1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundoi punimet samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së

Viron Gjymshana / Bruksel26 Mars 2004

Shapllen qëndrime dhe opinionet e BE-sëj lidhur me masat që duhen marrë në luftën globale kundër terrorizmit, për aprovimin e Kushtetutës së re Europiane, por edhe mbi pikëpamjet e tij ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, në Irak, Afganistan dhe Ballkan.

https://p.dw.com/p/ArHt
Fotografi: IAC

Për « Dojçe Velen » pothuajse ekskluzivisht deklaruan presidenti francez Zhak Shirak, kryeministri i Luksemburgut, Zhan Klod Juncker si dhe ministri i jashtëm të Irlandës, Brajën Kohen, vendi i të cilit kryeson BE-në gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Edhe kësaj rradhe Bashkimi Europian u tregua po aq hermetik dhe i vetkontrolluar në deklaratat e tij për Kosovën, sa edhe gjatë mbledhjeve të tij të mëparshme. Edhe në konkluzionet e tij të sotme përsëriteshin të njëjtat qëndrime dhe kërkesa që zyrtarët e lartë të BE-së i kanë përsëritur pa u lodhur gjatë gjithë kësaj jave, pa shtuar dhe hequr asgjë të re.

Në konkluzionet e sotme të BE-së dënohej dhuna e fundit me motive ndëretnike në Kosovë, që shkaktoi ndër të tjera një numër të madhe viktimash, të shoqëruara me shkatërrime shtëpish, monumentesh fetare dhe kulturore që i përkasin edhe trashëgimisë mbarëeuropiane dhe u bëhej thirrje udhëheqësve shqiptarë që të mbanin përgjegjësi për gjendjen dhe të punonin që situata të tilla të mos përsëriteshin. Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së nënvizuan edhe një herë tjetër sot se dhuna e ditëve të fundit e kanë kthyer Kosovën prapa dhe kanë vënë në rrezik dhe përparimet e vëna re vitet e fundit.

Duke folur për këto ngjarje, ministri i jashtëm i Irlandës Brajën Kohen deklaroi se… Kryetarët e qeverive diskutuan rreth ngjarjeve të fundit në Kosovën, dhe mbi mënyrat se si mund të forcojnë bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara për të përcaktuar përgjegjësitë që rrjedhin nga këto zhvillime. Por pa asnjë dyshim që ngjarjet e fundit na detyrojnë që të dyfishojmë përpjekjet që standartet, standartet europiane, të rrënjosen mirë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanësi në Kosovë, dhe që ato të jenë parakusht i çdo zhvillimi të mëtejshëm dhe pa asnjë dyshim presidenca irlandeze është duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara si dhe politika jonë e standarteve para statusit të mos ndryshojë. Duhet të vazhdojmë të punojmë që këto shpërthime në zona të ndryshme t’i kemi nën kontroll në mënyrë që të ruajmë vlerat demokratike europiane, - deklaroi ministri i jashtëm i Irlandës.

Për të njëjtin problem u prononcua edhe presidenti i Francës Zhak Shirak.

I pyetur nëse kanë mbetur ende ndonjë shpresë për të ndërtuar në Kosovë apo Bosnjë shoqëri multietnike dhe nëse bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian janë gabuar në iluzionet e tyre, dhe së fundi nëse ai mendon se pavarësia e Kosovës në fund të fundit është e pashmangshme, presidenti francez u mjaftua duke thënë se …. Fatkeqësisht situata në Kosovë sot paraqitet dramatike. Në rrethana të tilla është me vend të qetësosh situatën dhe jo t’i vësh benzinë zjarrit. Prandaj nuk është e udhës të bësh çfarëdolloj deklaratash. Franca po ndihmon në qetësimin e situatës duke dërguar atje edhe trupa shtesë. Duke ruajtur gjakftohtësinë e nevojshme dhe pa u ndikuar nga pasionet do të shikojmë se çfarë duhet të bëhet pa u nxituar të jap mendim sot mbi statusin e saj final.

Siç thamë edhe më përpara, në konkluzionet që samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve kandidate i nxorri për shtypin, shumëçka që u diskutua nuk u bë publike. Këtë e pohoi posaçërisht për « Dojçe Velen » kryeministri luksemburgas, Zhan Klod Juncker. Siç është bërë e njohur edhe në emisionin tonë të mëparshëm, Juncker gjatë këtij samiti u ka bërë thirrje kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare të dhe kandidate të BE-së, që Bashkimi Europian të rrokë frontalisht dhe pa humbur më kohë çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, dhe të mos lejojë që për të, të vendosin amerikanët apo ngjarjet si ato të 17 – 18 marsit.

Për « Dojçe Velen » kryeministri i Luksemburgut spjegoi se… Bashkimi Europian duhet të përcaktojë qartë qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Ato që u diskutuan në mbledhje natyrisht që nuk janë përfshirë në konkluzionet zyrtare, por mund të ju them se ndër të tjera ramë në ujdi që Havier Solana të dërgojë një përfaqësues të posaçëm të tij në Kosovë, i cili duhet të mendojë për tu dhënë zgjidhjeve problemeve atje.