1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundimi i takimit të nivelit të lartë në Bruksel

Anke Hagedorn18 Dhjetor 2004

Në Bruksel u mbyll një samit historik. Evropa i hapi portat e saj për Turqinë, megjithëse duke i vendosur kushte të forta. Në Turqi oferta e BE-së për anëtarësim u prit me përgjithësisht me rezerva, por pati edhe reagime pozitive.

https://p.dw.com/p/ArFV
Flamuj përpara ndërtesës ku u zhvillua takimi
Flamuj përpara ndërtesës ku u zhvillua takimiFotografi: dpa

Në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel marrëveshja për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Turqinë u arrit shpejt. 25 shtetet anëtare të bashkimit u morën vesh edhe për datën konkrete, 3 tetorin 2005. Por më pas nisi grindja lidhur me kushtet. Synim i bisedimeve është parimisht anëtarësimi me të drejta të plota, por këtu nuk do të ketë automatizëm si në valët e deritanishme të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këshilli Evropian i rezervon vetes të mundësinë e pezullimit të bisedimeve në rast se shkelen parime të Bashkimit Evropian.

Pra një "Po me por" nga Brukseli në drejtim të Turqisë, e cila nuk e priti me entuziazëm këtë kufizim. Por molla më e madhe e sherrit ishte çështja e njohjes së Qipros nga Turqia. Nga kryesia hollandeze e radhës në Bashkimin Evropian kjo ishte formuluar si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe ndeshi në refuzimin e paluajtshëm të Ankarasë. Në Bruksel krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian i hapën Turqisë mundësinë e një lloj njohjeje të tërthortë. Kështu presidenti i radhës i Këshillit Evropian Jan-Peter Balkenende deklaroi:

"Kryeministri Erdogan pranoi që të japë një deklaratë se do ta nënshkruajë Protokollin e Ankarasë. Në deklaratën përfundimtare Këshilli Evropian e përshëndet këtë angazhim. Dua të theksoj, se ky hap do të hidhet përpara fillimit të bisedimeve më 3 tetor."

I ashtuquajturi Protokoll i Ankarasë parashikon zgjerimin e bashkimit doganor midis Turqisë dhe BE-së me dhjetë shtetet e reja anëtare. Duke qenë se Qiproja futet tek këto shtete, Turqia do ta njihte kështu faktikisht këtë vend.

Por në konferencën mbyllëse për shtyp kryeministri turk Erdogan e interpretoi këtë ndryshe. Nënshkrimi i protokollit nuk do të thotë që po e njoh Qipron dhe nuk do ta njoh as në të ardhmen, tha Erdigan.

Edhe kancelari gjerman Schröder, të cilit për shkak të një votimi të rëndësishëm në parlament iu desh të largohej përpara mbylljes së samitit, theksoi se kjo nuk do të thotë njohje zyrtare e Qipros.

Në Turqi, treguesi i parë, më i sigurtë, më i qartë për suksesin turk ishte bursa e aksioneve e Stambollit. Që disa ditë më parë ajo ishte ngjitur nga një rekord tek tjetri; dje edhe më lart:

"24.360 pikë. Deri tani ky është niveli më i lartë në historinë e bursës në Stamboll. Mbititullimi është: Samiti i BE-së solli një nivel të ri rekord."

Por për shkak të kufizimeve afatgjata në migrim dhe në subvencione si dhe prej mundësisë që bisedimet edhe të dështojnë zëvendëskryetari i Partisë Socialdemokrate në opozitë Onur Öymen e vlerëson si jo të mirë rezultatin e Brukselit:

"Bisedimet që ndoshta nuk çojnë në anëtarësim të plotë përmbajnë rreziqe serioze për Turqinë tonë. Në rast se përfundojmë në një alternativë, atëherë të gjitha lëshimet e bëra do të jenë më kot."