1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Origjina e tregjeve të kërshëndellave është në Gjermani

Hans Spross4 Dhjetor 2006

Tradita dhe zhvillimi i tregjeve të kërshendellave në Gjermani

https://p.dw.com/p/AqyQ
Tregu i kërshëndellave në Frankfurt
Tregu i kërshëndellave në FrankfurtFotografi: AP

Drejtori i muzeut për kulturë evropiane në Berlin, Konrad Vanja di të përshkruaj në mënyrë origjinale atmosferën e veçantë të tregjeve të kërshendellave kur sqaron se:

"Origjina e tregjeve të kërshendellave me siguri që ndodhet në rajonet gjermane. Mendoni pak për tregjet e kërshendellave në Mynih apo Strasburg dhe qytet tjera dhe harmoninë e këtyre erëzave të mira, gatesave të veçanta si gurabijeve të kërshendellave, kekëve të thatë me stafidhe nga Drezdeni - me lodrat e mrekullueshme apo stolitë e ndriçueshme të bredhit të kërshendellave. Kjo është një veçanti tipike gjermane e cila sot është përhapur në mbarë botën", sqaron Vanja.

Qindra mijëra vizitorë vendas dhe të huaj për çdo vit mbushin tregjet e kërshëndellave, si magnet turistësh për qytetet ato janë faktor të rëndësishëm ekonomik. Mirëpo ndërkohë që shumica e shtëpive të mallrave dhe ofruesve përmes internetit ndahen të kënaqur me shitje në kohën e kërshnedellave dikur gjendja ishte ndryshe.

Para së gjithash nga fundi i shekullit të 18-të deri në kohën e industrializimit në shekullin e 19-të, thekson etnografja Krista Lorenz: "Atëherë ishte sezona e tregjeve të kërshndellave. Vendi i vetëm ku janë shitur lodrat ka qenë tregu i kërshëndellave dhe koha e vetme për dhurata kanë qenë kërshëndellat".

Atëherë ka qenë koha kur ndarja e dhuratave të kërshëndellave për fëmijë dhe bredhi i stolisur, të dy këto fillimisht zakone protestante gjetën vend edhe në kalendarin qytetar.

Për këtë Manfred Becker-Huberti, ekspert për zakonet e krishtera dhe zëdhënës disavjeçar në Ipeshkvinë e Kölnit: "Format më të vjetëra të njohura të tregjeve të kërshndellave i hasim në shekullin e 14-të dhe 15-të, por ato marrin një karakter fetar fillimisht përmes reformacionit kur ndarja e dhuratave të babadimrit u shty për kohën e kërshëndellave dhe me këtë Krishti fëmijë është ai që sjell dhuratat. Dhe në mënyrë që fëmija Krisht të mund të sjell dhuratat duhet më parë të sigurohen dhe për këtë tregjet ishin të nevojshme. Në to ofrohen dhurata të vogla për fëmijë, ëmbëlsira dhe gatesa të ngjashme dhe natyrisht një lloj rehatie për blerësit, është fjala për verën e nxehtë".

Pra vera e kuqe e nxehtë dhe me erëza, aroma e së cilës gjatë kohës së kërshëndellave ndihet gjithandej në tregjet gjermane, ka zënë vend në tregjet e kërshndellave pas luftës së dytë botërore. Veçori të traditave të vjetëra janë bredhi i kërshendellave dhe stolitë e grazhdit të Betlehemit në miniaturë, zakone këto që kanë origjinë nga fetë e ndryshme kristiane.

Në tregjet e kërshendellave janë shkrirë doket katolike dhe protestante, njofton Becker-Huberti: "Ky zhvillim ka arritur pikën e fundit në shekullin e 19 dhe 20-të kur ndodhi shkëmbimi i këtyre dokeve mes katolikëve dhe evangjelistëve, pra grazhdi i Betlehemit në miniaturë edhe tek protestantët, bredhi i kërshëndellave dhe tek katolikët, Krishti fëmijë ndërkohë është tipike katolike ndërkohë që babadimri i kërshëndellave është tipik protestant. Fëmija Krisht ka zënë vend që në kohën e Luterit, çfarë sot nuk do ta pranonte asnjë katolik".

Pra edhe pse kemi të përbashkëta duhet theksuar se tregjet e kërshëndellave jetojnë natyrisht edhe nga specifikat rajonale, një gatesë speciale si kekët e thatë me stafidhe nga Drezdeni apo gurabitë e kërshëndellave.

Këto produkte shpesh kanë një të kaluar gjysëmhistorike, gjysëmlegjendë: "Njerëzit janë specializuar për një gatim, i cili fillimisht është gatuar nëpër manastire dhe është përdorur për shërim - gurabiat e kërshendellave thuhet se zgjasin jetën, ndërkohë ato janë kthyer në një specialitet që gatuhet në këtë stinë të vitit. Apo figurat e engjëjve të artë e kanë vendlindjen e tyre në Nyrenberg dhe sipas një legjende të bukur kanë qenë zbulim i një burri i cili në këtë mënyrë donte ta mbante gjallë kujtimin për vajzën e tij të vdekur".

Ashtu si festa e krishtlindjeve e cila me kalimin e kohës ka humbur shumë nga karakteri i saj religjioz dhe spiritual edhe tregjet e kërshendellave për shkak të ofertave të shumta kanë humbur aftësinë e tyre tërheqëse të cilën e kanë patur më parë, mendon etnografja Krista Lorenz.

"Ajo madhështia e mallrave të vitrinave të cilat atëherë i kanë bërë aq tërheqëse tregjet e kërshëndellave në shekullin e 19-të, nuk ndikon sot pothuajse fare, ajo nuk i intereson më askujt çfarë sheh përpara, një radhë engjujsh apo stoli bredhi apo çorapë të thurura mirë", sqaron Lorenc.

Ka vite që organizatorët provojnë të sjellin risi në tregjet e kërshëndellave. Lojëra të ndryshme me kukulla, grupe muzikore me instrumente të vjetëra, lojërat alternative të grazhdit të Betlehemit në miniaturë - janë një ofertë tjetër për vizitorët.