1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përcaktohet strategjia për kthimin e të zhvendosurve nga Kosova

Bekim Shehu19 Korrik 2005

Sot në Prishtinë mekanizmat udhëheqës të vendit, ata ndërkombëtarë dhe vendorë përkrahën dokumentin kornizë, që përcakton strategjinë për kthimin e të zhvendosurve nga Kosova. Mirëpo, u theksua qartë se kthimi i të zhvendosurve do të jetë vullnetar

https://p.dw.com/p/Aqjl
Pamje nga Prishtina
Pamje nga PrishtinaFotografi: AP


Krerët e administratës ndërkombëtare, shefat e zyrave në Prishtinë të vendeve të Grupit të Kontaktit, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e liderët e subjekteve politike, unanimisht përkrahën një dokument, i cili parasheh kthimin e të gjithë të zhvendosurve nga Kosova. E ashtuquajtura, Korniza Strategjike për Komunitet dhe Kthim, shpjegon qartë, se Kosova duhet të jetë një vend ku të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, racore apo fetare, duhet të jenë të lirë, të punojnë dhe udhëtojnë pa frikë armiqësi ose rrezik dhe ku ka tolerancë drejtësi dhe paqe. Ndër pikat e tjera kryesore, theksohet krijimi i kushteve për kthim të qëndrushëm, qëndrueshmëri ekonomike dhe punësim, të drejtë në pronë mundësi në arsim, shëndetësi e shërbime tjera publike dhe rritje e mbështetjes institucionale për kthim. Dhe nga të gjitha këto zotime të përcaktuara në dokument, janë të zhvendosurit kosovarë ata që duhet të vendosin a duan të kthehen apo jo. Sipas kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jessen Petersen, kthimi është vullnetar.
Sfida e tanishme është ajo çfarë vërehet edhe në kornizë. Që t'u ofrojmë këtyre njerëzve zgjidhje, pastaj është në vendimin e tyre a dëshirojnë të kthehen apo jo. Procesi i kthimit nuk është çështje shifrash, por, është një proces që duhet të ketë zgjidhje. Nevojitet siguri, paprekshmëri në pronë dhe poashtu përkrahje ekonomike. Përkrahja e procesit të kthimit duhet dhënë nga të gjithë udhëheqësit e Kosovës përfshirë edhe parlamentin. Dhe së fundi nevojitet përkrahje për këtë proces edhe nga vetë pakicat përfshirë edhe atë serbe, tha Soren Jesen Petersen. Pra në këtë drejtim, thotë Petersen, Beogradi duhet të përpiqet, të mbështesë procesin e kthimit të serbëve në Kosovë dhe të mbështesë kthimin e përfaqësuesve të tyre në institucionet e këtushme. Nëse serbët e Kosovës nuk kthehen në institucione, atëherë sipas shefit të UNMIK-ut, procesi i kthimit të refugjatëvë është vërtetë vështirë të realizohet. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi ndërkaq, thotë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të angazhohen me të gjitha kapacitetet për kthimin e të gjithë të zhvendosurve dhe u shpreh qartë se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj.

Qeveria e Kosovës aktualisht është duke zhvilluar 19 projekte për kthimin e të zhvendosurvë në Kosovë dhe për jetësimin e tërësishëm të tyre nevojiten 21 milion euro. Deri tani qeveria ka siguruar 10 milionë euro, ndërsa shuma tjetër kërkohet të sigurohet nga donatorët e huaj. Sidoqoftë edhe pse procesi i kthimit të të zhvendosurve në Kosovë nuk është duke u bazuar në shifra, deri tani në Kosovë nga radhët e komunitetit serb, janë kthyer 12 mijë persona, mirëpo, akoma mbesin edhe dhjetra mijëra të tjerë jashtë Kosovës. Megjithatë, strategjia për kthim e përmbledhur në dokumentin për komunitete dhe kthim përfshinë të gjithë të zhvendosurit nga Kosova pa dallim përkatësie etnike.