1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundon specializimin në Gjermani kontigjenti i dytë i diplomatëve të Kosovës.

23 Mars 2010

Gjatë katër javëve të qendrimit të tyre në Berlin diplomatët e rinj patën rastin të njihen me bazat kryesore të diplomacisë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/MaCF

Mllehin Mahmutit do t'i duhet shpesh të mbajë fjalime të vështira e ku kërkohen aftësi të larta retorike. Boshnjaku 31-vjeçar punon si zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe është përgjegjës për nismat rajonale. Prandaj edhe për të pjesa e prezantimit në publik ishte pjesa më sfiduese e kursit të diplomacisë në Berlin. Ai ishte njëri nga gjithsej 15 diplomatët kosovarë, të cilët për katër javë rresht morën pjesë në kursin e dytë të diplomacisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Berlin.
Programi ishte më se i ngjeshur dhe nuk përmbante vetëm seminare në dhoma të mbyllura, por edhe një sërë takimesh me deputetë e politikanë të rëndësishëm gjermanë, si edhe një ekskursion në Bruksel. Për Zana Rugovën, sekretaren e parë të ambasadës së Kosovës në Vjenë, kjo ishte pjesa më e bukur: "Ishte shumë emocionuese, sidomos vizita në selinë e NATO-s, pasi ne jemi shumë të lidhur me NATO-n", thotë 26-vjeçarja.
Për disa syresh, si për shembull Lindita Haxhitasinin, sekretaren e parë të amasadës në Belgjikë, kryeqyteti i Evropës do të jetë i përditshëm, por edhe plot sfida. 29-vjeçarja i njeh marrëdhëniet diplomatike kryesisht në aspektin teorik, nga studimi i politologjisë në Itali, prandaj edhe ajo u kujdes të fiksonte sa më shumë sidomos nga rrëfimet e ligjëruesve: "Pothuajse të gjithë ishin ambasadorë më shumë do t'i çmoja eksperiencat e tyre sidomos nëpër vende ku kishin shkuar për herë të parë, siç jemi edhe ne " thotë ajo.

Deutschland Kosovo Diplomat Berlin Hamdi Reqica
Hamdi Reqica, zëvendëskonsull në Berlin.Fotografi: Anila Shuka
Deutschland Kosovo Diplomat Berlin Zana Rugova
Zana Rugova, sekretare e parë të ambasadës së Kosovës në Vjenë.Fotografi: Anila Shuka

Kursi i diplomacisë zhvillohet çdo vit në të njëjtën periudhë kohore.


Ai zhvillohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë është bërë enkas për diplomatët kosovarë dhe zhvillohet çdo vit në të njëjtën periudhë kohore. Ambasadori i Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita, i cili i kishte ftuar në një pritje diplomatët me rastin e marrjes së diplomës, kishte qenë vetë një vit më parë në këtë kurs. "Ishte një bazë e mirë për të filluar punën si ambasador në Berlin", kujton Mirdita.
Të gjithë pjesëmarrësit në kurs ndodhen jo vetëm në fillim të karrierës së tyre profesionale, por edhe në procesin e ngritjes së themeleve të strukturave diplomatike në vend. Ky është një fat i jashtëzakonshëm, por që në fillim kërkon shumë durim, vëren Hamdi Reqica, zëvendëskonsull në Berlin. "Puna e parë në këtë tremujor ka qenë punë teknike e gjetjes së numrit të telefonit, faksit, internetit etj. Tani do të fillojmë me punën e mirëfilltë operative", thotë ai.

Për shumicën e diplomatëve fillon tani faza interesante e punës së një profesioni, të cilin ata e kanë ëndërruar prej kohësh. Po t'i kishte thënë dikush më parë Haxhitasinit se një ditë do të ishte diplomate e Kosovës në Bruksel, asaj do t'i dukej e pabesueshme. Edhe Mllehin Mahmuti ka një ëndërr. Ajo tani mund të duket e largët, por nuk është aq e pakapshme, thotë 31-vjeçari i lindur në Prizren: Të përfaqësoj Kosovën në shtetin e tij amë. "Ndoshta mbas një periudhë të gjatë pune në ministrinë e jashtme një ditë të mund të kaloj në ambasadën tonë në Sarajevë, në Bosnjë Hercegovinë", thotë ai.

Deutschland Kosovo Diplomat Berlin Mllehin Mahmuti
Diplomati kosovar Mllehin MahmutiFotografi: DW

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica