbabve organizata "Reporterë pa kufij" pret kufizime të mëdha të lirisë së shtypit. Por edhe qeveritë perëndimore kritikohen në raportin vjetor të saj.

https://p.dw.com/p/D6t3

Situata për lirinë e shtypit dhe mendimit në të gjithë botën është më e keqja e dhjetë viteve të fundit. Në këtë përfundim arrin Organizata Reporterë pa Kufij në raportin vjetor 2007 i cili u publikua të martën në Berlin. Presidenti i organizatës Robert Menard ngre akuza të rënda kundër politikës të cilën e qorton për "dështim dhe gjuhë të dyfishtë". Gjatë vitit të kaluar sipas organizatës Reporterë pa Kufij janë vrarë 106 gazetarë dhe asistentë mediesh, numri më i lartë që prej dhjetë vjetësh.


Me shqetësim të madh vëzhgon organizata situatën në vende si Pakistani, Rusia, Irani dhe Zimbabve ku ditët dhe javët e ardhshme do të mbahen zgjedhje. "Veçanërisht në prag zgjedhjesh mbi mediet në shumë vende ushtrohet trysni dhe kontroll më i fortë", thotë zëdhënësi i bordit të reporterëve pa kufij në Gjermani Michael Rediske.


Në raportin vjetor sekretari i përgjithshëm Menard kërkon nga vendet e industrializuara të angazhohen më shumë. "Mungesa e boshtit mbështetës nga disa vende perëndimore dhe organizata ndërkombëtare lider e dëmton lirinë e shtypit", thotë Menard. Mungesa e vullnetit  të vendeve demokratike për mbrojtjen e të drejtave për të cilat ato vetë angazhohen është alarmuese.


Në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut gjendja e mjeruar e të drejtave të njeriut p.sh. në Uzbekistan dhe Iran nuk tematizohet. Mandati i të dërguarve specialë për Kubën dhe Bjellorusisë nuk është zgjatur, kritikon organizata Reporterë pa Kufij.


Vendi më i rrezikshëm për gazetarët dhe asistentët e medieve sipas raportit vjetor të reporterëve pa kufij mbetet Iraku. Atje janë vrarë 47 gazetarë dhe bashkëpunëtorë të medieve. Në vend të dytë ndodhet Somalia ku kanë humbur jetën tetë përfaqësues të medieve.


Situatën në Rusi në prag të zgjedhjeve presidenciale në 2 mars organizata e gazetarëve e ka cilësuar shqetësuese. Liria e shtypit vazhdon të jetë mjaft e kufizuar. Shumë gazeta të pavarura janë mbyllur. Zgjedhjet në Rusi gazetarja ruse Natalia Morar i vlerëson "formalitet". Në Rusi sipas saj mediet i nënshtrohen monopolit shtetëror.


Shoqata e gazetarëve  nuk konstaton përparime të rëndësishme në Kinë ku në verë zhvillohen lojërat olimpike. Dialogu është ndërprerë nga përgjegjësit në Pekin, shpreh keqardhje Michael Rediske nga seksioni gjerman i reporterëve pa kufij.


"Ka sigurisht një hapje ndaj korrespondetëve të huaj. Aktualisht ata janë më të lirë për të kryer hulumtime. Por nuk ka asnjë siguri që kjo të vazhdojë edhe pas lojërave olimpike."